Të flasësh me Luciano Garibaldi është një përvojë unike. Kultura, serioziteti dhe thellësia e çdo fakti historik përfaqësojnë nënshtresën kulturore e kontemporanitetit tonë. Çdo pasazh historik i rrëfyer nga Garibaldi rrethohet dhe mbështetet nga dokumenta dhe prova. Investigimi i tij lidhur me vdekjen e Benito Mussolini dhe Claretta Petacci është baza historike mbi të cilën ngrihet lindja e republikës tonë.
Luciano, çfarë ju shtyu të merreshit me një ngjarje historike si fundi i themeluesit të fashizmit?
«Lidhur me vdekjen e Duçes dhe të dashurës së tij fillova të hetoja në vitin 1994 me një seri artikujsh për të përditshmen “La Notte” dhe të përjavshmen “Noi” të Mondadori, të cilët patën jehonë ndërkombëtare. Pak kohë më pas, në librin – intervistë të shkruar me Pasquale Chessa, historiani i madh Renzo De Felice deklaroi se “vulgata” ishte false dhe se kreu i fashizmit ishte vrarë me urdhër të Churchill. Ja vlente barra qiranë të ndiqej kjo rrugë. Qe kështu që me Ares botova “La pista inglese. Chi uccise Mussolini e la Petacci?”».
Nëse nuk e kujtoj keq, pikërisht në atë periudhë shkrimtari amerikan Peter Tompkins realizoi dokumentarin televiziv me 3 episode për Rai Tre, i titulluar “Mussolini: L’ ultima verità”.
«Tompkins, i cili në vitin 1945 ishte rreth 24 vjeçar, kishte qenë në nivelet drejtuese e OSS (Office of Strategic Services) në Romë, e përqafonte tërësisht tezën time dhe akreditonte rrëfimin e Bruno Giovanni Lonati, ish partizanit garibaldin që bashkë me njerëzit e tij ishte “rekrutuar” nga anglezët e Intelligence Service për të përfunduar me sukses misionin. Libri im i fundit për të ndërtuar më së fundi të vërtetën lidhur me atë ngjarje ka qenë “Perché uccisero Mussolini e Claretta? La verità negli archivi del PCI”, i shkruar bashkë me senatorin e ndjerë Franco Servello dhe i botuar nga shtëpia botuese Rubbettino.
Çfarë jehone pati botimi i librit tuaj?
«Pista angleze u mirëprit me interes të të madh nga lexuesit (3 botime brenda pak muajsh) dhe nga ato masmedia jo më të nënshtruara ndaj pseudokulturës prokomuniste që prej më shumë se gjysmë shekulli dominonte botën e botimeve italiane (në letër, radiofonike, televizive dhe informatike, kjo e fundit një çikë më pak). Investigimi im ishte frut i 8 viteve kërkime. E merrte shtysën nga një dokument i famshëm: fonogrami i dërguar më 27 prill 1945 nga CLNAI (Komiteti i Çlirimit Kombëtar Italia e Sipërme) komandës së Gruparmatave aleate, që me lajmin lidhur me arrestimin e ndodhur në Dongo, kishte kërkuar dorëzimin e menjëhershëm të Mussolini, në zbatim të klauzolave të armëpushimit. Përgjigja qe një gënjeshtër: “Nuk mund t’ua dorëzojmë Mussolini pasi është pushkatuar në Piazzale Loreto, mu në pikën ku qenë vrarë shokët tanë”. Nuk ishte e vërtetë. Në atë moment, Mussolini ishte ende i burgosur në Dongo, por fonogrami demonstronte se krerët e Rezistencës kishin vendosur ta çonin Mussolini në Milano dhe ta pushkatonin në Piazzale Loreto, përpara popullit, me një ekzekutim kapital solemn të tipit të gijotinës së Luigjit të XVI. Bashkë me Mussolini do të duhej të “ekzekutoheshin” 15 eksponentë të tjerë fashistë: aq sa qenë partizanët e pushkatura prej një raprezaljeje në Piazzale Loreto në gushtin e mëparshëm».
