Sekretari Marco Rubio uron shqiptarët për 114 vjetorin e Pavarësisë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka uruar Shqipërinë me rastin e 114-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.

Në një postim në rrjetet sociale, ambasada ka ndarë mesazhin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, i cili përcjell urimet në emër të Shteteve të Bashkuara për popullin shqiptar.

Në mesazhin e tij, Rubio vlerëson marrëdhëniet mes dy vendeve dhe thekson gjithashtu rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në çështjet e mbrojtjes luftën kundër grupeve kriminale, karteleve të trafikut të drogës dhe kërcënimeve kibernetike.

“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ju shpreh urimet e mia më të ngrohta popullit të Shqipërisë ndërsa festoni Ditën e Pavarësisë. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gëzojnë një marrëdhënie të fortë të ndërtuar mbi sigurinë kolektive, prosperitetin ekonomik dhe lidhjet midis njerëzve.

Ne mirëpresim bashkëpunimin e thelluar të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara në çështjet kyçe të mbrojtjes dhe politikës së jashtme. Partneriteti ynë strategjik me Shqipërinë i bën qytetarët tanë më të begatë dhe më të sigurt, duke përfshirë edhe përpjekjet e përbashkëta për t’u përballur me kërcënimet e paraqitura nga grupet kriminale transnacionale, kartelet e trafikut të drogës dhe ata që bashkëpunojnë me ta.

Ne gjithashtu vlerësojmë përpjekjet tona të përbashkëta për të adresuar kërcënimet kibernetike, ndërsa Shqipëria rrit aftësitë e saj të sigurisë kibernetike. Ndërsa shënojmë këtë ditë të veçantë, ne mezi presim të thellojmë të gjitha aspektet e marrëdhënies sonë të dobishme reciprokisht”, thuhet në mesazhin e Rubio-s.

About Redaksia

Check Also

Protesta/ Diaspora mbërrin në Shkodër: Kthehemi në atdhe për t’i dhënë fund tranzicionit!

Shqiptarët nga Diaspora kanë mbërritur në Shkodër në kuadër të protestës që do të zhvillohet …