Ish-zyrtari i FBI, Chris Swecker, reagoi pas ngritjes së akuzave të fundit ndaj ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Akuzat lidhen me zgjedhjet e kaluara dhe trazirat e 6 janarit në kryeqytetin amerikan.
Duke folur për Fox News, Swecker, ish-asistent i drejtorit të FBI, tha se akuzat dukeshin sikur po lexoje një editorial gazete apo një manifest politik.
“Kjo është një aktakuzë e jashtëzakonshme. Kur e lexova, mendova se po lexoja një editorial të ‘New York Times’ apo një manifest politik.
Ku është shkelja? Nuk ka asgjë aty që shkon përtej opinioneve, fjalëve dhe shprehjes së gjërave.
Dhe unë nuk po e mbroj presidentin Trump, sepse mendoj se ai bëri shumë gjëra që ishin të pamenduara dhe jo të mençura, ndoshta kundër këshillës së avokatëve të tij. Por këto akuza janë akuza konspirative,” tha ai.
Ish-presidenti amerikan Donald Trump do të akuzohet edhe zyrtarisht në një seancë dëgjimore të enjten, për komplot që të përmbysej rezultati zgjedhor i vitit 2020.
Para nisjes së seancës, ai e ka kritikuar këtë rast dhe e ka konsideruar si dëshmi të “korrupsionit, skandalit dhe dështimit” të Shteteve të Bashkuara nën presidencën e Joe Biden.