Pse nuk u realizua një gjë e tillë? Çfarë ndërhyri që e prishi krejtësisht?
«Ndërhyri zbulimi i papritur, i bërë nga “koloneli Valerio” i dërguar nga Milano në Dongo, të cilin dikush e kishte paraprirë dhe, në mëngjesin e 28 prillit, kishte vrarë Mussolini dhe Claretta. Në këtë pikë nevojitej që të modifikohej programi dhe të dërgoheshin në Piazzale Loreto jo 15 hierarkët e lartë, plus shefin e tyre, por 16 kufoma. Modifikim që u realizua me pushkatimet e pasdites së 28 prillit në bregun e liqenit në Dongo. Këtu edhe prapaskena e dytë: vrasja e Petacci».
Tamam. Kush qe vendosi dënimin me vdekje e së dashurës të Duçes?
«Vdekja e saj nuk ishte programuar nga askush. As nuk ishte parashikuar, as nuk ishte dëshiruar. Bile emri i saj nuk përfshihej në listën e robërve të dorëzuar nga komandanti partizan “Pedro” (Pier Luigi Bellini delle Stelle) “kolonelit Valerio” (Walter Audisio). Por “koloneli Valerio”, në spuntimin e emrave të listës, tha, bile thirri me të madhe, siç dëshmohet nga të gjithë të pranishmit: «Mussolini: me vdekje! Clara Petacci: me vdekje!». Pse? Sepse, njëlloj me Duçen, e kishte gjetur kufomë atë mëngjes, por mbi të gjitha sepse “duhej” të merrte mbi vete barrën e një vrasjeje nga e cila autorët e vërtetë të saj – shërbimet sekrete britanike – preferonin të çliroheshin».
Pra, kemi arritur tek “pista angleze”. Por cili qe motivi i vërtetë që i shtyu njerëzit e Churchill të vrisnin jo vetëm Mussolini, por edhe të dashurën e tij?
«Frika se mos të dy, të pyetur nga gazetarët amerikanë (të vetmit vërtet të lirë dhe më të interesuar ndaj “scoop” sesan ndaj urdhërave nga lart), do të zbulonin kontaktet e ekzistuara deri në fund midis Mussolini e Churchill dhe që kishin si qëllim ta shtynin Hitlerin ta pushonte rezistencën në Perëndim për t’ju drejtuar vetëm ndaj Ushtrisë së Kuqe dhe të penonte kështu Stalinin nga marrja në dorë e gjysmës së mirë të Europës. Është shumë e lehtë të imagjinohet se çfarë do kishte mundur të ndodhte në rast se ky u fundit vihej në dijeni të atyre manovrave të nëndheshme të Churchill».
Çfarë provash ekzistojnë për ta provuar një hipotezë të ngjashme?
«Provat konsistojnë në shumë dëshmi, prej dekadash praktikisht të injoruara, lidhur me kontaktet sekrete midis Mussolini dhe anglezëve. Dëshmi që çojnë tek firmat e Dino Campini, sekretar i ministrit të Arsimit Kombëtar Carlo Alberto Biggini, të Sergio Nesi, oficer i Decima Mas, të Pietro Carradori, truprojë i Mussolini, të Filippo Anfuso, ambasador i Republikës Sociale Italiane në Berlin, të Ermanno Amicucci, drejtor i “Corriere della Sera”, të Alfredo Cucco, nënsekretar për Kulturën Popullore, të Ruggero Bonomi, nënsekretar për Aeronautikën, të Edmondo Cione, themelues i Raggruppamento Repubblicano Socialista, të Nino D’ Aroma, drejtor i Instituto Luce, të Georg Zachariae, mjek gjerman i Duçes, të Drew Pearson, gazetar amerikan, të Umberto Alberici, noter në Milano».
Cili është thelbi i këtyre dëshmive?
