Hitleri dhe Stalini, Praga dhe Sheshi Tien An Men. Pse pancerët vazhdojnë të jenë përcaktues edhe në Ukrainë
U përdorën për herë të parë nga fundi i Luftës së Madhe. U shërbenin Aleatëve për të zhbllokuar ngërçin e luftës së llogoreve. Fillimisht qe një katastrofë. Shkatërroheshin nga artilieria gjermane, duke i transformuar në kurthe vdekjeprurëse, arkivolë hekuri të ndezur për ekuipazhet e tyre. Propaganda e luftës gjermane e përçmonte tankun. I kundërvinte kurajon njerëzore. Një ilustrim i Ernst Schilling në kopertinën e së përjavshmes satirike “Simplicissimus” të 17 shtatorit 1918 tregon një tank anglez të përballuar dhe të shkatërruar nga një ushtar i vetëm që lëshonte granata. “Janë zemrat, jo makinat ato që vendosin rezultatin”, thotë didaskalia. Në realitet ajo që vendosi qe fuqia ekonomike, logjistika, aftësia për t’i prodhuar në masë, për t’i furnizuar. Kur arritën në front me mijëra, bënë diferencën. Tanket ruse vallëzuese në dëborë një vit më parë dukeshin të pathyeshëm. Pastaj i kami parë si zhguallet e breshkës apo të trilobitit parahistorik, të shënjestruara në fushë si gjuajtja e pëllumbit, të ndjekur njëri pas tjetrit në kolona dhjetëra kilometrash të gjata. Siç e kemi lexuar, e kishin një thembër Akili. Për të kursyer hapësirë dhe mundësuar karikimin mekanik të topit, predhat qenë vendosur në rreth përreth topçinjve. Nëse një predhë arrin t’i penetrojë, këta të fundit nuk kanë shpëtim, minicionet e ndodhura rreth tyre shpërthejnë me zhurmë, kulla e tankut kërcen si mbulesa e një tenxhereje me presion, ata bëhen pluhur. Mbetet vetëm skeleti pakokë i tankut. Janë disa dekada që thuhet se tanket janë të prapambetur. Për ta mundur dragoin e çeliktë mjafton një njeri i vetëm me një bazukë, një Javelin mbi shpatull apo me një shishe molotov. Kështu e do legjenda.
Janë shumë konfliktet edhe të fundit ku tanket kanë ngecur dhe megjithatë edhe avionë e helikopterë, që në letër janë arma më e mirë antitank. Në realitet nuk është tamam kështu. Është e vërtetë se mund të mjaftojë një dron për ta asgjësuar një makinë shumëmilion euroshe apo dollarëshe (4 e më tepër për Leopard 2 gjermanë, 6 e më tepër për Abrams amerikanë, një shumë e së njëjtës madhësi për i T-90 rusë, që gjeneralët e Putinit janë ruajtur mirë deri më tani nga harxhimi në Ukrainë, duke preferuar përdorin si mish për top që i kushton pak apo aspak)., por ka situata ku qëmvendosin betejën janë dinosaurët e vjetër. Është historia e vjetër e shpatës dhe e mburojës. E bërë e parëndësishme mburoja nga shpata gjithnjë e më të mprehëta, shpiken mburoja më efikase apo, anasjelltas, shpata më të fuqishme. Ndodh për raketat dhe për mburojat fantashkencore yjore, saktësisht si për tanket. Duhet të ketë edhe një arësye nëse Zelensky kërkonte me aq ngulm që t’i dërgoheshin tanke të rënda dhe Moska kërcënonte raprezalje prej fundi bote nëse perëndimorët i dërgonin. Konflikti në Ukrainë është transformuar tashmë në luftë pozicioni, si një shekull më parë kishte ngecur me vite nëpër llogore Lufta e Parë Botërore. Është e qartë se nuk do të ketë armëpushim nëse palën nuk do të futen të kenë arritur në kamp një pozicion nga ku të negociohet më mirë. Përgatiten për përleshjen e madhe në pranverë dhe për ta kthyer nga luftë llogoresh në një luftë lëvizëse në stepat e pambarimta përdorin tanke. Jo më kot aty janë luftuar betejat më të mëdha të tankeve të historisë, me mijëra mjete të korracuara nga njëra anë dhe nga tjetra. Pancerët e Hitlerit qenë teknikisht superiorë, por Stalini prodhonte më shumë dhe mund t’i furnizonte më mirë, falë edhe ndihmave amerikane dhe inteligjencës angleze. Edhe atëhere Aleatët hezitonin të furnizonin pajisje të avancuara. Janë dëgjuar kërkimfalje.
