Nga Genc POLLO
Sipas një anekdote që qarkullonte para shtatë vitesh në Tiranë, kryeministri Rama i ishte përgjigjur një oligarku të shqetësuar me fjalët: “Çunat janë të mërzitur. Shih e qetësoji!”. Oligarkut i kishte trokitur në derë banditi Emiliano Shullazi me të vetët dhe i kishte kërkuar tre milion euro brenda javës. Shumë persona që e besojnë të vërtetë anekdotën divergjojnë vetëm për mënyrën si u pagua “gjoba 3 milionëshe”.
Në v. 2023 po mësojmë se një tjetër “çun” i kryeministrit ka zhvatur miliona euro prej oligarkëve në Shqipëri. Nuk është më një anekdotë e cila qarkullon si thashethem por është raportuar të hënën (13 shkurt) nga John Schindler, ish agjent i zbulimit amerikan dhe një nga analistët më në zë për çështjet e sigurisë (si dhe autor i preferuar i imi).
Gjatë periudhës që famëkeqi Charles McGonigal, agjenti special i FBI në detyrë u ftua, u sajdis e u pagua nga Edi Rama për të neutralizuar Lulzim Bashën dhe opozitën, e me gjasë për të nxitur përcaktimin me statusin ndalim-hyrje të Sali Berishës nga ana e Sekretarit të Shtetit të ShBA-ve, paskan ndodhur edhe zullume të tjera. Ato janë edhe më të paimagjinueshme e të tmerrshme për një amerikan të ndershëm e të ndërgjegjshëm. McGonigal paska kërcënuar oligarkë milionerë si Shefqet Kastrati e Samir Mane se do të futeshin në listën e zezë të ShBA-së; por nëse “do të kollisnin” disa miliona euro atëherë McGonigal do të ndërhynte e do t’i shpëtonte. Këtë zhvatje ky drejtor i FBI-së për shtetin New York-ut e paska aplikuar edhe me shqiptarë që janë shtetas malazezë e maqedonas.
Sipas optikës amerikane kemi të bëjmë me një rast të jashtëzakonshëm e paprecedent të shpërdorimit të detyrës; kryesisht në shtete mike e aleate (por bazuar në hetim nuk është rast spiunazhi në favor të Rusisë, megjithë marrëdhenien McGonigal-Deripaska). Sipas z. Schindler, FBI-ja do të ishte e interesuar që për të ruajtur reputacionin e saj të mos zbardhej skandali në të gjitha aspektet e tij (siç u tha mediavenjë ish koleg i McGonigal ideale do të ishte pranimi i fajit e një gjykim i shkurtuar pa nxjerë provat e akuzës në sallën e gjyqit). Në klimën politike të polarizuar në Washington DC, Demokratët shohin tek McGonigal një lojtar kundër fushatës presidenciale të Hillary Klintonit, kurse Republikanët, një konspirator që fabrikoi dosje se Donald Trump ishte në shërbim të Moskës. Dimensioni shqiptar është ende një majë ajsbergu që nuk përbën akoma një interes politik akut.
Por për demokracinë e shtetin ligjor në Shqipëri, hetimi e sqarimi i plotë i aferës McGonigal është me rëndësi jetike. Siç vëreja në shënimin tim të javës së shkuar (Karma, Donaldi, Edi e standardi) një komision hetimor parlamentar do të ndihmonte shumë; sidomos përmes trysnisë pozitive ndaj prokurorisë. Nukhabitemi që Rama po rreket që përmes mazhroancës së votave t’a bllokojë kërkesën e opozitës edhe pse ligjërisht ngritja e komisionit është detyrim. Me sa duket për këtë fjalën e fundit do e ketë Gjykata Kushtetuese mbas disa muajsh. Por më mirë vonë se kurrë. Dhe shpresoj se milionerët e zhvatur do të kenë kurajon të flasin; e mundësisht të rikuperojnë diçka nga milionat e humbura. Se edhe Shullazi nuk e mbante vetëm për vete plackën e marrë me ndihmë nga lart.
Pista më normale do të ishte hetimi penal. Por SPAK do të ndodhej para presionit të hapur e malinj për të shpetuar shefin e madh. E jo thjesht ministrin e financave të inceneratorëve që desh shpëtoi me ndërhyrje më të vogla. Edhe ndikimi i Ambasadës amerikane në SPAK nuk ka gjase të jetë i volitshëm, jo vetëm për arsyet e thëna më lart. Ambasadorja Juri Kim fatkeqësisht e ka diskredituar ofiqin e saj me ndërhyrjet e njëanshme politikisht, në dëm të demokracisë e në favor të korrupsionistëve në pushtet. Madje ajo e ka bërë qesharak personin e saj me gjeste e fjalë ekstreme si dhe me sjellje prej një Paris Hiltoni diplomatik. Pa folur këtu për dyshime ndikimi të paduhur.
Pista e tretë mbetet një hetim parlamentar në ShBA siç rekomandon edhe John Schindler. Është detyrë e opozitës të aktivizohet e të gjejë udhët e përshtatshme që të inkurajojë një shqyrtim të thelluar të dosjes McGonigal në Kongresin e ShBA-së. Diaspora shqiptare në Amerikë lipset të kuptojë se ka një shans të veçantë për të ndihmuar realisht demokracinë në tokën e origjinës duke u aktivizuar në demokracinë e madhe të shtetit ku jeton. Dhe pa e tepruar do të shtoja se sqarimi i plotë publik e ndëshkimi i duhur ligjor në çështjen McGonigal është edhe një ndihmë për Amerikën që në të ardhmentë mos ketë skandale “të paimagjinueshme e të tmerrshme” si ky.