“A ke kurajë? Hiqi të vjetrit”!

Nga Andi MUSTAFAJ

Këtë thirrje e dëgjoj shpesh. Më saktë, e dëgjojmë, sepse është realiteti i çdo të riu që do të merret me politikë.

Në shesh, brenda partive, në studio, në rrjete.
Vëre mirë se çfarë të pyet.

Nuk të pyet çfarë mendon. Nuk të pyet çfarë ke bërë. Nuk të pyet çfarë propozon.
Të pyet vetëm nëse je i gatshëm t’i mohosh ata që erdhën para teje.

Kjo është trashëgimi fatkeqe e komunizmit. Rishkrimi i historisë. Autokritikat. Kërkesa për pastërtinë e figurës. Biografia e keqe.

Rishkruaj. Rilind.
Besoj se e kuptuat.

Është e kotë ta kundërshtosh ballë për ballë. Duke menduar se e lufton, e ushqen, sepse vendosesh në terrenin ku të do propaganda.

Unë besoj në diçka tjetër.
Besoj në lidhjen midis brezave.

Të rinj dhe të vjetër, njerëz me përvojë dhe njerëz pa të, në të njëjtin rrugëtim.
Mua nuk më bën më të mirë aftësia për të rrëzuar atë që ishte para meje.

Më bën më të mirë aftësia për ta marrë betejën e tij mbi shpatullat e mia dhe për ta zmadhuar atë, për ta përmirësuar dhe çuar më tej.

Mësoj nga gabimet e tyre. Krenohem me arritjet e tyre. Dhe pranoj një fakt fare të thjeshtë. Unë jam veçse një hallkë e shtuar në një zinxhir që ka nisur para meje.

Kjo kërkon karakter. Kërkon vlera të forta. Kërkon një shtyllë kurrizore që mbart peshën e historisë dhe nuk thyhet nën të.

Kjo ndarje mes nesh nuk është e natyrshme. E ka krijuar regjimi, për të na mbajtur të përçarë.
Lidhja midis brezave është ilaçi i saj.

About Redaksia

Check Also

Balluku dhe Nënballuku…

Nga Elona CASLLI Nga ekrani i Top Channel-it, mbrëmë sytë e shqiptarëve panë atë që …