Nga Sali BERISHA
Të dashur miq, në një deklaratë luftënxitëse, frymëzuese të infanticidit, serbomadhi Vuçiç shprehet haptas se: fëmijet serbë 12-13 vjeçarë në Kosovë janë gati të luftojnë, janë gati të vdesin se janë ngopur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Duke komentuar këtë deklaratë të Vuçiçit, deputetja e Partisë Popullore në Serbi, Sanda Rashkoviq Iviq – psikiatre, tha se kjo është deklaratë e çmendur dhe e papërgjegjshme. “Ka shumë kohë, shtoi ajo, që nuk kam dëgjuar diçka kaq të çmendur, të pashpirtë dhe të papërgjegjshme. Të thuash se fëmijët 12 dhe 13 vjeç duan të vdesin, është tipike vetëm për shtetet islamike ku mbretëron xhihadi. Kështu ishte edhe në vitin 1945 në Gjermaninë naziste, kur Hitleri nuk kishte më askënd që të mobilizonte për luftë”, tha Rashkoviq Iviq.
Duke falënderuar deputeten Rashkoviq-Iviq për qendrimin e saj të guximshëm dhe njerëzor, dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë thirrje për infanticid të ish-Goebbelsit të Millosheviçit dhe njërit prej autorëve kryesorë të genocidit serb në Bosnjë dhe në Kosovë. I bëj thirrje Organizatës së Kombeve të Bashkuara të vendosë sa më parë dorëzimin e serbomadhit Vuçiç në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë për rolin e tij në genocidin serb në Bosnjë dhe Kosovë, dhe së fundmi si frymëzues i infanticidit.