Aleanca opozitë – shoqëri civile ose fuqia e shumicës të “parëndësishmëve”

Nga Ylli ASLLANI

Në një vend si i yni, me kaq shumë probleme, abuzime e korrupsion, veprimet e opozitës dhe shoqërisë civile po harmonizohen, edhe pse ata përfaqësojnë statuse të ndryshme politiko shoqëror.

Në historinë e sundimeve një partiake nuk është herë e parë që ndodh ky akord i dy kategorive shoqërore.

Në fakt qytetarët dhe opozita i afrojnë mes tyre një sërë vlerash shoqërore përtej politikës. Ata i bashkon antikonformizmi edhe reagimi ndaj fenomeneve të padëshirueshëm për vendin apo kombin, aq më tepër kur regjimi kërkon ti shtyp dhe eleminojë njëkohësisht. Sikurse u provua së fundi se “mënyra më e mirë për të kontrolluar opozitën është ta udhëheqësh atë…”

Tashmë për të dy palët (opozitë- sh civile) po bëhet e qartë se korrupsioni, papunësia, oligarkia, shembja e trashëgimisë, shpopullimi, dhuna në familje nuk luftohen vetëm me artikuj gazetash, konferenca apo postera. Duhet një platformë ndryshe, një kontratë dhe një aleancë e re qytetar – opozitë.

Qytetarët edhe pa opozitën po vetëorganizohen gjithnjë e më shumë duke provuar sfida të reja më efektive për të mirën e tyre.

Në frontin e betejave të mëparshme, si ajo e Teatrit Kombëtar etj, ata janë ndodhur përkrah opozitës, përballë mekanizmit të dhunës së pushtetit, e cila kërkon ti shpërbëjë në çdo veprim.

Me sa duket ka ardhur momenti, kur nevoja për të frenuar funksionimin e padrejtë të pushtetit kërkon që shoqëria civile të jetë më politike, sikurse opozita të shkojë më afër qytetarit dhe aktivistëve të tyre civilë.

Demokracia shqiptare do të ishte e mangët pa rolin dhe zërin e drejtpërdrejt të qytetarëve.

Zëri dhe aktiviteti qytetar i nje banori shprehet më

lehtë në shoqatat që kanë të njëjtin interes dhe të njëjtin status shoqëror.

Ky fakt i tërbon aktorët kryesorë që udhëheqin vendin, politikanët dhe qeverinë.

Ndaj ata janë hedhur në sulm të pandërprerë për ti mbyllur gojën, për ti përçarë e paralizuar, si dhe për ti shndruar ato në shtojca të tyre. Ose në pamundësi, të pasivizojnë aktivitetin e tyre qytetar.

Kështu në Shqipëri, në një vend me popullsi mbi 3 milionë banorë, sipas të dhënave zyrtare janë të regjistruara mbi 2300 organizata jofitimprurëse.

Shumë prej tyre ja kanë dalë të evidentojnë kauzat e tyre. Vetëm disa kanë arritur ti fitojnë përkohësisht. Ndërsa shumë të tjera janë paralizuar nga morsa e pushtetit.

Koha ka treguar se, të veçuara protestat e reagimet nga shoqatat, aktivistët, të rinjtë, gratë, fermerët, pensionistët për problemet shqetësuese aktuale janë shtypur me dhunë.

Po ashtu veprimet dhe betejat e opozitës kanë ngelur të zbehta pa pjesëmarrjen e qytetarëve të thjeshtë.

Demokracia, drejtësia sociale dhe liritë njerëzore kanë nevojë për shoqërinë civile.

Sepse sikurse dihet “pa shoqërinë civile demokracia mbetet lëvozhgë e zbrazët; pa shoqëri civile tregu shndërrohet në xhungël”.

7 korriku do të jetë një provë e përbashkët për të ndalur kontrollin total të shtetit nga paranoja e një individi! Për ti thënë jo paaftësisë qeverisëse, korrupsionit masiv dhe abuzimeve!

Do të jetë edhe një mundësi për të treguar fuqinë sfiduese të një aleance të bashkuar, jo të dhunshme kundrejt një grupi që sundon me egërsi në emër të qytetarëve, kundër interesave të tyre!

Mos harrojmë se, forca e njerëzve të ‘parëndësishëm’ bazohet në kauzën dhe shumicën e tyre.

About Redaksia

Check Also

Llogari dhe transparencë për çdo investim dhe sjellje politike

Nga Ted KOPLIKU Lajmi i Kryetarit të Bashkisë se sot miratohen miliona euro për Shkodrën …

Leave a Reply