Brenda një muaji 94 minorenë shqiptarë e 65 kosovarë kanë emigruar ilegalisht në Itali e kanë kërkuar strehim.
Lombardia, Emilia Romagna, Friuli Venezia Giulia, Lazio janë disa nga rajonet italiane ku ditë pas dite regjistrohen të rinj shqiptarë minorenë nën moshën 18 vjeç që mbërrijnë në Itali pa prindër e kërkojnë të strehohen duke deklaruar shpesh realitetet gënjeshtër por të gjitha me një të vërtetë të përbashkët; kërkojnë të punojnë për të ndihmuar ekonomikisht familjet e tyre në Shqipëri, të shkollohen e të realizojnë një jetë të re në Itali.
Numri i minorenëve shqiptarë të pashoqëruar në Itali, rritet muaj pas muaji duke ja kapërcyer atyre që mbërrijnë nga vende lufte si Afganistani, Paksitani, nga vende konfliktesh të armatosura si Guinea, Somalia, Eritrea, Somalia, Mali etj.
Në të dhënat e fundit të publikuara nga Ministria italiane e Politikave Sociale, nga 1 korriku deri më 31 korrik 2022 në Itali kanë kërkuar strehim 94 minorenë shqiptarë pa prindër e mbi 40 % më shumë se sa muaji qershor ku numri i tyre ishte 66.
E deri më 31 korrik 2022 në qendrat italiane për emigrantë minorenë rezultojnë të regjistruar 1327 shqiptarë pa prindër e 301 kosovarë.
Një muaj më parë (qershor) numri i tyre ishte 1302 e në maj 1295.
Në renditjen e fundit të bërë sipas kombësive raporti i Ministrisë italiane dokumenton se minorenët shqiptarë renditen pas atyre që mbërrijnë nga Ukraina, Egjipti e Tunizia e lënë pas ata që emigrojnë nga Bangladeshi, Pakistani, Afganistani.
41 prej të rinjve shqiptarë të pashoqëruar janë femra.
Javët e fundit shtojnë preokupimin e këtyre shifrave pasi kronika e mediave lokale italiane ka përcjellë disa raste të minorenëve shqiptarë të gjetur të braktisur në afërsi të një postblloku autostrade o në hyrje të një qyteti të madh apo pranë komisariateve të policisë.
Në shumicën e rasteve nuk njohin gjuhën italiane e kanë nevojë për një asistencë sociale ku rrëfejnë se në Shqipëri jetonin në kushtet ekonomike të një varfërie ekstreme.
Shumica e tyre janë në moshën 16-17 vjeçare e dhe pse deklarojnë se kanë mbërritur të vetëm në Itali, shumë herë është dokumentuar se një familjar apo vetë prindërit i shoqërojnë për t’i braktisur më pas me shpresën se do t’i takojnë shpejt.
Ky gjest ekstrem i fëmijës e i prindërve bëhet nga nevoja për një të ardhme më të mirë.