Nga Redin HAFIZI
Kjo qeverisje është kthyer në bërthamën e një regjimi që po kap gjithçka dhe vetëm me metoda jashtë sistemit mund të përballohet një qeverrisje që ka dalë nga sistemi. Shpesh duket se vendi është në kushtet e një grushti shteti, pasi kushtetuta po përdoret si letër higjenike. Absurdi, parlamenti voton kundër një vendimi të gjykatës kushtetuese për të drejtën e tubimeve që Shqiptarëve u njihet me kushtetutë. Pra regjimi ka frikë, por ende i fortë për të shtypur kauzat e drejta. Fatkeqësish edhe drejtësia po përdoret si reklamë mediatike, pasi nuk ka drejtësi të vërtetë kur kushtetuta përdoret si letër higjenike për injorantët në parlamentin Shqiptar.
Në një takim me patronazhistë e aktivistë, Edi Rama ka deklaruar për herë të parë se drejtësinë në Shqipëri nuk e ka bërë Amerika, por PS. Asgjë e re për këdo që këtë të vërtetë e ka denoncuar, por Rama këtë e bën për të mbajtur pushtetin e marrë dhunshëm edhe me ndihmën e atij që e solli në krye të qeverrisë për t’u nxirë jetën Shqiptarëve. Soros e njihte megallomaninë deri në psikopati të Edi Ramës dhe nuk mund të gjente njeri më të përshtatshëm për të kapur çdo lloj pushteti. Megjithatë, duket se Rama sot, me ndihmën e injorantëve që e rrethojnë si Spiropali, Bledar Çuçia, Blendi Klosi dhe vajza e Beqir Ballukut po mbajnë me forcë parlamentin. Ishte babai i Belindës që bllokoi konferencën e Tiranës në një tentativë për grusht shteti kundër Enver Hoxhës. Sot Rama dhe Hoxha duken si dy pika uji dhe injorantët rreth tij janë të njëjtët si Lenka Spiropali që vazhdon me budallallëqe që asaj i duhen moderne sot ashtu siç Lenka besonte në kohën e saj. Historia përsëritet në mënyrë spirale.
Presidenti Ronald Reagan ka thënë: “Liria kurrë nuk është më shumë se një brez larg nga zhdukja. Ne nuk e kaluam atë tek fëmijët përmes lidhjes së gjakut. Për atë duhet luftuar, duhet mbrojtur, dhe u duhet dorëzuar atyre që edhe ata të bëjnë të njëjtën gjë, nëse nuk duam që të kalojmë vitet e fundit të jetës duke u treguar fëmijëve tanë e fëmijëve të fëmijëve se si ishte dikur në Shtetet e Bashkuara ku njerëzit ishin të lirë”. Ndërkohë që për një tjetër President Amerikan, Abraham Linkoln, shpjegimi se çfarë është demokracia përputhet me një sistem i popullit, nga populli dhe për popullin. Në fakt edhe Enver Hoxha abuzoi me një shprehje të tillë kur u imponua me parrullën “pushteti buron nga populli dhe i takon popullit”.
Nëse shohim me vëmendje diktatori flet për pushtet dhe jo për sistem. Demokracia edhe pse përkthehet si pushtet i popullit në të vërtetë funksionon si sistem ndërsjellje dhe bashkëpunimi mes pushteteve që u njihet pavarësia përmes kushtetutës. Pavarësia e pushteteve garanton të drejtat e qytetarit ose popullit në një demokraci. Në Shqipëri abuzohet me tezën e drejtësisë, por kjo u kufizua në ndryshimin e disa gjyqtarëve dhe ndërtimin e disa institucioneve në modelin Amerikan. Nëse Amerika e garantonte lirinë dhe drejtësinë për qytetarët përmes agjencive ligjzbatuese atëherë Amerika do të ishte diktaturë. Demokracia në Amerikë garantohet nga Kushtetuta që fillon me “Ëe the people”, pra çdo agjenci në shërbim të njerëzve. Gjithashtu qytetarët njohin të drejtat dhe detyrimet përmes Kushtetutës e jo përmes agjencive. Prandaj në këtë sistem njerëzit e kanë të qartë se edhe kur kryejnë diçka të jashtëligjshme e bëjnë me vetëdije të plotë pasi kanë zgjedhur të jenë kriminele. Pra në një sistem të së drejtës rëndësi ka parandalimi i krimit e jo efiçenca e funksionimit të gjykatave.
Në Shqipër nuk mund të besohet se PS e bëri drejtësinë si një kauzë, por ishte thjesht një mashtrim ashtu si Enveri premtoi se Shqiptarët do hanin me lugë floriri. Kush beson në drejtësi dhe e ka atë ideal, nuk vjedh. Ndërkohë lideri i këtij grupi mund të deklarojë përgjegjësi individuale vetëm nëse pranon dështimin e sistemit të drejtësisë që endërruan. Kur të gjithë shohin një ëndërr dhe tani themi se u bë realitet, nuk mund të besojmë se ëndërra nuk ishte thjesht një mashtrim, kur shohim se dikush ka parë një ëndërr ndryshe nga kryeëndërrimtari. Ndërkohë sërish historia përsëritet në mënyrë spirale kur diktatori bisedonte me Lenkën për ëndërrat ndryshe të Mehmetit, Kadriut dhe të tjerëve. Edhe atëherë propaganda dilte dhe deklaronte se drejtësia funksionoi. Ndërkohë që si atëherë dhe sot në Shqipëri njerëzit nuk kanë të drejta. Të bësh cq koka turku për kapital politik nuk është drejtësi. E drejta ka lindur me kushtetutën në një sistem demokratik dhe jo me emra gjykatësish apo prokurorësh. Ndërkohë në Amerikë ka tentativa që të aplikohet diktatura, sidomos duke ndryshuar Kushtetutën, por qytetarët po rezistojnë.
Nuk është rastësi që në Amerikë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë titullin “Justice”, pra direkt përkthehet “Drejtësi”, pra kur i referohesh një anëtari të kësaj gjykate duhet të thuash Justice Clarence Thomas etj. Nëse shohim etimologjinë Justice vjen nga fjala rrënjë direkt në Latinisht “jus” (shpesh shkruhet “ius”) që përkthimin tamam e ka ligj për drejtësi. Në Amerikë e kanë të qartë dallimin mes titullit “Drejtësi” dhe profesionit gjykatës. Pra titulli nuk është profesion, por aftësi dhe detyrim për të bërë drejtësi. Vetëm duke mbrojtur Kushtetutën bëhet drejtësi dhe jo duke ndërruar gjykatës. Ndërkohë që në Shqipëri u shqep kushtetuta për të bërë drejtësi, ashtu siç bënte Enver Hoxha deri sa e shndërroi kushtetutën në një dokument që mbronte PKSH në fillim, që u ndryshua në PPSH dhe sot është PSSH. Pra nuk mund të ketë drejtësi ku nuk ka liri dhe ku nuk ka drejtësi nuk ka demokraci. Shqipëria është sërish në fazën ku shteti barazohet me pushtetin, por vetëm në një gradë më të lartë të spiralit ku boshti mbetet një, KOMUNISTËT.