Gjermanët thpshin se Leopardët u shërbenin atyre, pasi që furnizimi i vinte në rrezikun e raprezaljeve, se ishte shumë e komplikuar t’i përdorje dhe, së fundi, dujet të bënin hesapet me opinionin publik të tyre. Kishin frikë – dhe jo krejtësisht gabim – se mos liheshin vetëm, siç kishte ndodhur për gazin. Në realitet më pas është kuptuar se problemi i vërtetë i kancelarit Scholz qenë objeksionet pacifiste që vinin nga koalicioni, bile nga brenda Partisë Socialdemokrate të tij. “Është një makinë shumë e komplikuar. Nuk mund t’u japim ukrainase sisteme që nuk do të jenë në gjendje t’i riparojnë, mirëmbajnë dhe, në perspektivë, nuk do t’u shërbenin”. Edhe në Uashington problemi për Biden qenë objeksionet e Pentagonit dhe ekuilibrat e brendshëm politikë. Situata është zhbllokuar kur Uashingtoni është vendosur për t’i dhënë Abrams e tij. Nuk do të jenë nga 30 prej këtyre mjeteve që do ta zgjidhin situatën në front, por parimi që Gjermania dhe Europa nuk ekspozohen vetë, secila për hesapin e tij, ndoshta po.
Tanku ka qenë gjithmonë simbol, një mikrokozmos i përqëndruar i frikërave dhe i kontradiktave të gjendjes njerëzore dhe bile i politikës ndërkombëtare. Më kanë mbetur në sytë e mendjes skena të filmave bardhezi të para si fëmijë. Nuk do ta dija për momentin nëse është tek Asgjë e re nga fronti i perëndimit, i nxjerrë nga romani i Erich Maria Remarque. I pari, i paarritshëm, i rusit të natyralizuar amerikan Lewis Milestone, i përket vitit 1930. Ai më popullori është i vitit 1979. Një remake i fundit i gjermanit Edward Berger është i vitit 2022. Kujtoj një skenë ku tanku kalon sipër llogores, duket sikur të shtyp. Pastaj në internet kam zbuluar se të fshihesh në një vrimë, për ta sulmuar tankun nga ana më e dobët, nga pas, është ende pjesë e stërvitjes. Në një skenë tjetër, një ushtar plagos një bashkëluftëtarin e tij duke e qëlluar me një predhë antitank. Ulërima dërrmuese kthehej në ankthet e mia. Tanket në fushën e klaustrofobisë bëjnë garë me nëndetëset dhe kalojnë me goxha diferencë. Film tjetër kryevepër: Sahara i vitit 1943, ku është Humphrey Bogart që bën tankistin në Afrikën Veriore. Një xhevahir absolut filmi izraelian Lebanon i vitit 2009, i Samuel Maoz, i xhiruar sikur të ndodhej në hapësirën e vogël të një Merkava. Është bota, një luftë e tërë, bile i gjithë konflikti midis Izraelit dhe arabëve, më mizorë midis tyre sesa me armikun izraelian, parë jo nga një dritare, por nga shënjestra e një tanku.
Paksa më i amerikanizuar është i mëpasmi Fury i David Ayer, i vitit 2014. Plot me heroizma western, gjak allaQuentin Tarantino, skena mizore nga piktura të Bosch apo Bruegel, gjermanë të varur nga SS nga shtyllat e dritës me në qafë kartelën “kanë refuzuar për të punuar për Führer”, trupa të tjerë të copëtuar, të grirë si kukullat nga rripat. Protagonist Brad Pitt, komandant i ashpër i një batalioni tankesh amerikane Sherman i zënë me Tiger gjermanë. Urdhërat e gjeneralit Patton parashikonin se duhej të kishte të paktën 3 Sherman që kapnin 1 Tiger. Mekanika gjermane ka ende primatin e ekselencës. Dikur qenë këngëtarët e makinës së mrekullueshme, e “kanonierës automobil”, e “sintezës së vyer midis njeriut të luftës dhe krijesave mekanike të tij”. Qe një epokë ku mendjet më krijuese të Italisë dhe të Europës qenë në dëshëprim përpara mitit të makinave dhe, me shpejtësinë e tyre të pabesueshme, qenë në gjendje të asgjësonin kalorësinë e vjetër demode. Ka që thotë se pikërisht tanket dhe gjithësesi, nga agresiviteti i fabrikës, kubizmi do të nxirrte anët e skuadruara, këndet metalike, majat e mprehëta. Filippo Tommaso Marinetti shkrihej përballë idesë të “luftës si higjenë e botës”, ashtu si vite më vonë Ernst Jünger do të gëzonte në “furtunat e çelikta”.
