Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, vitet më të rënda për demokratët kanë qenë vitet ‘13-’21, udhëheqja e PD u kthye në udhëheqje pazaresh. Berisha tha se, ajo nuk mbrojti interesat e popullit opozitar, nuk mbrojti interesin kombëtar.
“PD u themelua si parti e parë në Europën ish-komuniste që kërkoi anëtarësimin në NATO. Partitë e tjera u themeluan, por në deklaratat e tyre të para, kërkonin jashtë blloqeve, as Varshava dhe as NATO.
Kurse ne direkt NATO dhe ia arritëm të realizojmë këtë ëndërr të madh të shqiptarëve.
Ia arritëm të anëtarësoheshim në Këshillin e Europës. Ia arritëm të lëvizim lirshëm. Ia arritëm të rrisnim të ardhurat për frymë ndoshta si asnjë vend tjetër në kushtet e tregut.
Ia arritëm të dalim nga vendi të tretat më të ulëta në botë krahas Ugandës dhe Angolës në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta.
Ia arritëm që Shqipëria të ishte një vend i jetueshëm, një vend në të cilin popullata rritej nga vit në vit, madje dhe të ktheheshin qindra mijëra familje shqiptare nga emigracioni.
Kjo është trashëgimia e çdo demokrati, e çdo demokrateje, ky është kontributi që dhanë për këtë vend, secili nga ju dhe qindra e mijëra të tjerë që nuk janë sot këtu.
Por, PD është parti idealesh dhe pikërisht se ajo është e tillë, mbetet parti e një vitaliteti të jashtëzakonshëm.
Kujtoni pak vitin 1997, se si u copëtuam. Por kujtoni vitet më pas se si u ngritëm jashtë çdo lloj parashikimi. U rikthyem dhe ndërmorëm reformat që përmenda.
Vitet më të rënda, më të vështira për ju demokratë kanë qenë vitet ‘13-‘21.
Sot bisedoja me një bashkëpunëtor timin dhe më thotë se nuk e kuptoj, këta që takoj unë, demokratët na thonë se ne e mbështesnim Lulzim Bashën për shkak të Doktorit. I them unë se kjo është absolutisht e vërtetë dhe të gjithë ata që thonë këtë, thonë të vërtetën.
Nuk dua të ndalem, por drama që përjeton sot Shqipëria i ka rrënjët pikërisht nga shndërrimi i udhëheqjes së PD nga një udhëheqje e guximshme dhe idealiste në një udhëheqje pazaresh të turpshme. Pazaresh amorale. Dhe ajo po e çonte këtë forcë të mrekullueshme politike de facto drejt shuarjes së saj morale. Drejt transfigurimit të saj në një forcë që nuk duhej të ekzistonte. Ajo nuk mbrojti interesat e popullit opozitar, nuk mbrojti interesin kombëtar”, tha Berisha.
Gazeta RD