Duke iu referuar hetimit të SPAK për këtë koncesion dhe arrestimet për shpërdorim detyre, falsifikim apo mashtrim, Rama deklaroi se kur ne zgjedhim ne nuk i kalojmë njerëzit në sallën e torturave për të marrë vesh se çfarë bëjnë ata në të ardhmen.
“100 herë të kthehesha mbrapa, 100 herë do të mbështesja këto PPP që kemi bërë. 100 herë. Sepse veprat janë ato që mbeten, ndërkohë që sigurisht problemet e korrupsionit janë të lidhura me ata që kanë gjëra në dorë, nuk janë të lidhura me ata që s’kanë gjë në dorë. Kur ne kemi bërë reformën në drejtësi dhe kur kam thënë që dua një drejtësi që të godasë majtas, djathtas dhe të ecë vetëm drejt nuk kam bërë propagandë, e kam ditur këtë qe vjen.
Nuk e kam ditur kujt do t’i ndodhë, por e kam ditur këtë që vjen. Shumë socialistë të korruptuar? Socialistët janë 1 mln kurse të korruptuarit janë shumë pak, janë asgjë në raport me fuqinë e PS. E rëndësishme është që sterilizimi është një nga punët më të bukura që ne kemi bërë. Shkoni pyesni mjekët nëpër spitale. Kam marrë mesazhet pa fund nga profesorë, mjekë që ishin të shqetësuar se mos kontrata do të sekuestrohej që s’ishte rasti. Dhe pse? Sepse me atë kontratë dhe me atë transformim ne kemi ndryshuar mjekësinë shqiptare në hallkën më delikate që janë ndërhyrjet në trupin e njerëzve. Nëse në procesin e asaj kontrate individë të caktuar kanë hyrë në gjynah me popullin ose atdheun do paguajnë. Kështu funksionon. Kur ne zgjedhim ne nuk i kalojmë njerëzit në sallën e torturave për të marrë vesh se çfarë bëjnë ata në të ardhmen. Pushteti është një lloj kafshe shumë e egër. Është shumë e vështirë ta mbash të zbutur dhe të mos biesh pre e dhëmbëve të veta. Ka shumë që e mbajnë, ka shumë që nuk e mbajnë”, deklaroi Rama.
Ai shtoi se ka shumë që i rezistojnë tundimeve dhe ka disa që jo. “Por, s’mund të bëjmë parashikime paraprake se kush do i rezistojë tundimit dhe kush jo. Në proces njerëzit janë natyra të ndryshme. Ka disa më të fortë, e disa më të dobët. Ka nga ata që pyesin dhe ata që s’pyesin për ato që pushteti ta jep si tundim. Them se duhet ta shohim si diçka pozitive dhe përgjegjësi individuale që dikush nuk e mban dot peshën e tundimeve për të bërë 1 rrugë e 2 punë dhe rezultateve të punës.
Ndaj ju them, për sterilizimin shkoni dhe pyesni ata që përdorin instrumentet mjekësore se çfarë thonë. Keni pasur një sistem të ndërhyrjeve kirurgjikale mesjetare, keni kaluar nga epoka bronzit në epokën e sotme”.