Deputeti Belind Këlliçi me pyetjet e tij ka “kryqëzuar” Erion Veliajn, me fakte, në Komisionin Hetimor për inceneratorët që po vijon prej më shumë se 3 orësh.
Këlliçi theksoi se qytetarët burgosen edhe për një çati, ndërsa inceneratori i Tiranës, ka ndërtuar pa leje.
Ai tha se ka edhe kronika televizive që tregojnë nisjen e punimeve në landfillin e Sharrës, ende pa u zbardhur leja e ndërtimit nga Bashkia e Tiranës.
“Janë burgosur qytetarë për një çati. Ka pasur raste ekzemplare si në Unazën e re, ku ju kanë shkuar policia edhe pse po rregullojnë banjot në shtëpinë e tyre.
Ja ku e keni inceneratorin e Tiranës, ndërtim pa leje. Keni kronika televizive, shikojeni, punimet kanë nisur para se të zbardhet leja”, tha ndër të tjera deputeti Këlliçi.
Veliaj iu shmang pothuajse çdo pyetjeje të Këlliçit, ndërsa zgjodhi batutat në drejtim të Jorida Tabakut, kryetare e Komisionit Hetimor.
Këlliçi e pyeti Veliajn edhe mbi vendimin e Këshillit Bashkiak lidhur me inceneratorin e Tiranës, dokument të cilin kryebashkiaku nuk e nxorri edhe pse fliste me siguri për një vendimmarrje të tillë.