Koalicioni opozitar “Bashkë Fitojmë” i është drejtuar këtë të enjte me një shkresë zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ku i kërkon pamjet filmike nga burgjet e Rrogozhinës dhe Belshit, të cilat sipas opozitës u bën faktor kyç për fitoren e kandidatëve socialistë në këto dy bashki, përmes presioneve dhe ndikimit politik.
Në shkresën e depozituar pranë institucionit të zgjedhjeve nga përfaqësuesi ligjor i koalicionit Franc Nuri theksohet se zgjedhjet e 14 majit u karakterizuan nga deformime te vullnetit të zgjedhësve ndërsa sjell në vëmendje dy raste flagrante në Rrogozhinë e Belsh, ku fati i kryebashkiakëve u zgjodh matematikisht nga kutia e votimit te burgut.
Teksa nënvizon se në institucionet e vuajtjes së dënimit, të dënuarit nuk gëzojnë të drejta të plota dhe janë nën presionin e administratës, ‘Bashkë Fitojmë’ thekson se në konkretisht në Rrogozhinë, diferenca mes kandidatit të BF dhe kandidatit të subjektit të PS, ishte në favor të kandidatit të opozitës me 50 vota, deri në castin kur u hap dhe u numërua kuti e fundit ajo e burgut, që rezulton edhe kutia që i dha fitoren kandidatit të PS.
Nga 199 të burgosur vetëm 12 kanë votuar pro kandidatit të BF, ndersa 90% e tyre kanë votuar PS-në. Një situatë e ngjashme ka ndodhur edhe në bashkinë e Belshit, ku diferenca e kandidatëve ka qenë e tillë sa kutia e burgut të njohur si Burgu i Lushnjes, ose burgu i Kosovës, ka bërë diferencën ose ka ndikuar drejtpërdrejtë në rezultatin final për kryetar bashkie në Besh, në dëm te kandidatit të BF-së. Në këto kushte koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’ nëpërmjet përfaqësuesve të tij ligjor në KQZ, paraqet këto kërkesa:
Vënien në dispozicion sa më shpejt të filmimit të tavolinave të grupeve të numërimeve në KZAZ nr, 43 dhe 45, për votat e kryetareve të bashkive Rrogozhinë dhe Belsh.
Vënien në dispozicion sa më shpejt të filmimit të kamerave të QV të IEPV përkatëse të Rrogozhinës dhe Belshit.
Vënien në dispozicion sa më shpejt të vendimeve për lejimin e votimit të zgjedhësve të IEVP përkatëse në Rrogozhinë dhe Belsh.
Lidhur me rastin e Rrogozhinës, kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për këtë bashki, Shkëlqim Hoxha akuzoi përmes ekranit të SYRI TV, se drejtuesi i qarkut politik të Tiranës, Erion Veliaj ka takuar drejtorin e burgut të Rrogozhinës pak ditë përpara zgjedhjeve, duke ngritur dyshime se ka diktuar votat e të të dënuarve në favor të kandidati socialist.