Berisha: Duhet të nxisim revoltën! Beteja jonë është pa kthim, ne do të fitojmë!

Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh se, sot është koha të përballemi me të gjitha mundësitë dhe mënyrat me një narkodiktator, i cili konfiskon Kushtetutën. Berisha theksoi se, kjo protestë e deputetëve të opoztiës ne parlament është një betejë pa kthim dhe se demokratët do të fitojnë.

“Ajo protestë, rreth 1-mujore e deputetëve, siç e patë, ndriçoi në të gjithë botën sepse dihet se ç’do të thotë t’i mohosh deputetit, krijimin e komisionit.

Krijimi i komisionit, në rrafshin e të drejtës kushtetuese, është një veto që sovrani i jep pakicës. I jep një veto që nuk e pyet shumicën. Nuk ia jep një deputeti, por ua jep 35 deputetëve së bashku.

Por kur firmosin 35, ata në atë komision janë të pavarur, varen nga ligji dhe Kushtetuta. Prandaj ishte jehona e jashtëzakonshme e episodit në parlament.

Por sot është koha e shembullit, është koha të përballemi me të gjitha mundësitë dhe mënyrat me një narkodiktator, i cili konfiskon Kushtetutën. Konfiskon të drejtat kushtetuese të opozitës.

Ndaj dhe çfarëdo që jemi dhe kudo që jemi, ne duhet të nxisim revoltën. Ju them këtu, beteja jonë është pa kthim. Nuk ka kthim!

Ne kemi dalë në fushë dhe ne nuk kthehemi mbrapa. Ne do fitojmë. Por rëndësi të jashtëzakonshme ka që çdo intelektual, çdo i ri, çdo student, çdo grua, çdo burrë, të dalë në arenë, të poërballemi me këtë të keqe.

Nuk ka të keqe si kjo. Në 32 vite nuk ka ndodhur kurrë që qeveria t’i përcaktojë opozitës pëfaqësuesin. Shqiptarët duhet ët kuptojnë se te Edi Rama është zgjuar Spiro Koleka, është zgjuar xhelati Kristaq Rama që firmoste varjen e njerëzve në vitin 1988. Dhe tani nuk njeh asnjë të drejtë.

Ne e kemi nisur betejën me një vendosmëri absolute dhe do e fitojmë.

Por shqiptarët do mësojnë në vazhdim se çfarë aktesh të shëmtuara, jashtë çdo imagjinate, kryen sot Edi Rama dhe organet e reja të drejtësisë si polici e Sigurimit të Shtetit.

Janë rrëqethëse.

Një gjykatëse jep vendim për 70 qytetarë në një ditë, i dënon me burg dy muaj dhe nuk e zbardh vendimin as pas 70 ditësh. Sepse urdhërohet që të mos zbardhë vendimin. Në një kohë kur ligji e detyron brenda 48 orësh vendimin.

Pra, këto që shihni ju në parlament dhe që shohin qytetarët, janë vetëm aspekti në kupolë i diktaturës. Por kjo shtrihet frikshëm, pamëshirshëm edhe aty ku tha zoti Nuha, që asfikson lirinë, shuan lirinë.

Ndaj dhe sot, në këtë situatë, është e një rëndësie kapitale të ngrihemi në misionin tonë.

Nëse ne nuk ngrihemi sot, ju garantoj se pas një viti, këto që i rreshtuam me shumë të drejtë dhe shumë përgjegjësi e vërtetësi para shqiptarëve, këto do dyfishohen për keq dhe më shumë.

Ajo e keqe, që e ka emrin Edi Rama, nuk ka të ndalur. Dhe ai përbën sot të keqen më të madhe për shqiptarët, pas Enver Hoxhës.

Kjo është thirrja ime për ju, për intelektualët shqiptarë, për studentët e ndëshkuar, paguajnë tarifat më të larta në Europë, vitin tjetër më të larta do i keni.

Koha është të kalojmë në veprim, secili aty ku është të bëjë atë që mund të bëjë, duke i thënë vetes se duhet të bëj diçka për të shpëtuar këtë vend, kundër këtij njeriu.

Kjo betejë është pa kthim, kjo betejë është e destinuar për fitore. Dhe ne do e fitojmë. Por kjo kërkon një angazhim sepse kjo është një diktaturë, dhe ai që nuk e koncepton këtë si diktaturë, mashtron veten”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Tabaku: Të rinjtë në ballë të betejës për fushatën zgjedhore të 11 majit 2025

Partia Demokratike ka zhvilluar ditën e dytë të trajnimit të organizuar në bashkëpunim me Leadership …