Më poshtë mund të lexoni të përmbledhura ngjarjet kryesore të ditës së 11-të të luftës në Ukrainë.
Për shkak të granatimeve të vazhdueshme ruse janë pezulluar evakuimet e civilëve nga dy qytete ukrainase.
Në Irpin, në afërsi të Kievit, autoritetet ukrainase thanë se janë vrarë tetë civilë, të cilët po tentonin të largoheshin.
Në Rusi, mbi 4,000 qytetarë u arrestuan në protestat kundër luftës në Ukrainë.
SHBA-ja tha se po punon që të arrijë një marrëveshje me Poloninë, që kjo e fundit ta furnizojë Ukrainën me avionë të prodhimit rus.
Presidentët e Turqisë dhe Francës kërkuan nga presidenti rus, Vladimir Putin, që të ndalë luftimet në Ukrainë. Presidenti francez, Emmanuel Macron, po ashtu kërkoi që Rusia të ndalë sulmet ndaj centraleve bërthamore në Ukrainë.
Kombet e Bashkuara thanë se mbi 1.5 milion ukrainas janë larguar nga shteti qëkur pushtimi rus nisi më 24 shkurt.