Ish ministri i Ramës, Lleshaj: Të verifikohen akuzat për pastrim parash me Portin e Durrësit

Z.Lleshaj, së fundmi politika është përfshirë nga debati për ndërtim e portit turistik të Durrësit nga kompania “Emaar”. Si e konsideroni projektin e këtij porti, projekt strategjik apo një skemë për pastrimin e parave!?

Kur flasim për pozitë gjeostrategjike të Shqipërisë, flasim në fakt për aksesin maritim të saj, flasim konkretisht për portet e saj, ku Durrësi është kryesori, edhe pse ende krejt i vogël për të qenë strategjik. Që metafora e Shqipërisë si Porta e Ballkanit të bëhet realitet, ajo ka nevojë të ndërtojë një PORTË reale, një ose disa porte të mirëfilltë. Kjo gjë madje është sanksionuar edhe në Politikën e Sigurisë Kombëtare të Shqipërisë, që është miratuar në Kuvendin e saj.

Është prioritet strategjik kombëtar i dorës së parë ndërtimi i një kapaciteti të rëndësishëm portual dhe i një korridori përkatës që e lidh këtë port me “hinterlandin” juglindor të Europës. Janë disa shtete shumë afër me ne, që mund të lidhen me hapësirën jetike të shkëmbimeve detare përmes Shqipërisë. Ky është një ndër kapitalet më të rëndësishëm që Shqipëria ka potencialisht në dorë për ta zhvilluar. Theksoj se prioriteti madhor duhet të jetë porti i madh, i cili ka kapacitetin ta transformojë rrënjësisht Shqipërinë.

Unë jam krejt i bindur se këtu duhet të përqendrohet energjia kryesore. Sa i përket portit turistik, ose portit të vogël, unë mendoj se ai është i nevojshëm, por shumë i vogël për të marrë një domethënie strategjike. Sigurisht që vendimi për ta ndërtuar atë në Durrës është krejt logjik, ndërkohë që PORTI i MADH i Shqipërisë duhet të paraprijë në të gjitha aspektet. Kam një shënim të vogël anësor lidhur me simbolikën e projektit të vogël. Ata që njohin disi kohën e artë të antikitetit greko-romak, e dinë se Durrësi gjendet në të gjitha hartat e vjetra të kontinentit, në të cilat mungojnë shumë prej qyteteve të mëdha të vetë Europës së sotme.

Durrësi ka aq shumë rrezatim historik kulturor dhe historik sa që jo vetëm i mjafton, por edhe i tepron. Në këtë kuptim, ai nuk ka nevojë të jetë një “Dubai me Mesdheut”, por vetëm Durrësi. Durrësi, që edhe pse ende nën dhe, e ka hirin e një qyteti të përjetshëm. Sa u përket aludimeve për krimin e lidhur me këtë projekt, mendoj se ato duhet të verifikohen nga organet që kanë kompetencë ligjore dhe profesionale. Ndërkohë që për publikun vlen thirrja për të analizuar edhe autorët e tyre, që në shumë raste kanë spikatur si intoksikues të rrezikshëm publikë.

About Redaksia

Check Also

Gazetari italian: Pjesa e dytë e emisionit nuk është anuluar, do të publikohet në kohën e duhur

Gazetari italian, Giorgio Mottola thotë se pjesa e dytë e emisionit “Report” në RAI 3 …

Leave a Reply