Berisha thirrje intelektualëve nga Shkodra: Hiqni dorë nga konformizmi! Vendi po rrokulliset…

Lideri historik i PD, Sali Berisha, vizitoi sot Muzeun e Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër, ku dokumentohen krimet monstruoze të komunizmit. Në fjalën e tij, Berisha rezervoi një thirrje për intelektualët në vend. Ai tha se vendi po rrokulliset, ndaj intelektualët duhet të ngrenë zërin dhe të mos konfirmohen.

“Ky muze paraqet martirizimin e qytetarëve të Shkodrës për liri. Ai paraqet edhe qëndrimet e xhelatëve. E vërteta është se në diktaturë, shoqëria jonë ndahej në disa shtresa. Në një anë ishin të persekutuarit, që torturoheshin dhe vdisnin për vlerat që mbronin. Nga ana tjetër ishin xhelatët. Nuk kam fjalë tjetër përveçse xhelatë për ata që u morën me dënimin, torturimin dhe ekzekutimin e tyre. Shoqëria shqiptare kishte pastaj një tjetër shumicë, e cila u konfirmua nga regjimi dhe duhet t’u them këtu, se mes këtyre të konformuarve, përgjegjësinë më të madhe e kanë pasur intelektualët, të shkolluarit”.

“Ata u konformuan, pa konfirmizmin e tyre, diktatura nuk mund të qëndronte. Një filozof gjerman u mor shumë me studimin e diktaturës naziste. Zhvilloi konceptin e fajit gjerman. Zhvilloi konceptin e fajit kolektiv. Pra, kishte një tërësi qëndrimesh që favorizuan diktaturën. U përpoqa në një farë mënyre, nën ndikimin e këtij filozofi të përshtasja diçka për Shqipërinë, i bindur se kishte ngjashmëri. Në vitin 1991 u gjenda në Paris në një konferencë të liderëve të Bashkimit Demokrat Evropian. Më pritën në mënyrën më të mirë, pasi vija nga Shqipëria që më në fund përmbysi diktaturën. Fola, folën edhe të tjerë. Por në fund të samitit doli një deklaratë, ku Enver Hoxha cilësohej si Hitleri shqiptar i pasluftës”.

“Ku janë ngjashmëritë mes Hitlerit dhe Enverit? Të pamohueshme. Karl Gaspër, intelektuali gjerman që citova, shkruan se gjatë luftës, në Gjermani, të tentoje të ishe opozitar, duhet të hapje me duart e tua varrin ose dyert e burgut. Kurse këtu, në kohë paqeje, në regjimin e Enver Hoxhës, të tentoje të dilje kundër, duhet të hapje varrin ose dyert e burgut. Një ngjashmëri e madhe. Një tjetër barbari që i bashkon të dy është vrasja e fëmijëve. Hitleri bëri një dekret për përmirësimin e racës duke zhdukur fëmijët me të meta fizike dhe çdo fëmijë hebre. Cituat këtu, At Zef Pllumin. Në librin e tij ai përshkruan një seancë hetimi. Hetuesi i thotë se do mbetemi vetëm ne, ju do zhdukeni. Këtë Enver Hoxha e kishte politikë. Fatbardha Saraçi, një nga shkrimtaret më të shquara sot, në trilogjinë e saj, përshkruan Kampin e Tepelenës. Në një natë, por pa dekret, i zhduku 38 fëmijë. Ata u lanë të pamjekuar dhe u varrosën buzë Vjosës, që të merrte trupat e tyre. Diktatori shqiptar përdori urinë si asnjë diktator tjetër për të nënshtruar popullin e vet. Përdori izolimin më shumë se çdo diktator tjetër i kohës”.

“A nuk konstatoni sot një konformizëm të përhapur në shoqërinë tonë? Pikërisht te shtresa e gjërë e intelektualëve. Ndonëse vendi po shkretohet dhe po përjeton një diktaturë krimi dhe droge. Por zëri i tyre është sporadik. Shfrytëzoj këtë rast nga ky muze, t’u bëj thirrje të gjithë intelektualëve të mendojnë për vendin që po rrokulliset. Të ngrenë zërin e tyre. Të bëjnë gjithçka për të kthyer votën te shqiptarët. Të gjithë këta burra që janë martirizuar, nuk pranuan konfirmizmin. Ndaj është një thirrje, një apel: të heqim dorë nga konfirmizmi. Të bëjmë gjithçka për rikthimin e vlerave të lirisë, për të cilat shqiptarët sakrifikuan më shumë se çdo komb tjetër”, tha Berisha.

About Redaksia

Check Also

Kërcënimi mafioz i Ramës për Ahmetajn: Po fole…

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj do të flasë sërish nga arratia. Gazetari Çim Peka ka publikuar disa …

Leave a Reply