«Personazhe si Quinto Navarra, ndihmës i Mussolini, Raffaele La Greca, kryearkëtar i Policisë së Salò, Pietro Carradori, truprojë i Duçes, dhe Urbano Lazzaro, partizanit “Bill” që kishte kapur Mussolini i maskuar si gjerman, qenë gjithmonë dakord në pohimin se i ashtuquajturi “flori i Dongo”, i kapur nga partizanët në “kolonën Mussolini” dhe i përvetësuar nga PKI, nuk ishte “thesari shtetëror” i RSI, por përbëhej nga objekte të konfiskuara familjeve të ndryshme hebreje të arrestuara e të dërguara në kampet e përqëndrimit në vijim të ligjeve raciale. Objekte me vlerë që Mussolini kishte ndërmend t’ua dorëzonte amerikanëve, pas dorëzimit në Valtellina, me qëllim që t’u riktheheshin të mibjetuarve në demonstrim të faktit se konfiskimet nuk qenë bërë për të pasuruar RSI në dëm të të mbijetuarve, por qenë një detyrim i rëndë që buronte nga aleanca me Rajhun e Tretë. Në fakt, siç e dinë të gjithë, këto pasuri përfunduan në arkat e PKI».
A ishte PKI në dijeni të prejardhjes së tyre? Sikur të ekzistonte akoma, PKI do ta refuzonte me përbuzje, padiskutim.
«Dhe në fakt gjërat ecën pikërisht në këtë drejtim. Massimo Caprara, për 20 vjet sekretar i Togliatti qysh nga viti 1944 dhe në vijim i penduar i madh i komunizmit, në një memorial të shkruar apostafat për librin tim “La pista inglese”, zbuloi sesi “versioni Audisio” (domethënë vrasja e Mussolini dhe e Claretta Petacci pasditen e 28 prillit përpara portës së Villa Belmonte) kishte qenë “një fals i qëllimshëm”, por mbi të gjitha tregoi takimet absolutisht të panjohura të menjëherë pasluftës midis Togliatti, atëbotë eksponent i lartë perëndimor i komunizmit sovjetik, dhe Churchill, i cili pas fjalimit në Fulton (gjatë të cilit kishte përmendur termin «Perde e Hekurt»), ishte bërë armiku numër një i Rusisë së Stalinit. Takime pak të thuash të paimagjinueshëm, që të lënë të nuhasësh një zgjedhje sekrete të kreut komunist italian në favor të Perëndimit shumë përpara atij zyrtar dhe tashmë “historik” të Enrico Berlinguer. Faktikisht, Togliatti e dinte mirë se çfarë do të ndodhte – parasëgjithash udhëheqësisë së partisë – sikur Italia të kishte rënë në kthetrat e Stalinit: gulag për të tërë, duke filluar nga krerët e PKI».
Keni pasur konfirmime për vlefshmërinë e rindërtimit tuaj historik?
«Një konfirmin i bujshëm dhe definitiv i tezës që avancoj prej vitesh lidhur me vdekjen e Mussolini ka ardhur më 2015 nga botimi pasvdekjes i kujtimeve të Vanni Teodorani (1916-1964), i vendosur nga fëmijët Anna dhe Pio Luigi. Pjesa deri më atëhere e panjohur e ditarit të Teodorani (që ishte nip i adoptuar i Mussolini, bashkëpunëtor i tij i ngushtë gjatë gjithë periudhës së RSI dhe që arriti për shumë muaj të bëhej i pakapshëm nga partizanët komunistë e etur për gjak) kishte të bënte me planin e studiuar nga shërbimet sekrete amerikane për t’ia hequr Duçen hakmarrjes partizane dhe ta shpëtonte duke e dërguar në një bazë sekrete në Sardegna. Por, siç tregon Vanni Teodorani në ditarin e tij të çmuar “Quaderno 1945/46”, plani i studiuar nga elementë të OSS (Office of Strategic Services) amerikanë, nga shërbimet sekrete angleze e Italisë së Jugut dhe, pikërisht, nga një grup i vogël besnikësh të mëdhenj të Duçes, dështoi nga anglezët shumë më të aftë të Intelligence Service, të cilët kishin marrë nga Churchill urdhërin për të eliminuar si Mussolini, ashtu edhe Claretta Petacci».
(nga Storica)
Përgatiti
ARMIN TIRANA