Mbyllja me marrëveshje e procesit McGonigal për çështjen shqiptare i ka yshtur shumë nga kamikazët e rilindjes të rifillojnë sulmin, duke thënë se gënjeshtrat e opozitës u shkërmoqën. Sipas tyre ish agjenti i FBI-së, u dënua vetëm se i mbajti të fshehata takimet dhe paratë që mori nga shqiptarët, por kjo nuk ka asnjë lidhje me akuzat që janë bërë këtu, kundër Edi Ramës. “Ky proces tregoi se këtu marrin fund përrallat e opozitës për gjoja korruptimin e zyrtarëve amerikanë”, ishte rrefreni i alibive që mbronin për shtypin vendas kryeministrin.
Por, në fakt e vërteta është shumë më ndryshe. Ndonëse me stilin e saj të eksagjeruar, opozita e ka fryrë shumë më tepër se ç’është këtë skandal, duke lënë deri të kuptohet se Rama po shkoi në SHBA mund të procedohet, ky i fundit, në kundërshtim me atë që argumentojnë mbrojtësit e tij, ka dalë i njollosur nga ky proces.
Në një shkrim të mëparshëm Lapsi.al (shiko linkun poshtë) ka analizuar vendimin e gjykatës të nëgociuar mes prokurorëve dhe avokatëve, ku shefi i qeverisë përmendet plot 11 herë.
Por, nuk është vetëm prezenca e tij në një vendim gjyqësor të publikuar edhe nga Departamenti i Drejtësisë ajo që e bën këtë dokument shqetësues. Aty vihen re disa elementë të tjerë që janë rëndues për pozitën e Edi Ramës. Po të bëhet një vështrim krahasues mes aktakuzës që publikoi prokuroria dhe që u mor më pas nga gazetat më të mëdha amerikane dhe vendimit të gjykatës, aty vëren se McGonigalit, i kanë rënë akuzat e tjera përveç atyre që kanë të bejnë me Shqiperinë dhe me Ramën.
Tek e para, flitej edhe për politikanë nga Bosnja dhe nga Kosova që në vendim nuk gjenden më. Në dallim nga rasti i Bosnje-Hercegovinës që permendej në akuzë për faktin se McGonigal i kishte kërkuar një politikani boshnjak 500 mijë USD për t’i siguruar takim me ambasadorin amerikan në OKB, në rastin e vendimit te gjykates konfirmohet vetëm Shqiperia me emer specifik kryeministrin. E njëjta gjë ndodh edhe me rastin kosovar. Aty flitet për një politikan, por pa i përmendur emrin dhe funksionin, por edhe ky është fshirë nga vendimi i gjykatës. Edi Rama ka mbetur plot 11 herë. Dhe ka një arsye sepse.
Dokumenti i bërë publik dëshmon se sipas vendimit të gjykatës amerikane, McGonigal ushqehehej financiarisht nga favoret që i krijonte kryeministri shqiptar (rasti i fushës së naftës). Në pikën 12 të vendimit përmendet takimi në kryeministri në shtator 2017, kur McGonigal i kërkon të largojë një kompani nafte që ka lidhje me rusët dhe t’i japë licencë një tjetre. Siç provojnë dokumentat, më vonë, McGonigal u bë ortak me personin që ishte administrator në kompaninë e naftës që përfitoi nga takimi i tij me Ramën,
Në këmbim të favoreve të ngjashme Mcgonigal projektonte hetime në emër të FBI dhe institucioneve amerikane, ndaj kundërshtarëve të kryeministrit, ndërkohë që ishte përgjegjes për mbikqyrjen e rasteve te tilla.
Në pikën 28 të vendimit theksohet materialet me të cilat Agron Neza furnizoi hetimin e FBI-së për lobimin kundër kreut të PD-së Lulzim Basha dolën nga zyra e kryeministrit.
Pra, është e qartë se Edi Rama dhe ata që kanë lobuar pranë McGonigal, për llogari të tij, janë tejet të involvuar në këtë krim. Nëse nuk do të ekzistonte Rama, nuk do kishte pasur një proces dhe një dënim në Uashington për ish agjentin e FBI. Prandaj ai është aq prezent në verdiktin e gjykatës.
Natyrisht, nuk i takon drejtësisë amerikane të ndëshkojë kreun e qeverisë së një vendi tjetër. Në këtë pikë shpesh opozita jonë ka bllofuar duke rritur pritshëmëritë e besnikëve të saj, se Rama do të ndërshkohej përtej Atlantikut. Por në asnjë mënyrë, kjo nuk do të thotë se nga kjo histori Rama doli i larë. Ai është njeriu për bashkëpunimin me të cilin po dënohet Charles McGonigal. /Lapsi