Nga Gent STRAZIMIRI
Si mundem mos të të mirëkuptoj kur më qan hallin dhe më shpjegon se sa të vështirë e ke përditshmërinë që në sekondën kur hyn në zyrë për të filluar ditën e punës?
Madje që rrugës për në zyrë, kur mendon se aty të pret idioti që të kanë vënë shef;
* që nuk kupton asgjë nga detyra që ka; * që as i intereson të mësojë diçka sepse është thjesht patronazhist;
* që në fakt të vetmen detyrë ka që të sigurohet se ti dhe cilido që ke në “libër shpie” e më gjerë, do votojë për “partinë”.
Si mundem mos të të mirëkuptoj kur mallkon ditën kur ke hapur një profil në rrjetet sociale, sepse përmes tij të gjurmojnë se:
* çfarë shkruan;
* kujt ia shkruan;
* sa herë i ke bërë “like” apo “share” shefit, veçanërisht në fushatë zgjedhjesh?
Dhe për çfarë e gjithë kjo?
Për një rrogë urie pa të cilën nuk do paguaje dot kredinë…?
A mundem mos të të mirëkuptoj kur më shpjegon se si të ndalet zemra kur i sheh në derë të dyqanit si bandë, grupet e “inspektorëve” që vijnë vetëm për të të grabitur me gjobë xhiron e ditës, madje edhe kur në arkë ke vetëm disa qindarka sepse dita e punës ende nuk ka filluar mirë?
Ç’dreq njeriu do të isha nëse nuk do të të mirëkuptoja kur më rrëfen se sa do doje të ishe aty në protestë pranë meje, por nuk del dot, nga frika se të shohin e të bëjnë gjëmën që të nesërmen…
Në zyrë të shtetit apo në dyqanin që mezi po e mban në këmbë, sepse punon vetëm për t’u paguar “këtyre” taksat dhe gjobat, dhe ajo që mbetet nuk mjafton përveçse për t’u ushqyer…?
Si mos të ta mbaj hallin kur më shpjegon se nuk dole të votoje apo më keq akoma votove për “këta” megjithëse je demokrat, sepse “vetëm aq” të kërkuan:
* në këmbim të “legalizimit të shtesës”,
* apo në këmbim të atyre dy tavolinave shtesë në trotuar tek dera e kafes,
* apo se “të ra në qafë kunati”, vajza e të cilit është në punë “tek këta” dhe duhej të plotësonte “20-shen” e saj që të ruante atë copë rrogë…?
Në facebook apo instagram, tek them të vërteta si kjo që po shkruaj, nganjëherë kam më shumë mesazhe mbështetëse në inbox se sa “like” dhe “komente” publike, pikërisht se ti je në hall e më kërkon mirëkuptim që “nuk del dot hapur”, dhe unë sigurisht që të mirëkuptoj!
Sigurisht që jo vetëm të mirëkuptoj por edhe ndjehem në faj kur më pyet “Hë, ç’po bëni ju? Do bëni ndonjë protestë? Kur do i merrni përpara siç e meritojnë?”
Në fund të fundit vetë e kam zgjedhur që në emrin tënd, t’u qëndroj përballë atyre që të kanë vënë nën thundër, e që të përdhunojnë duke të kërcënuar me bukën e fëmijës… sepse siç thua ti “për këta fëmijë po përpiqemi”!
Mirëpo vjen një ditë që fëmijët dalin vetë në rrugë, kundër kësaj qeverisë që po të përdhunon, pikërisht sepse ata vetë e refuzojnë nënshtrimin përmes përdhunimit që, pas teje po u afrohet edhe atyre…
Unë jam aty, pranë tyre… por ti nuk je, dhe këtu më fillon keqkuptimi…
Të pyes dhe, ti, pasi më ve në dukje sa pak ishim, më kërkon sërish mirëkuptimin që nuk ishe aty, duke nisur nga e para me:
* nevojën “për të ruajtur vendin e punës”,
* “frikën e shembjes së shtesës së palegalizuar”,
* “frikën për ato dy tavolina shtesë në trotuar”,
* “frikën për mësymjen e tatimorëve, inspektorëve e inspektoriateve” që “nuk pyesin për ligj por të venë drynin”…
Frika është njerëzore dhe, edhe këtë e mirëkuptoj plotësisht por ti i je dorëzuar frikës, aq sa nuk del dot as në krah të fëmijës tënd, dhe unë nuk të mirëkuptoj dot më…
Frikës i je dorëzuar aq sa as instikti prindëror nuk të nxit të dalësh në rrugë, jo për demokraci, jo për liri, jo për nevojën e ekzistencës së opozitës si elementi kryesor i një shoqërie që jeton e merr frymë si e tillë!
JO!
Frika të ka vënë përfund aq sa nuk të lë të jesh më as prind në mbrojtje të fëmijës tënd, e jo më qytetar i përgjegjshëm në mbrojtje të të drejtave të shoqërisë…
Veçanërisht kur je gazetar, dhe menjëherë pasi ke mbyllur intervistën ku më ngarkon fajin me pyetjen “ç’po bën opozita” dhe, të kam përplasur përgjigjen “live”, më kërkon mirëkuptimin jashtë kamerave se edhe ti ke “një pronar sipër koke”, se edhe ti ke “një kredi për të paguar”… refuzoj të të mirëkuptoj!!!
Sepse ky keqkuptim për shkak të mirëkuptimit të plotë, nën frikë, mes nesh të gjithëve, po e merr në qafë këtë vend me të gjithë ç’ka brenda, përfshi dhe fëmijët…
Në emër të fëmijëve dhe të ardhmes së tyre në këtë vend, nuk duhet të mirëkuptohemi në frikë e nën frikë, sepse kjo frikë po vret fëmijët e Shqipërisë!
Le të mirëkuptohemi së pari me fëmijët tanë, si prindër, secili në krah të fëmijës së vet në betejën e tyre, e pastaj të gjithë bashkë, si qytetarë në mbrojtje të fëmijëve të Shqipërisë.
Gazeta RD