DEKLARATA E DORIAN TELITIT:
Mirëdita të nderuar qytetarë!
Prej 11 vitesh jetesa është vështirësuar, është bërë më e kushtueshme dhe mirëqënia jonë nuk ka parë ditë të mira.
Prej 11 vitesh qytetarët dhe bizneset shqiptare janë përballur me sfida nga më të ndryshmet, duke luftuar çdo ditë për mbijetesë, ndonëse një pjesë e mirë e ka humbur këtë betejë.
Prej 11 vitesh shqiptarët kanë përballë një makineri qeveritare që çdo ditë ka menduar vetëm si e si të godasë dhe të mbajë nën hyqem si qytetarin ashtu edhe sipërmarrësin, duke përdorur çdo instrument, duke filluar nga kontrollet arbitrare, e deri te procedurat e komplikuara dhe rritja dyshifrore e taksave dhe tatimeve.
Të shumta janë raportet e organizatave vendase dhe atyre ndërkombëtare që flasin me shqetësim për normat e larta të taksimit në vendin tonë, për paratë më shumë të paguara nga shqiptarët si pasojë e rritjes së tyre, dhe shpërdorimet për koncesione, lukse e vendime të humbura në gjykatat ndërkombëtare.
Këto ditë Instituti Ndërkombëtar për Taksat, publikoi në raportin e saj renditjen e vendeve të rajonit përsa i përket Tatimit mbi të Ardhurat Personale, apo e thënë ndryshe tatimit mbi punën, trurin, mundin dhe djersën.
E ku mund të ishte e renditur Shqipëria? Ku mendoni ju? Aty, po po aty, në krye të listës për normën më të lartë të tatimit mbi të ardhurat personale, me 23%-shin krenar rilindas, e cila ka gërryer të ardhurat e shqiptarëve, të ardhurat e shtresës së mesme, të cilët kanë qenë dhe mbeten shtresa guximtare dhe intelektuale e shoqërisë tonë.
Askush si ne, asnjë vend i rajonit, të gjithë ata duke filluar nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, e deri te Rumania dhe Bullgaria, tatimin mbi punën e kanë në masën 10%, apo të paktën 2 herë më të ulët se vendi ynë.
Të dashur qytetarë,
Nëse ke për qëllim të dëmtosh ekonominë e vendit tënd, nëse ke për qëllim të godasësh konsumin, nëse ke për qëllim të shkurajosh investimet si vendase ashtu edhe të huaja, nëse kë për qëllim të largosh njerëzit e të shpopullosh Shqipërinë, një prej mënyrave më të shpejta dhe eficente është ajo e rritjes së barrës fiskale e sidomos rritja e taksimit mbi djersën dhe mundin e atyre që punojnë, dhe fatkeqësisht sot mund të themi me plot gojën se qeveria e ka arritur qëllimin e saj.
Qeveria ja ka dalë të mbysë shpirtin kurajoz, krijues, sipërmarrës e punëtor të shqiptarëve, dhe sot që flasim Shqipëria është shpërfytyruar në një vend me ekonomi që pak prodhon e shumë njerëz humbet rrugëve të emigrimit.
Potencialet e vendit tonë janë të mëdha, dhe fakti që 12 vite më parë vendi ynë merrej si shembull i suksesit, shembull në thithjen e investimeve të huaja, shembull i menaxhimit të ekonomisë në kohë krize botërore, etj, tregon qartësisht se nëse ke vullnet dhe ndërmerr politikat dhe hapat e duhur vendi ynë do mund të shohë dritën në fundin e tunelit.
Ndaj Partia Demokratike, riktheson edhe njëherë qëndrimin e saj politik dhe programor, që ditët e para të marrjes së drejtimit të punëve me votën tuaj të lirë, do të ulë ndjeshëm taksat dhe do të rikthejë menjëherë skemën e taksës së sheshtë.
Taksa e sheshtë mbi të ardhurat personale në masën 10%, duke ruajtur fashën mbrojtëse ekzistuese, do jetë sinjali i parë që do perceptojmë të gjithë që ky vend me shumë mund e punë një ditë do bëhet një vend normal për të jetuar e rritur fëmijët tanë, një vend normal për të zhvilluar veten dhe sipërmarrjen vendase!
Ju faleminderit!