Kandidati demokrat i dalë nga procesi i primareve për Bashkinë Kamëz, Arjan Hoxha ka dhënë një deklaratë për SYRI TV ku ka denoncuar presionet e administratës së bashkisë dhe institucioneve shtetërore ndaj qytetarëve për vota në zgjedhjet e 14 majit.
Hoxha ka theksuar se ‘këto problematika vazhdojnë të jenë ekzistuese ndaj qytetarëve për të ceduar vullnetin e tyre në datë 14 maj, por e kanë të kotë çdo veprim të tillë’.
Lidhur me takimin e sotëm në Kamzës ku do të jetë edhe kryetari i PD-së Sali Berisha, Hoxha i bëri thirrje të gjithë qytetarëve të marrin pjesë në këtë takim madhështor, ku njerëzit vijnë me vullnetin e tyre pa asnjë presion siç ishte takimi te diga te liqeni i administratës që u vendos a thua se ishte ndonjë paradë ushtarake.
Intervista
Hoxha: Ndodhemi në zonën e Zallmnerit, një lagje në afërsi të Kamzës. Si çdo lagje tjetër ka problematikat kryesore të infrastruktrurës, të kanalizimeve, të ujit të pijshëm. Problematika më kryesore e kësaj zone është mungesa e vëmendjes së kryetarit aktual të bashkisë për problematikat e tyre. Mungesa e komunikimit dhe konsultimit me qytetarët para se të bëhen investimet publike. Ka mungesë të ambienteve të shkollës, është e treta herë që një shkolle e ndërrohet emri, por edhe prishet. Mungesa e qendrës shëndetësore, që është shkatërruar, pasi shërbimi shëndetësor edhe në Kamëz është inekzistent.
Pyetje: Keni denoncuar zhvendosjen e votueseve dhe intimidimin e qytetarëve duke u marrë kartat ID. A vazhdojnë këto presione?
Hoxha: Këto problematika vazhdojnë të jenë ekzistuese. Kemi disa individë që vazhdojnë të mbledhin karta identiteti nën presionin politik të kryebashkiakut në ikje, sepse në datë 14 maj ai do të jetë në pension politik. Pasi asnjë votues i Kamzës nuk bie pre e intimidimit dhe presionit të pushtetit lokal dhe qëndror, si OSHEE, ZRPP apo punonjës të tatimeve që vijnë çdo ditë në banesat e qytetarëve për t’i intimiduar dhe joshur për të ceduar vullnetin e tyre në datë 14 maj. Gjithë sulmi i makinerisë propagandistike po hedh baltë mbi kandidaturën time dhe mbi demokratët e vërtetë, por edhe aleatët tanë, por e kanë të kotë çdo veprim të tillë. Kemi denoncuar dhe ndjekur disa raste ku këta janë të vendosur në disa pika si me shpërndarjen e pakove ushqimore si me mbledhjen e kartave ID kundrejt pagesës apo edhe me legalizimet.
Pyetje: Sot keni takim me zotin Berisha, a keni një thirrje për qytetarët?
Hoxha: Kam një thirrje të sinqertë si bashkëqytetar i Kamzës një thirrje si demokrat që çdo qytetar dhe çdo opozitar dhe pse jo dhe çdo socialist që të nesërmen e do ndryshe, e ftojmë sot në orën 18:00 në afërsi të qendrës Troci në Bathore ku do të vijë edhe lideri historik duke na nderuar në një hark të shkurtër kohor vjen për të tretën herë radhazi. Është një lider historik jo vetëm për Kamzën, por për gjithë Shqipërinë, por Kamzën e ka si shtëpinë e tij, shtëpinë e demokratëve. I ftoj të gjithë të marrin pjesë, dhe do jetë një takim masiv ku njerëzit vijnë me vullnetin e tyre pa asnjë presion siç ishte takimi te diga te liqeni i administratës që u vendos a thua se ishte ndonjë paradë ushtarake.
Këtu janë qytetarët e lirë dhe besimi dhe vullneti i tyre respektohet dhe ne jemi bashkë sot dhe do jemi bashkë edhe nesër dhe sa të jem unë kryebashkiak të gjithë njerëzit në tubime do të vijnë me dëshirën edhe vullnetin e tyre dhe asnjëri nuk do vijë me diktimin e drejtuesve të bashkisë.