Është një ndër njerëzit më të përfolur për momentin, që kur dosja e FBI-së për Edi Ramën është bërë publike në Nju Jork, pas arrestimit të ish-zyrtarit të Byrosë Federale, Charles McGonigal
Bëhet fjalë për Agron Nezajn, personi i cili sipas hetimit të FBI-së i ka dhënë McGonigal 80 mijë dollarë në parkingun e një restoranti në Nju Jork, si dhe e ka shoqëruar ish-zyrtarin e FBI-së në vizitat e tij në Tiranë.
Agron Nezaj është personi që shikoni në foto të rrethuar me të kuqe, pamje e marrë gjatë një ceremonie dekorimi në Tiranë. Për Agron Nezaj, foli sot edhe kreu i PD-së, Sali Berisha gjatë konferencës së tij për mediat.
“Në vorbullën e stuhisë së krijuar nga McGonigal, gjendet sipas të gjithë medieve të botës, kryeministri shqiptar, Edi Rama. Dhe, dy lejtnantë kryesorë të Edi Ramës, ish-zyrtari i lartë i qeverisë së tij, aktualisht paraqitet si këshilltar, një supermafioz me lidhje ndër më të dyshimtat, që quhet Dorian Duçka. Dhe i dyti, bashkëpunëtor i ngushtë i Edi Ramës, ish-oficer i policisë sekret hoxhiste, Agron Neza.
Disa muaj më parë, juria e madhe, e San Françiskos, urdhëron, pasi njihet me dosjen McGonigal, që të hetohet dhe konfiskohet çdo regjistrim material, çdo dokument, çdo komunikim personal, përfshi këtu, por jo i kufizuar, tekstet e mesazheve të celularëve, mesazhet elektronike me email, mesazhet e fshehta, e kriptuara, mesazhet zanore, letrat, shënimet, midis Charles McGonigal dhe personave të poshtëshënuar:
Qeverisë së Shqipërisë ose çdo personi të lidhur me qeverinë e Shqipërisë, përfshi, por jo vetëm, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Ka porosi për qeveri të tjera ballkanike, por njeriu i vetëm që citohet me emër në këtë urdhër të jurisë së madhe, është Edi Rama. Të hetohen të gjitha takimet, takimet e skeduluara, midis Charles McGonigal dhe çdoi punonjësi të FBI, me përfaqësues të misionit të SHBA në OKB. Çdo udhëtim i kryer nga Charles McGonigal në Shqipëri. Të hetohet çdo pagesë dhuratë, që i është dhënë atij nga Agron Neza, që paraqitej si këshilltar për sigurinë i Edi Ramës, Dorian Duçka si këshilltar i plotfuqishëm i Edi Ramës, ose çdo person i lidhur me qeverinë e Shqipërisë. Ka edhe për qeveri të tjera të Ballkanit, por emrat janë vetëm për shqiptarët”, tha Berisha.