FJALA E AUTORIT TË LIBRIT ‘MCGONIGAL-HISTORIA E AGJENTIT TË FBI NË TIRANË’, ALFRED LELA
Edhe një herë mirë se erdhët dhe faleminderit që më nderoni me praninë tuaj sot këtu. Dua ta nis nga fillimi, nga përpjekja ime për ta botuar librin, për ta shtypur, e cila ishte përpjekja e parë që unë u ndesha me refuzim, për ta thënë shpejt, saktë dhe qartë. Disa botues nuk pranuan ta merrnin përsipër botimin e librit, sigurisht u shtrënguan kur erdhi puna për të artikuluar se cila është arsyeja, por arsyeja edhe nënkuptohej edhe kuptohej.
Në një mjedis, në një klimë frike, sepse libri lidhej direkt me personazhin kryesor, sepse duket sikur është Charles McGonigal personazhi kryesor, por në fakt edhe po të shikoni edhe kopertinën që del nga balli, nga balli i McGonigal-it del Rama siç del nga koka e Zeusit Athinaja në mitologjinë greke.
Kështu që libri po, është për McGonigal-in, por është po aq shumë edhe për Edi Ramën, sigurisht edhe për personazhe të tjerë, por të cilët kanë qenë aksesorë të Ramës për t’u futur në kuzhinën e McGonigal-it për të gatuar ato që Rama kryesisht donte.
Kështu që refuzimi erdhi, por dorëzimi jo. Unë vijova dhe përfundova tek logoja Politiko, pra si të them in-house, në shtëpi. Tani kur flet për klimën e frikës nuk mund të rri pa përmendur një ngjarje apo një lajm të cilat ekranet e televizioneve po e japin ndërkohë që ne flasim për librin e McGonigal-it, që është një konferencë shtypi e Elisa Spiropalit, e cila ka zbuluar pas 14 vjetësh se paska narkokraturë, paska autokraci, paska premisa diktature e me radhë.
Kjo nuk do të thotë që ajo nuk është e mirëseardhur në klubin e të zgjuarve dhe të atyre që lexojnë jo vetëm për t’i bërë fresk kryeministrit të tyre, por atyre që lexojnë edhe që me anë të leximeve të ndriçojnë jo vetëm veten por të ndriçojnë edhe të tjerët edhe botën. Kështu që ‘Ku ishe ti Elisa?’ do ishte pyetja e parë dhe ‘Mirë se erdhe’ do ishte mirëseardhja në klubin e të zgjuarve, jo në kuptimin e inteligjencës por të të zgjuarve si atyre që u ka dalë gjumi dhe e kanë kuptuar që paska një gjëmë në këtë vend.
Tani a është ky libër politik apo jo? Duket sikur është por unë këtë limbo pjesë e së cilës jam ose limbo që unë interpretoj, pra një njeri që është gazetar por s’është vetëm gazetar, një njeri që është në politikë por nuk është politikan, dhe për këtë unë jo i kompleksuar por i kthjelluar jam munduar që librin ta shkruaj si profesionist.
Dhe prandaj ju do të gjeni aty një bllok të bollshëm referencash për të thënë që këto nuk janë dëshirat e Alfred Lelës si autor dhe i lidhur me opozitën, me Partinë Demokratike, me Sali Berishën, por këto janë fakte të vërtetuara, të dokumentuara të kësaj ngjarjeje që ka ndodhur. Kështu që libri është politik, por nuk është politik si një mjet për të luftuar një kundërshtar, është politik si një mjet për të thënë ca të vërteta, për të zbardhur ca kënde ende të pazbardhura të të vërtetave.
Më pyesin njerëzit se çfarë ka të re këtu. Sigurisht kureshtja këto do, pra kush i ka thënë atij çfarë, çfarë skeme del, çfarë domethënë seks, para dhe lidhje të errëta. Të gjitha janë aty, nuk i kam vënë në kopertinë thjesht për të qenë tërheqës, por për mua nuk janë të rëndësishme episodet të cilat kënaqin një vojerizëm, pra një dëshirë për të ditur, për të shuar një kureshtje, por të rëndësishme për mua janë ngjarjet dhe vërtetësia dhe zbardhja e tyre. Dhe ajo që është e re për mua në këtë libër, sipas meje si autor, është libri shërben si një hartë. Libri është harta e gjërave të pista që kanë ndodhur.
Pra shpalos një hartë nëpër të cilën pastaj jo vetëm faktet që janë sjellë aty, por edhe ajo që ne si njerëz që shikojmë, që lexojmë, që ndajmë politikë vendosim pikat tona. Në fund, për t’u rikthyer pak edhe tek filmi që tha Luti. Unë shpresoj që ky libër, bëhet a s’bëhet film apo çfarëdo, të ketë shumë jetë dhe unë do mundohem që të ketë shumë jetë në kuptimin që jo çdo gjë që ka ndodhur me ngjarjen është në atë libër, jo çdo gjë e McGonigal, jo çdo gjë e Ramës, jo çdo gjë e Duçkës, e Nezës dhe personazheve të tjerë disi më periferikë.
Kështu që nga ky moment unë përfitoj edhe për të bërë një thirrje, ata që dinë dhe nuk kanë folur, ata që dinë dhe ndoshta mund të ndërrojnë mendje një ditë si Elisa dhe të duan të flasin, unë jam këtu gati të paktën për edicionin dy të librit ose për një libër të ri, të riformuluar, të ripërpunuar. Pse kështu? Sepse ka një shprehje për njerëzit po themi njerëzit e krijimit që merren me filmin apo me librin, që jeta në fakt ia kalon artit. Por janë ca gjëra që unë mendoj që i duhen lënë imagjinatës dhe rrjeti ose harta për të cilën unë fola pak më parë në këtë libër por që nuk është zbuluar me siguri e plotë, ka ca vende që e tejkalojnë imagjinatën dhe njerëzimi ose njeriu mendoj unë, humaniteti ky është, që me i vënë prag si është jeta, që jeta të mos ia kalojë imagjinatës. Pra ca gjëra që s’bëhen, ca gjëra të ndaluara si nga kodet si nga feja, sepse po shoh pastor Akilin këtu, të mos bëhen duke besuar edhe tek ajo që po nga librat e shenjtë e kam huazuar, liria është edhe tek kufizimet.
Duke ju falënderuar edhe një herë, nuk po përmend tre-katër emra të atyre që duhet të falënderoj se mund të harroj ndonjë. Duke ju falënderuar, duke ju ftuar që ta merrni librin dhe të më transmetoni vërejtjet, dhe vërejtjet më shumë sesa bravot. Ja jap fjalën tani me shumë mirënjohje dhe respekt profesor doktor Sali Berishës, i cili është një nga lexuesit e parë të librit. Faleminderit.
Gazeta RD