Kur Edi Rama tha shprehjen e famshme se ‘po të isha unë prokuror, gjërat do të ishin shumë më keq,’ fati i Arben Ahmetajt u bë i qartë për të gjithë. Prokuroria e Posaçme mori publikisht sinjalin se kryeministri e donte ish zëvendësin e tij në burg.
Dy orë pas kësaj deklarate, oficerët e policisë gjyqësore dhe agjentët e BKH mësynë në banesën e bashkëjetueses së Ahmetajt dhe ish bashkëshortes së tij. Agjentët e Byrosë Kombëtarë të Hetimet vendosën sekuestron mbi banesat dhe sekuestruan nga to lap topë, kompjutera dhe telefona që ishin përdorur nga ish zv/kryeministri. A ishte e gjitha kjo një rastësi? Të gjithë e kanë të qartë përgjigjen.
Një hetim i shtyrë nga faktorë të tjerë përtej sistemit të drejtësisë nuk mund të prodhojë asgjë tjetër përveçse paradokseve. Dhe në pjesën më të madhe të saj dosja hetimore e Ahmetajt është një një paradoks supozimesh që përplasen me njëra tjetrën.
Prokurorët pranojnë në dosjen hetimore se Ahmetaj nuk ka asnjë lidhje direkte me procedurën e miratimit të inceneratorëve dhe se nuk ka asnjë veprim apo firmë të tij për miratimin e këtyre kontratave. Por ata thonë se kanë dyshime të arsyeshme, që ish ministri i financave përdori influencën për t’i dhënë koncesionet mikut të tij Mirel Mërtiri.
Pyetja është se kë influencoi ish ministri i financave për t’i dhënë koncesionet Mërtirit? Kryeministrin, Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, ministrat e tjerë të kabinetit apo kryetarin e Bashkisë së Tiranës? Këta janë njerëzit që kanë firmosur në procedura duke patur një rol të drejtëpërdrejtë aktiv në miratimin e tre kontratave koncesionare. Dosja hetimore nuk e thotë këtë. Dhe sot nuk është nën akuzë asnjë prej personave të mësipërm. Atëherë kë dhe si influencoi ish ministri i financave për të kaluar koncesionin? Mister.
Një dosje hetimore nuk mund të ndërtohet mbi supozime, por mbi prova të faktuara. Nëse prokurorët thonë se Arben Ahmetaj ishte njeriu që i hapi rrugë miratimit të koncesioneve duhet të tregojnë aktin zyrtar mbi të cilin ai ka vendosur firmën ose vulën. Sepse supozimet kanë zero vlerë në rrafshin penal.
Por paradoksi më i madh në dosjen hetimore kundër Arben Ahmetajt është vetë hetimi. Për herë të parë në Shqipëri nuk është hetuar fakti penal, por personi. Hetuesit u nisën për të hetuar implikimin e ish zv/kryeministrit në aferën e inceneratorëve dhe pasi nuk arritën të gjejnë dot rol aktiv, përfunduan duke hetuar pasurinë e Ahmetajt dhe aktivititetin e tij ekonomik që nga viti 2000. E në fakt ky nuk është hetim, por vetting.
Megjithatë trajektorja e procesit penal të Ahmetajt nuk është gjëja më e parëndësishme në gjithë këtë histori. Ajo që është më e rëndësishme është e vërteta. Kush janë padronët e vërtetë të inceneratorëve? Ata që kishin aq shumë fuqi sa të çonin ish numrin e dy të qeverisë në pragun e burgut?
Përgjigja e kësaj pyetje vjen vetëm duke hetuar faktet penale larg çdo ndikimi të jashtëm dhe pa supozime, por vetëm me prova. Kjo do tabënte shumë më të besueshëm hetimin dhe do t’i shërbente realisht drejtësisë dhe shtetit. /Oligarkia.al