Kryetarja e degës së PD në Himarë, Afrovita Dhimojani, ka mbajtur fjalën e saj sot në protestën e opozitës para Kryeministrisë. Ajo u ndal pikërisht te arrestimi i Fredi Belerit, kryetari i zgjedhur i Himarës, të cilën e cilësoi të padrejtë dhe politik me urdhër të Ramës.
Gjatë fjalës së saj, ajo iu drejtuar kryeministrit Edi Rama duke thënë se “Himarën e ka humbur dhe nuk e mban dot peng”.
“Kryetari i zgjedhur i bashkisë Himarë, Fredi Beleri vazhdon të mbahet në paraburgim prej më shumë se 9 muajsh, çdokush me njohuri minimale, juridike dhe politike, e pranon publikisht që e gjithë çështja nisi nga etiketimi denigrues i Ramës në Himarë, e pasoi në çdo qytet të Shqipërisë deri në mesnatën e datës 12 maj… ku në mënyrë banditeske u arrestua kandidati i opozitës Fredi Beleri në qytetin e Himarës.
Si pjesë e showt policor që ka për zakon kjo qeveri në formë propagande për të përcjellë frikë dhe panik.
Përmbledhja e kësaj fabule nga ana e SPAK-ut përfundoi me pretencën e saj ku kërkoi dënimin me 2 vite e 6 muaj të kryetarit fitues Fredi Beleri, bazuar në dëshmi penaliteti të falsifikuara, dëshmi kontradiktore, nga persona të infiltruar nga Policia e Shtetit për të thurur komplote.
Ky regjim na mohon të drejtën e votës, pronës, fjalës, pluralizmit politik, duke asgjësuar opozitën me arrestimin e Berishës, kryeartin e bashkisë Himarë Belerin, Malltezin dhe shumë qytetarë të tjerë duke përdorur drejtësinë e re. Himara po mbahet peng në një proces të padrejtë ligjor. Beleri vazhdon të mbahet në paraburgim më shumë se 9 muaj. Ne jemi këtu për t’i thënë Ramës që Himarën e ka humbur dhe nuk e përçan dot”, u shpreh Dhimojani.