Klodiarn TOMORI
Me afrimin e zgjedhjeve, i gjithë debati politik fokusohet natyrshëm në temën se kush do të fitojë më 14 maj. Por pavarësisht rezultatit, opozita e ka arritur fitoren më të madhe. Një fitore që është për të gjithë. Për votuesit demokratë, ata pa parti dhe madje dhe vetë socialistët.
Shikoni pak vetëm metamorfozën e Kryeministrit në 2 vitet e fundit. Deri dje, Edi Rama nuk shihte krizë mjekësh. Madje deklaronte se mjekët po kthehen nga jashtë në sistemin shëndetësor të rilindur. Edi Rama sot shkon e i ankohet publikisht Kancelarit gjerman se Gjermania po shkakton krizë burimesh njerëzore në mjekësinë shqiptare.
Edi Rama dje nuk shihte shpopullim. Madje u bënte thirrje me krenari investitorëve të huaj që të vinin në Shqipëri se këtu nuk kishte sindikata. Edi Rama sot u bën thirrje bizneseve shqiptare të rrisin rrogat se vendi po shkon në krizë të fuqisë punëtore.
Kjo është fitorja e madhe për të gjithë.
Por çfarë ka ndryshuar që ndryshoi Kryeministri?!
Ka ndryshuar opozita. Opozita është instrumenti kryesor që e mban qeverinë në llogaridhënie. Një qeveri që ka përballë një opozitë të asgjesuar, shndërrohet në rrezik publik, edhe sikur kryeministri i saj të ishte vet Papa.
Ndaj Kryeministri deri dje nuk e shihte shpopullimin e frikshëm të vendit, nuk rriste rrogat dhe nuk shqetësohej për eksodin e mjekëve, sepse nuk e linte dashuria për “djemtë e mirë” të opozitës. Por, sot llogaritë kanë ndryshuar.
Kjo është fuqia e opozitës. Dhe kjo është arsyeja se pse të gjithëve ne na duhet një opozitë e fortë, që nuk hyn në xhepin e qeverisë.