Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ftuar në emisionin ‘Çim Peka Live’ në Syri Tv deklaroi edhe njëherë se nuk e dëshiron nismën ‘Ballkani i Hapur’ që mbështetet nga Edi Rama dhe Presidenti serb Vuçiç. Kurti theksoi se Serbia kërkon të destabilizojë Ballkanin.
“Nuk besoj që PS është Partia e Punës, mirëpo sa i përket disa iniciativave rajonale ne nuk pajtohemi. Unë besoj se Serbia do të destabilizojë Ballkanin, që nuk është neutrale, por ka marrë anën e Kremlinit. Nuk mund të jesh neutral mes zjarrfikësit dhe zjarrit. Ata i kanë 14 aviona MIG29. 8 i kanë marrë nga Bjellorusia dhe 6 nga Rusia dhe këtu nuk ka dilema”, tha Kurti.
Më tej kryeministri i Kosovës tha se nisma e Ramës dhe Vuçiçit me ‘Ballkanin e Hapur’ do të dështojë sepse Ballkani nuk mund të hapet ndaj askujt tjetër, pasi është e hapur prej vitesh vetëm ndaj BE-së, SHBA-së dhe NATO-s.
“Nuk e di plotësisht nëse plani është ta zëmë, ky Ballkani i Hapur si ide. Unë nuk mendoj se do të ketë sukses. Edhe mendoj se është i gabueshëm. Ballkani i Hapur nënkupton një synim që nuk na qenka i hapur, por duhet ta hapim, por ndaj kujt? Ne jemi të hapur ndaj BE-së dhe SHBA-së, dhe NATO-s. Por të hapet Ballkani ashtu siç është hapur Serbia për Federatën Ruse dhe Kinën, unë mendoj se është gabim.”-deklaroi Kurti.
Ndër të tjera lidhur me këtë çështje, Kurti u shpreh se çdo gjë që nuk është e mirë për Kosovën, nuk është e mirë as për Shqipërinë.
“Çdo gjë që nuk është e mirë për Kosovën nuk është e mirë as për Shqipërinë, ç’ka nuk është e mirë për Shqipërinë nuk është e mirë as për Kosovën.
Ne jemi dy shtete por jemi një komb dhe duhet të rrisim bashkëpunimin dhe ndjeshmërinë për njëri-tjetrin. Në ‘Procesin e Berlinit’ udhëheq Gjermania, në ‘Ballkanin e Hapur’ udhëheq Serbia, unë besoj se procesi i Berlinit nën udhëheqjen e kancelarit Scholts është rruga e duhur drejt integrimit europian.
Nuk është shpejt por nuk ka rrugë më të mirë dhe mos harroni që Serbia dëshiron që faktorët perëndimorë të mos jenë në një vijë. Serbia dëshiron që as Gjermania të mos pajtohet me Francën dhe as Brukseli më Uashingtonin. Ndërkohë që interesi i shqiptarëve është raporti i mirë trans-atlantik, ne kemi interes sinkronizimin e dyfishtë, sinkronizimin Paris-Berlin dhe Bruksel-Uashington.
Serbia njësoj si Kremlini dëshiron që faktorët perëndimorë të jenë të përçarë. Është gabim që ne shqiptarët provojmë si Serbia të luajmë me dallimet mes faktorëve perëndimorë. Jo! Neve na intereson ajo çfarë është e përbashkët ndërmjet Berlinit-Brukseli-Parisit-Uashingtonit dhe Londrës.
E përbashkëta e tyre është perëndimi demokratik dhe ky është interesi i shqiptarëve në dallim nga Beogradi dhe Moska që dëshirojnë të luajnë në dallimet mes tyre për t’i rritur ato dhe për të rënë edhe Nato-ja edhe Bashkimi Europian”, tha Kurti.