Ish-Kreu i Krimeve të Rënda, Eugen Beci tha se janë një sërë pyetjesh që Prokuroria shqiptare mund të zbulojë për takimet e ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, Charles Mcgonigal.
Reagimi vjen ndërkohë që SPAK mori në pyetje për disa orë, Agron Nezën këtë të hënë, i konsideruar si personi që ndërmjetësoi takimin e agjentit me Ramën dhe i dha paratë ish-zyrtarit të lartë të FBI-së.
“Pranimi i faktit penal është një lloj gjykimi që kthehet në një dosje, në një provë. Kemi shtetas shqiptarë të implikuar ose si persona që kanë bashkëpunuar ose kanë dijeni dhe në këtë rast, kemi një subjekt politik siç është Partia Demokratike e dëmtuar. Prokuroria e Posaçme deri më tani nuk ka pranuar këtë lloj hetimi, por kishte një lloj detyrimi për ta nisur këtë hetim, pasi kemi shtetas shqiptarë të përfshirë. SPAK nuk i kushton asgjë të deklarojë plot gojën se ka filluar hetimin. A janë të vlefshme këto deklarime?
Vetëm vendimi i Gjykatës Amerikane është i vlefshëm për të dhënë rrethana dhe prova për të provuar faktin penal në Shqipëri. Kemi dy aspekte, veprimtari të drejtpërdrejt në Shqipëri të kryer nga Mcgonigal, kemi veprimtari të drejtpërdrejtë të organeve ligj zbatuese shqiptare që kanë kontaktuar këtë person. Prokuroria duhet të zbulojë se si kryeministri ka bërë takime të pa protokolluara dhe të pa dokumentuara me një ish-agjent të FBI-së, a kanë pasur dijeni autoritetet shqiptare? Një agjent i thjeshtë kur vjen në Shqipëri ka protokolle të caktuara. Njofton ambasada amerikane për takime të tilla. Të gjitha këto duhen parë se si në Republikën e Shqipërisë kanë kaluar takime të tilla”, tha ish-prokurori në News24.