“Gjysmë dinosaur, gjysmë inxhinier”: kështu shkrimtari i madh gjerman luftëtar në Luftën e Parë Botërore do të përcaktohej në një libër të tij rinor nga filozofi Günther Anders, më pas humanist dhe pacifist. Njeriu është vjetëruar, ku Anders denoncon “turpin prometeik” të njerëzimit përballë makinave, përkrah Kapitalit të Marx, ka qenë një prej leximeve që më kanë formuar në gjimnaz. Në atë moshë përthithja me uri vërtet gjithçka, por edhe i pangopur siç isha, e gjeja të vështirë Lirinë komuniste të Galvano della Volpe. Vetëm kohët e fundit kam kuptuar se filozofi marksist qe ishte kaq në modë midis bashkëkohësve të mi të së majtës ekstreme, si i ri isha magjepsur nga fuqia e pancerëve gjermanë që patën pushtuar Francën, në pikën sa të botonte në korrikun e 1940 në Primatin e Bottai (ministri fashist i Arësimit Kombëtar) një ese mbi “Estetikën e tankut”. Kurse unë, e rrëfej, nuk jam dashuruar kurrë pas tankeve. Po, si fëmijë luaja me modelet. Do ta kisha pësuar edhe unë sharmin e atij topi në ereksion të përhershëm mbi kullën e lëvizshme, por jo edhe aq shumë. Tanket e mi të para së vërteti qenë ato që pashë nëpër rrugët e Stambollit në shtatorin e 1955. Ishte shpallur ligji i gjendjes së jashtëzakonshme në vijim tëtrazirave kundër grekërve dhe të “huajve” më në përgjithësi. Teorikisht do të duhej të mbroheshin kundër anarkistëve, që të nxitur dhe të manovruar nga një qeveri në vështirësi, kishin vrarë dhe shkatërruar. Kësaj radhe nuk e kishin specifikisht me hebrenjtë, por emri nën markën e negociatëssë vernikëvetë tim eti pranë Urës së Gallatës nuk ishte tamam turk. Vernikët me anilinë janë shpërthyes. Ishte djegur gjithçka. Im atë kishte shitur pak që i mbetej, pak muaj më pas u imbarkuam direkt në Itali (bile, në Europë) ku, mendonte im atë, “këto gjëra nuk ndodhin më”. Ka vdekur pak përparase mund të kuptonte që ndodhnin, e çke me të.
Në Turqi duhej të kryeja shërbimin ushtarak. Nuk kisha ndërmend aspak. E shtyva gjatë gjithë kohëzgjatjes së studimeve universitare. Ndërkohë tanket qenë kthyer nëpër rrugët e Stambollit nuk e di sesa herë. Me ndihmën e librave të historisë kam numëruar 6 grushte shteti deri më sot. Tani flitet për një të shtatë për ta dyllosur në pushtet Erdoganin. Tanket u shpërndanë nëpër rrugët e Stambollit dhe Ankarasë në vitin 1960 kundër politikanëve të “korruptuar”. Më pas akoma në 1971 kundër një qeverie të qendrës së djathtë, që nuk arrinte të kontrollonte ekstremizmat e kundërt të ’68 turke. Në Stamboll po qëllohej nga kortezhet dhe kundër kortezheve. Grushti i shtetit i 1980 qe më i përgjakshmi: 50 të vrarë, gjysmë milioni të arrestuar, qindra të vdekur nëpër burgje. Unë isha hebre, për më tepër komunist, nuk flisja më turqisht, mendoja prej kohësh vetëm në italisht. Më besoni nëse ju them se solidarizohem me të rinjtë rusë që ia mbathin për të mos shkuar të qëllojnë dhe vrasin në Ukrainë. Kishte një diçka të veçantë: nuk kisha të drejtë për shtetësinë italiane, bile as të bëja kërkesën nëse më parë nuk shërbeja si ushtar në Turqi. Nuk flitej akoma për ius soli, aq më pak për ius scholae.
