Vrasja në burgun e Peqinit/ Skaneri dhe kamerat e sigurisë nuk punonin që nga 21 Tetori

Në burgun e Peqinit skaneri nuk punonte që nga 21 Tetori, po ashtu dhe me kamerat e sigurisë kishte probleme dhe nuk mbulohej e gjithë hapësira e brendshme e burgut.

Gazetari Artan Hoxha ka publikuar në emisionin Opinion raportin e drejtorit të komanduar të burgut të Peqinit, Kamber Hoxha, i cili më 30 Nëntor pasi ishte deleguar në atë institucion, kishte evidentuar një sërë problematikash në këtë institucion të vuajtjes së dënimit.

Kamber Hoxha, i cili tashmë është i arrestuar për vrasjen brenda burgut të Peqinit më 15 Dhjetor 2023, evidentonte faktin që skaneri në këtë burg të sigurisë së lartë nuk funksiononte që prej 21 Tetorit.

“Skaneri për kontrollin e bagazheve nuk funksionon që nga data 21 Tetor 2023. Që nga Tetori, ti thua si ka hyrë arma, s’ka pra skaner aty. Kjo është në raport. Nga data 21 Tetor nuk punon skaneri. Aty në momentin që nuk punon skaneri, duhet në mënyrë urgjente të rikthehet skaneri se bëhet hataja, është burg i sigurisë së lartë”, lexoi raportin Artan Hoxha.

Po kështu, edhe me kamerat e sigurisë kishte probleme dhe nuk mbulohej e gjithë hapësira e brendshme e burgut.

“Sistemi i monitorimit të kamerave të sigurisë ka probleme me teknologjinë. Në regjim të brendshëm ka ambiente të përbashkëta që përdoren për aktivitete të ndryshme me të burgosurit si klasa, palestra, dhoma takimesh me familjarë, virtuale online, takime me avokatët, rrugëdaljet për në ajrosje që janë të pamonitoruara nga kamerat e sigurisë në të dyja godinat. Këto korridoret mbulohen vetëm me një kamera, por duke patur parasysh faktin se sektorët kanë një gjatësi të konsiderueshme, e bën të pamundur mbulimin me 1 kamera”.

Një tjetër problematikë e evidentuar në raportin e drejtorit të komanduar, është fakti që dyert e qelive hapen me një çelës të vetëm, ndërsa shulat janë të cilësisë së dobët.

“Të gjitha dyert e banimit të burgosurve në sektor hapen me një çelës të vetëm, ndërsa drynat e shuleve të cilët mbyllen në turnin e tretë janë cilësi shumë e dobët, gjë e cila cënon rëndë sigurinë e institucionit dhe vetë të burgosurve”.

About Redaksia

Check Also

Veliaj shantazhon gazetaren pse i publikoi aferat korruptive

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shantazhon gazetaren që ka publikuar fakte të shumta …