Diktatura po bllokon rrugën drejt “Strasburgut” për drejtësi, Europa duhet të ndërhyjë

Nga Ndriçim KULLA

Kam pritur gjithë këto ditë të ftohen kokat e ndezura dhe gjakrat e trazuar dhe të demonstrohet arsyeja e kthjellët dhe mbi të gjitha e barazvlerëshme në trajtimin e çështjes së Sali Berishës dhe dhëndrit të tij, tashme të arrestuar në mungesën e plotë dhe totale të flagrancës, e vetmja që do të mund të justifikonte gjithë këtë urgjencë dhe patos të tepruar të drejtësisë së re.

SPAK tregoi më së paku një katrahurë ligjore në ekzekutim, një ” skllavëri” proverbiale ndaj njëanshmërisë në gjykim dhe një dialektikë diletanteske në vizion. Po përse vallë ndodhi e gjitha kjo?

E kemi argumentuar shpesh se Edi Rama do të bënte gjithçka për ta shpëtuar veten nga burgu, dhe se e vetmja rrugëdalje e tij është mbajtja me çdo kusht e pushtetit.

E kemi parashikuar se për një gjë të tillë ai do të jetë gati të plasë edhe një “luftë”. Që kjo “luftë” do të vinte një ditë kjo dihej, dhe që lufta do të shpallej nga SPAK-u, si një patericë e partisë në pushtet, edhe kjo nuk të habit, por që shpata “e shkëlqyer” drejtësisë së re që do të sillte një epokë ndryshimi për gjithë shqiptarët, të ndryshkej kaq paturpësisht nga banaliteti i farsës së sajuar të një dënimi të  sforcuar me marifete dylekëshe dhe vizion po kaq të mjerë, që s’vlen as dy lek, jo, këtë  nuk mund të na e rrokte imagjinata. Dhe kjo për arsyen e thjeshtë se të gjitha këto vlerësime të mësipërme tashmë kanë krijuar një stad, një kut, një masë, një standard, që shkruan kështu: një stekë e ulët drejtësie dhe një stekë humnerore barazie gjykimi.

Berisha dhe kushdo familjar i tij pritej të goditej nën brez, por jo me një nivel të tillë provash e faktesh që kanë vetëm një emërues të përbashkët: hamendësime të tërthorta dhe luftë demagogjike për të diskretituar opozitën.

Gjithçka është tinzare, pavarësisht  se goditet dhëndri, shënjestra është Saliu, po sidomos, lufta nuk është me Saliun, por me opozitën, me zgjedhjet e 2025.

Dhe drejtësia zvarritëse, e paskrupullt e sektit sorosian që  e krijoi, do të dijë ta çojë në kalenda ketë çështje, ashtu siç dhe po ndodh, sepse nuk ka për qëllim zgjidhjen, drejtësinë, po zhurmën, bllokimin, anatemimin me këtë çështje të çdo aksioni opozitar.

Ja, ky është vizioni i drejtësisë së bërë një trup i vjetër me partinë. Pasi i hodhi hi syve popullit me burgosjen e të vetëve, tani synon kreun e opozitës për hiç gjë në krahasim me bëmat e Tahirit, Ahmetajt në arrati, Xhaçkës e kujtdo tjetër. Jo, jo, drejtësia e barabartë dhe e barazvlershme duhet të merrte në SPAK edhe të parin Ramën, duke përdorur po atë standard që përdori me Berishën.

Mirëpo mali i propagandës dhe akuzave të pabaza që ajo po vërvit sa andej këtej nëpër mediet e pushtetit e që do te vazhdojë gjatë ta helmojë publikun, do të pjellë veç një mi precedenti të neveritshëm, që ajo s’do të guxojë ta përdorë më për njerëzit e partisë së vet.

Përkundrazi, do  të mundohet ta bllokojë e vonojë qëllimisht, që zjarri i propagandës të djegë sa më shumë ” mendje” opozitare, sepse ky është qëllimi i tij kryesor, të krijojë një tokë djerrë për opozitën në zgjedhje.

Kjo çështje duhet të zgjidhet shpejt, me urgjencë, ashtu siç u nis, në mënyrë që t’i japë mundësinë zotit  Berisha ta apelojë në Gjykatën e Strasburgut dhe ta fitojë ashtu siç e kanë fituar shumë të tjerë më parë. Drejtësia e pandershme e shqiptarëve që mban emrin SPAK në emër të kombit dhe demokracisë, duhet t’i hapë udhë drejtësisë së ndershme europiane. Ndaj, i bëj një thirrje urgjente përfaqësuesve të Europës që të na e hapin sa më shpejt rrugën drejt Strasburgut, të cilën shteti diktaturë po na e bllokon me kleçka dhe me vonesa absurde për të cilat nuk jep as shpjegim.

Vetëm  Strasburgu, si shpresa e vetme që ka mbetur, do t’i hiqte një barrë të rëndë dhe të padrejtë opozitarizmit në luftën e tij të tmerrshme ndaj këtij regjimi.

About Redaksia

Check Also

Shkumëzimi dhe konvulsionet e një “zdromsi”!

Nga Iva V.GRILLO Gjuha vulgare dhe brendia edhe më vulgare e komunikimit të kryetarit të …

Leave a Reply