“Çdo student që do të hyjë në Universitetin e Mjekësisë do të njihet me faktin që për t’u pajisur me diplomë do të duhen 5 vjet në shërbim të këtij populli”.
Këtë mesazh u përcolli kryeministri Edi Rama studentëve që synojnë të hyjnë në Universitetin e Mjekësisë, pas vendimit të marrë në mbledhjen e qeverisë. Sipas tij, ky vendim është i domosdoshëm në kushtet kur vende të pasura janë bërë ndalesa e fundit për shumë profesionistë të kualifikuar.
“Mesazh për një vendim të rëndësishëm të qeverisë që ka të bëjë me studentët e mjekësisë dhe me detyrimin për të shërbyer në vend për një kohë të caktuar. Detajet do t’i shpjegojnë ministret, por thelbi është i qartë për çdo qytetar të Shqipërisë që paguan taksa. Shteti e financon universitetin publik, formimin e mjekëve të rinj për të mbrojtur jetën dhe për të garantuar shëndetin e të gjithë qytetarëve të vet. Nuk është njësoj si profesionet e tjera. Është një profesion i lidhur drejtpërdrejt me detyrimin e çdo shteti për t’u kujdesur për shëndetin e njerëzve dhe me të drejtën e çdo qytetari për të pasur kujdes shëndetësor. Në kushtet kur Gjermania dhe vende të tjera të pasura janë duke luftuar me demografinë e tyre dhe plakjen e popullsisë dhe nevojën për burime të freskëta nga jashtë, dhe kur janë bërë stacion i ndalesës së fundit për shumë profesionistë e shumë njerëz të kualifikuar, dhe në këtë rast mjekët, e kemi të domosdoshme të ndërmarrim këtë hap,” tha Rama.
Studentët e kanë kundërshtuar vendimin dhe janë hedhur në protesta. Por Ministrja e Arsimit, Evis Kushi tha se vendimi do kalojë me urgjencë.
“Ky projektligj do të prezantohet me procedurë të përshpejtuar në Kuvend për shkak të emergjencës, për shkak se në muajin gusht të gjithë maturantët kanë provimin shtesë të dixhitalizuar, ne duhet ta miratojmë përpara se studentët të bëjnë provimin, të njohin kushtet”, tha Kushi.
Shifra prej 5 vitesh ndryshon për studentët aktualë. Kushi tha se studentët e mjekësisë nga viti i parë të katërt do duhet të punojnë në Shqipëri për 3 vjet, ndërsa ata që janë në vitin e pestë dhe të gjashtë do duhet të punojnë 2 vjet me detyrim për të tërhequr diplomën, ndryshe do paguajnë koston reale të studimeve të tyre në Shqipëri. Kushi nënvizon se megjithatë është parashikuar se nëse për një vit studentëve nuk u gjendet punë në institucionet përkatëse në Shqipëri, ata mund të tërheqin diplomën.