Genc Gjokutaj, avokati i liderit të opozitës, Sali Berisha, deklaroi në përfundim të seancës së radhës në SPAK se, me vendimin e sotëm u dekriptua në plotësisht qëllimi politik që po përmbush gjykata për t’i djegur mandatin e deputetit Berisha.
“Ne kemi vijuar me ankimin e rrëzimit. Sot ishte seanca për shqyrtimin e këtij ankimi me një paradoks. Sot është dekriptuar plotësisht se qëllimi politik po realizohet në mënyrë rigoroze nga kjo gjykatë. Pse?! Në kohën e marrjes së masave së sigurimit në tetor ndaj z. Berisha, masat ishin të pakomunikuara dhe ata i konsideronin të komunikuara dhe të ekzekutuara. Sot ndodh e kundërta.
Ndërkohë që fletëthirrjen e ka firmosur e bija e z. Berisha dhe ka një raport të Policisë që z. Berisha ka marrë dijeni, Gjykata nuk e konsideron këtë si të njoftuar dhe shtyn seancën. E gjithë shtyrja e seancës është për të vonuar, siç caktoi edhe datën pas dhjetë ditësh, është për të vonuar gjykimin e kësaj kërkese, sepse i vetmi qëllim i kësaj gjykate dhe i politikës që fshihet pas saj është djegia e mandatit të deputetit të z. Berisha.
Ajo është shtyrë për në datën 8 shkurt, të shikojmë se ç’marifet tjetër do të nxjerrë gjykata”, tha avokati Gjokutaj.