Llogari dhe transparencë për çdo investim dhe sjellje politike

Nga Ted KOPLIKU

Lajmi i Kryetarit të Bashkisë se sot miratohen miliona euro për Shkodrën është një lajm i mirë për qytetin. Ai ka të drejtën e tij ta lajmërojë i pari dhe ta kapitalizojë politikisht, duke luajtur rolin e Ardit Gjebresë kur sheh zarfin para se të hapet, për të parë sesa “publiku” ka fituar. Kur Shkodra është mirë, të gjithë jemi mirë.

Ajo që ne duhet të kërkojmë (si qytetarë europianë që pretendojmë se jemi apo duam të bëhemi) është llogari dhe transparencë për çdo investim dhe sjellje politike.

Marrëdhënia mes politikanit dhe qytetarit duhet të jetë institucionale dhe zhvillimi i një vendi nuk duhet të varet nga marrëdhëniet personale të asnjë Kryetari Bashkie me Kryeministrin e radhës, por vetëm nga nevojat e vendit dhe kërkesa e llogarisë ndaj atyre që drejtojnë e përfaqësojnë.

Krenaria e Kryetarit të Bashkisë duhet të jetë më modeste, sepse milionat e eurove janë penguar arbitrarisht për një dekadë në Shkodër, e kjo kohë nuk fitohet më. Ky persekutim politik i qytetit ka shkaktuar largimin e mijëra të rinjve dhe do të duhen vite për ta shëruar si plagë. Ndoshta as dekadat nuk do mjaftojnë për ta zhbërë plotësisht.

Nga ana tjetër, të gjitha këto projekte nuk duhet të kenë fatin e projekteve të tjera 3D, që mbetën 3D thuajse në përfundim të mandatit të z. Beci. Këto fonde dhe projekte nuk duhet të kenë fatin e punimeve jo cilësore dhe jo transparente të atyre që kanë shkelur çdo afat gjatë këtyre tre viteve.

Duhet të dalim si shoqëri nga personalizimi i institucioneve dhe të mbështesim politikanë e politika që e bëjnë përfaqësuesin vetëm mbajtës premtimesh dhe dhënës llogarie. Të vlerësojmë politikanë që ndërtojnë sisteme ku vetë ata bëhen të panevojshëm që qytetari të marrë atë që i takon.

Feudalizmi politik duhet të përbuzet nga një shoqëri që pretendon të jetë e zhvilluar dhe që Mesjetën ia ka lënë historisë.

About Redaksia

Check Also

Gjithnjë duke ia mbathur, gjithnjë në arrati…

Nga Iva V.GRILLO Sa herë është kohë “sihariqesh” apo mosmarrëveshjesh të mëdha, kryeministri i Shqipërisë …