Nga Daniel Serwer
Agresioni ushtarak rus në Ukrainë ka të ngjashmin e vet në Ballkanin Perëndimor. Atje agresioni ndodh përmes luftës hibride të drejtuar nga Serbia, kryesisht kundër Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Nëse Rusia arrin të fitojë territore në Ukrainë, duhet të presim një përpjekje shumë më agresive në Ballkan.
Nëse Rusia dështon në Ukrainë, do të dështojë edhe në Ballkan. Atëherë pse Departamenti i Shtetit është treguar kaq i butë ndaj Serbisë, agjentit kryesor të Rusisë në Ballkanin Perëndimor? SHBA ka lejuar të shkojnë në Beograd miliarda dollarë investime.
Po ashtu, Pentagoni po përpiqet të ringjallë bashkëpunimin ushtarak me ushtrinë serbe. Departamenti i Shtetit i mbështeti vendimet joproduktive dhe të pajustifikuara të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje që favorizonin ekstremistët kroatë. Zyrtarët amerikanë u miqësuan dhe inkurajuan një qeveri pro-ruse në Malin e Zi.
Ata kanë këmbëngulur që në fillim në formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, një propozim që do ta dobësonte shtetin ende të ri të Kosovës. Ky propozim është pjesë e një historie të gjatë të gjetjes së rrugëve të lehta për zgjidhjen e problemeve në Ballkan.
Sado e vështirë që ishte, Marrëveshja e Dejtonit iu duk më e lehtë Uashingtonit në vitin 1995 sesa humbja e Republika Srpska (entiteti serb). Pasi Milosevic u rrëzua nga zgjedhjet e vitit 2000 në Serbi, amerikanët i dhanë shumë shpejt mbështetje të qartë pasardhësve të tij.
Ata ndërprenë fondet për lëvizjen e Rezistencës Otpor që synonte mbikëqyrjen e procesit të demokratizimit. Senatori Joe Biden argumentoi në një seancë dëgjimore disa vite më vonë, se do të ishte më mirë që Serbia të futej në procesin e pranimit në BE, sesa të këmbëngulej që ta fitonte me meritë kandidaturën.
Qeveria serbe përfitoi nga kjo mbështetje për të refuzuar “Planin Ahtisaari” për pavarësinë e Kosovës. Ajo e cilësoi veten si një vend ushtarakisht “neutral”. Beogradi u riarmatos, kryesisht me ndihmën e Rusisë. Kur “demokratët” zhgënjyes por relativisht liberalë të Serbisë humbën zgjedhjet e 2012-ës, Uashingtoni u rreshtua pas pasardhësve të tyre nacionalistë.
Shumëkush në Uashington mendoi se ata mund të binden për ta zgjidhur çështjen e Kosovës. Por presidentët Tomislav Nikolic dhe më pas Aleksandar Vucuc refuzuan ta bëjnë këtë. Madje tani miqtë e presidentit Vucuc flasin hapur për një “botë serbe”. Kjo është analoge me “botën ruse” të Vladimir Putinit dhe një sinonim i Serbisë së Madhe.
Është vetëm çështje kohe para se Serbia të largohet nga marrëveshja e propozuar franko-gjermane që Vucic refuzoi ta nënshkruajë muajin e kaluar. Megjithatë qasja e Uashingtonit
ka qenë apatike dhe jo efektive. Mosgatishmëria e Vucic për të nënshkruar marrëveshjen, shfaqja e forcës nga Republika Srpska, kërcënimet e Beogradit për veprim ushtarak në Kosovë, kontrolli i mediat, përndjekja e opozitës dhe korrupsioni i shfrenuar në Serbi, nuk kanë shkaktuar një përgjigje efektive nga Uashingtoni.
Dhe shpjegimi është se Uashingtoni nuk ka asnjë të dhënë të saktë për Ballkanin Perëndimor. Për të rajoni është shumë i ndërlikuar dhe tepër periferik. Prandaj ia delegon hegjemoninë një “shteti kryesor”. Departamenti i Shtetit mendon se ky është Serbia, e cila ndodhet gjeografikisht në qendër të rajonit, është më e madhe se fqinjët e saj, pak më mirë ekonomikisht dhe një shtet shumë më i konsoliduar sesa republikat e tjera ish-jugosllave.
Por nëse ia delegon një shteti të drejtën të kontrollojë një rajon, atëherë duhet të durosh pjesën më të madhe të sjelljes së tij, si në rajon ashtu edhe brenda vendit. Nëse ky shtet ruan marrëdhënie të mira me kundërshtarët tuaj, atëherë duhet të mbyllni gojën edhe kur anon në atë drejtim.
Nga këtu buron dhe ngurrimi i qeverisë amerikane për të kritikuar Beogradin, edhe kur ai mban anën e Moskës dhe Pekinit në politikën e jashtme dhe rrëshqet në mënyrë të pashmangshme drejt autokracisë. Ky është një zhvillim negativ, jo vetëm për diplomacinë amerikane.
Mjerisht, ajo favorizon një mbështetës të Rusisë ndaj shteteve që synojnë vërtetë që t’i bashkohen Perëndimit. Dhe kjo gjë është shumë e shëmtuar. Por po ashtu e trishtueshme për rajonin, që ka arsye të forta t’i frikësohet destabilitetit. Bosnja, Kosova dhe Mali i Zi përballen me kërcënime për sovranitetin dhe integritetin e tyre territorial si rezultat i trajtimit të Serbisë nga Amerika si shteti kryesor në Ballkan.
Por kjo qasje është e trishtuar edhe për Serbinë, e cila nuk i përmbush më kriteret e demokracisë së Kopenhagës për anëtarësim në BE. Vucic mund të bëjë atë që i pëlqen brenda vendit, pa u shqetësuar për kufizimet në pushtetin e tij. Dhe është e trishtueshme edhe për Kievin, që duhet të shqetësohet se çfarëdolloj gjëje mbi të cilin bien dakord amerikanët në Ballkan, rusët mund ta kopjojnë në Ukrainë. Pra pse Moska të mos kërkojë një asociacion të komunave me shumicë ruse në Donbas? /albeu.com
Shënim:Daniel Serwer, profesor i Praktikës së Menaxhimit të Konflikteve në Shkollën Johns Hopkins të Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare.
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com