Nga Kastriot ISLAMI
Mafia shqiptare vepron fuqimisht në Shqipëri, por edhe në vendet fqinjë e perëndimore. Në Shqipëri mund të flitet, madje ky veprim agresiv i mafias shnqiptare në vendet e tjera, deklarojnë organet ligj-zbatuese të vendeve perëndimore vjen kryesisht nga lidhjet e ngushta e bashkëpunimi i mafias shqiptare me qeverinë aktuale dhe pa dyshim me kryeministrin e vendit dhe disa nga anëtarët e tjerë të kupolës qeverisëse të sektit rilindas.
Këtë gjë e kanë thënë me shumë forcë e pa frikë, direkt apo indirekt, jo vetëm ekspertët e huaj, por edhe shumë ekspertë shqiptarë si dhe anëtarë të rëndësishëm të opozitës. Por duket kjo nuk ka mjaftuar për të sensibilizuar më shumë jo vetëm shqiptarët por sidomos drejtuesit politikë të vendeve perëndimorë.
Ajo që e ka bërë më të besueshme këtë dukuri për “veshin e mendjen” e shqiptarëve janë disa raporte të ndërkombëtarëve dhe veçanërisht disa deklarata të “forta” të “prokurorëve/gjyqtarëve” të vendeve të ndryshme perëndimore, fqinje direkte apo jo, por anëtare të BE, në përballje me mafian shqiptare në vendet e tyre.
Shumë drejtues të institucioneve europiane ligjzbatuese kanë ngritur shqetësimin se “veprimet e mafias shqiptare të mbështetura qartas nga qeveria shqiptare po kompromentojnë jo vetëm të ardhmen e Shqipërisë por edhe të vendeve të tyre ku tani kontrollojnë ekonominë e përgatiten të kontrollojnë edhe politikën.” Ky përfundim mu duk i rëndë kur e dëgjova në një TV si deklaratë të një “prokurori/gjykatësi” të një vendi europian.
Por lidhja/mbështetja e mafias shqiptare nga qeveria Rama s’është deklaruar ende nga drejtuesit politikë të vendeve të BE, apo të institucioneve të BE, pavarësisht se “gjykatës/prokurorë “ të vendeve anëtare të BE e kanë artikuluar këtë fakt me shqetësim të madh. Madje këta “gjykatës/prokurorë” fajësojnë shqiptarët që s’arrijnë të “heqin qafë” këtë mafie të rrezikshme, ndërkohë që ata jo vetëm deklarohen të paaftë për të goditur mafian e rrezikshme shqiptare që po bën kërdinë në vendet e tyre, por s’arrijnë të bindin as lidershipin e tyre politik të artikulojë “tezat” e tyre për t’i dhënë mundësi shqiptarëve të godasin politikisht qeverinë e tyre…
Shqiptarët vetëm s’munden të “heqin qafë” këtë lloj mafie që ka mbështetjen e qeverisë Rama, që ka marrë dimension “ndërkombëtar” duke u forcuar në mjete financiare dhe veprime/akte të rrezikshme për organet e perëndimore ligjzbatuese. Me sa duket thirrjet e “gjyqtarëve/prokurorëve” perëndimorë s’do të mundet dot të angazhojnë shqiptarët e thjeshtë në betejën me mafian vendase që është e lidhur fuqimisht me qeverinë e saj dhe është bërë mafia e fuqishme ndërkombëtare, duke i detyruar shqiptarët të gjejnë rrugën e emigrimit…
Shqiptarët janë ende në dilemë, nga njëra anë, mafia e mbështetur nga qeveria e tyre, ja ka nxirë të tashmen e të ardhmen duke i detyruar të emigrojnë, kurse nga ana tjetër dëgjojnë “prokurorë/gjykatës” të vendeve të BE që ngrenë me zë të lartë shqetësimin e nevojën e veprimit të shqiptarëve kundër mafias për të mbrojtur të ardhmen e Shqipërisë e të vendeve të tyre, duke u përballuar ndërkohë me heshtjen e disa drejtuesve politikë të vendeve partnere e të BE për lidhjet e mafias shqiptare me qeverinë shqiptare, madje në ndonjë rast edhe mbështetjen e “sofistikuar” të saj në vend që të stigmatizohen rreziqet që i vijnë Shqipërisë nga kjo lidhje e fuqishme, siç është rasti i fundit “i ndreqjes së imazhit” të qeverisë mafioze nga një ish-drejtues i lartë i një vendi të rëndësishëm të BE.
Gjendja është shumë e rëndë sepse e ardhmja e vendit është e rrezikuar. Imagjinoj se çfarë ndodh: Nga një anë “gjyqtarë/prokurorë” të një partneri europian deklarojnë se “mafia shqiptarë” është kthyer në rrezik për të ardhmen e vendit të tyre, sepse mbështetet nga qeveria shqiptare dhe nga ana tjetër një ish-drejtues shumë i lartë i një vendi perëndimor merr përsipër të “ndreqë imazhin” e kësaj qeverie që mbështet mafian, ndërkohë që kjo e fundit rrezikon të ardhmen e një vendi tjetër europian???!!
Shqipëria, është në rrezik nga kjo lidhje e ngushtë mafia-qeveri, duke u shndërruar ndërkohë në “delen e zezë” e Europës dhe më gjerë. Duket se ky rrezik është rritur ndjeshëm edhe ndaj të ardhmes së disa vendeve europiane ku deklarohet se “mafia shqiptare” për shkak të mbështetjes nga qeveria e vendit të tyre është bërë dominante duke kontrolluar jetën ekonomike e përgatitur të kontrollojë edhe jetën politike. Do të ishte jorealiste që këtë rrezik për të ardhmen e Shqipërisë e të vendeve perëndimore ta përballonin të vetëm shqiptarët, që janë të gatshëm të sakrifikohen qoftë edhe me jetën e tyre, por të paktën drejtuesit e vendeve perëndimore të dalin haptas dhe “kritikojnë qartas e me forcë” lidhjen/bashkëpunimin e mafias me qeverinë shqiptare për të mundësuar kështu çmontimin e goditjen e tyre.