Komisioni Europian, në raportin prej 144 faqe, i ka kushtuar vëmendje edhe refuzimit të Komisioneve Hetimore nga mazhoranca, arsye kjo që ka çuar në përplasje dhe tensione me opozitën në Kuvend.
Raporti i Komisionit Europian konstaton se e drejta e opozitës për Komisione Hetimore garantohet nga Kushtetuta.
“Gjatë periudhës raportuese, opozita kërkoi ngritjen e dy komisioneve hetimore, por mazhoranca i hodhi poshtë të dyja kërkesat, pavarësisht se e drejta e opozitës për të inicuar komisione të tilla garantohet me Kushtetutë. Argumenti i mazhorancës në të dyja rastet ishte se është në shqyrtim një rishikim i ligjit për komisionet hetimore. Ligji aktual, megjithatë, mbetet në fuqi”, thuhet në Raportin e Komisionit Europian për vitin 2023. Në raport thuhet se aktiviteti parlamentar vazhdoi të ndikohej nga polarizimi politik përballë në sfondin e ndarjeve të thella të vazhdueshme brenda partisë me të madhe opozitare. Po ashtu në raport preket edhe çështja e përjashtimeve të deputetëve të opozitës nga punimet e Kuvendit. Komisioni Europian e konsideron si të paprecedentë përjashtimin e 23 deputetëve, dhe nxit një dialog politik më konstruktiv midis opozitës dhe mazhorancës.