Për tanket fliste kënga që kishin improvizuar në vitin 1968 shokët e seksionit universitar të PKI në Shtetërorin e Milanos. Në arien e Quel mazzolin di fiori, këndohej: “Ai flamur i kuq mbi tank / oh sa dhimbje na ka dhënë”. Fjalët i kishte sajuar Gaspara Pajetta, njëra prej vajzave të Gian Carlo. Fliste për pushtimin sovjetik të Çekosllovakisë. “Pakënaqësia” është t’i shikosh këto tanke që patën përzënë Hitlerin dhe çliruar Berlinin të shtypnin një tentativë “socializmi me fytyrë njeriu”. Hidhërimi është se nuk është protestuar – dikush në të vërtetë e bëri dhe u largua me dhimbje nga partia – qysh kur, pak më shumë se një dekadë më parë, rusët patën pushtuar Hungarinë. Kënga nuk pati shumë sukses. Ata të Lëvizjes Studentore të Shtetërorit na përbuznin si tradhëtarë të revolucionit ne të PKI. Preferonin të himnizonin, me hap marshimi në shërbimin e tyre të rendit të militarizuar, me “Batalionet e Stalinit”. Një pakicë shumë e majtë, që militonte midis socialistëve, u bë e njohur si “tankistët”: miratonin tanket sovjetike pa nëse apo sikur. Disa janë rreshtuar djathtas. Kishte luftëra, si ajo e 6 Ditëve, midis Izraelit dhe të gjithë botës arabe, ku kishin një rol të dorës së parë mjetet e korracuara. Por në vitet ’60 dhe ‘70, për gjeneratën time, tanku ka qenë simboli i grushtit të shtetit, i dhunës së armatpsur kundër qeverive ligjërisht të zgjedhura dhe civilëve. Kujtoj tankun e armatosur në kopertinën e një libërthi me titullin Coup d’Etat: A Practical Handbook, një manual praktik i grushtit të shtetit. Autori ishte një i ri dhe studiues i shkëlqyer i atëhershëm, Edward Luttwak.
Pastaj në 1989 tanket bënë masakër në Pekin. Nuk u kufizua për të dislokuar në funksion frikësues. U përdorën për të shtypur studentët që pushtonin sheshin duke kërkuar demokraci. Kujtoj një koleg, për më tepër simpatik, që bëhej katërsh për ta justifikuar zgjedhjen e Ten Hsiao Pinit. Nuk kishte asgjë për t’u mrekulluar. Përpara Pekinit kishte bërë korrespondentin nga Madridi i Franco, nga Uashingtoni i John Kennedy, nga Moska e Brezhnjevit. Nuk kishte sesi të mungonte që ishte bërë katërsh për ta falenderuar atë moment në pushtet. Ka bërë shkollë. Njeriu i vetëm përballë tankut në Sheshin Tien An Men u bë simboli i kurajos dhe i rezistencës. E panë shumë nga ballkontet e Beijing Fandian, hotelit me pamje anësore mbi sheshin ku strehoheshin gazetarët. Në shkrepjet e Stuart Franklin për Magnum shikohet një njeri i dobët dhe shkurtabiq, me këmishë të bardhë, me një çantë ushqimesh prej atyre shumë të përhapura në atë kohë në Kinë, të ndalonte një kolonë të tërë tankesh duke i dalë përpara. Tankut të parë i ngec motori, kërcënon ta shtypë, provon ta kalojë djathtas, pastaj majtas. Ai i ngurosur, kërcen anas për ta penguar që të kalojë, vazhdon t’i bëjë shenjë me dorë që të ndalet, të kthehet prapa. Pastaj shikohet të hipë mbi tank, të fillojë diskutimin me shoferin e dalë nga kulla. Në fund shikohet që e largojnë. Nuk është mësuar kurrë emrin i tij, kush ishte, çfarë u thoshte tankistëve, as çfarë fundi ka pësuar.
(nga Il Foglio)
Përgatiti
ARMIN TIRANA