Pranvera SHEHAJ
Sa herë kam dëshirë të reflektoj heshturazi dhe vetëm përmes letrës mbi virtyte a vese të ndryshme që portretizojnë origjinën time, shoqërinë dhe vendin nga vij, përherë mbetem peng i paradokseve emocionale, psikologjike e karakteriale që përveshin identitetin tonë. Njëjtë më ndodh sot, ndërsa mendoj mbi raportin e shqiptarëve me dijen. Dija, mençuria ose urtësia intelektuale siç e quaj unë, është lartësim i vyer i kuptimit të jetës sonë. Ajo laton magjikisht karakterin e njeriut për më mirë. Dija e bën të mirin, të përsosur, e të keqin, jo mjaftueshëm të mirë. Dija, mençuria dhe etja e saj për t’u rritur vazhdimisht brenda nesh, derisa të kemi frymë, është dhuratë prej së lartmi do thoja, referuar edhe besimit fetar tek i cili gjej paqen.
Dija është shpëtim nga mediokriteti, imunizim i përjetshëm nga ligësia dhe premisë e padiskutueshme për të dhënë më shumë nga vetja për veten, për brezin nga i cili vijmë e për brezin që do të lëmë pas. I referohem gjithmonë asaj kuptimplotës, dijes që nuk mund të rritet e të bëhet e dukshme pa durimin, vullnetin, kohën e gjatë, sakrificat përtej të zakonshmes, dhe mungesës së vetëdijes se di mjaftueshëm. Fatmirësisht e fatkeqësisht dija të përfshin vetëm indirekt, ajo i jep formë të përsosur qenies tënde në raport me veten e me këdo që të rrethon, por në dukje ajo është e ashpër, aq e ashpër sa i vesh të diturit me pasigurinë se nuk dinë mjaftueshëm.
Megjithatë, kur dija nuk gjen hapur derën e meritokracisë, ajo vret. E çuditshme, por po, dija, çaste-çaste, edhe vret. Ashtu si dija i ngjan një uragani që nuk i tutet asgjëje me kushtin e vetëm të meritokracisë, ajo izolohet, mbytet dhe heshtet në mungesë të saj. Në mungesë të meritokracisë, dija dhe njerëzit e ditur zgjedhin një nga tri rrugë: izolohen në vetminë e tyre, bien viktima të mediokritetit dhe ndalojnë së rrituri, ose arratisen në kërkim të meritokracisë. Të treja këto rrugë ma kujtojnë vendin tim, dhe raportin e shqiptarëve me dijen. Fati, po aq sa zgjedhja jonë e deshi që ne të jemi të njollosur e të dënuar ta kujtojmë veten si të tillë për përdhosjen, shkelmimin, padrejtësinë e mëkatin që bëmë ndaj mendjeve të ndritura të vendit tonë për disa dekada.
Më para e më pas asaj errësire, historia na ka vërtetuar se Shqipëria i do të diturit, por deri në kufirin e përcaktuar nga një ves i vrazhdë i shoqërisë sonë: frika ndaj të diturve. Nëse hedh sytë pas në kohë, pa dashur të përmend asnjë mendje të mençur për të mos harruar një tjetër, Shqipëria dhe shqiptarët, të diturit i duan t‘i përvetësojnë, thuajse si simbole të krenarisë që përmbushin egon e të qenurit shqiptar. I duan të thonë se ai, ajo, ata të mençur që diku në botë bënë diçka, janë shqiptarë. Shqiptarë që duhen mbajtur larg Shqipërisë, si thesare të çmuara të vitrinës për sytë e botës, si përkatësi e një shoqërie që vendimmarrjen dhe mundësinë për ta lartësuar Shqipërinë, nuk ia dha kurrë të diturve, nuk ia dorëzoi kurrë dijes, në kuptimin e plotë dhe absolut të saj.
Ne jemi një shoqëri që manifestojmë një stepje a frikë të çuditshme ndaj dijes, të diturve, intelektualëve e të mençurve (shmang përdorimin e termit ´inteligjent´ sepse më duket viral, i keqpërdorur dhe i marrë me dhunë nga kushdo që i mbush mendjen vetes se e ka një formë inteligjence a një tjetër). Duke besuar se ne vuajmë masivisht nga ajo që në terma psikologjikë në anglisht do të quhej “the lazy ambitious” (dembeli ambicioz), përballja me dikë më të ditur se ne na ndez një zjarr konkurrues, na jep një energji që zor se gjej ku e kishim mbartur më parë, dhe na mbush me besimin se s‘na duhet as mendja, as koha, as rrugëtimi i tij për të qenë shumë më shumë se ai, qoftë materialisht, qoftë në pozitë shoqërore. Ne nuk e dimë se dukemi kaq patetikë kur ndaj të diturve nuk menaxhojmë dot zjarrin e konkurrencës që buron pikërisht nga mungesa e mjaftueshme e dijes.
Për ta kaluar nga rrafshi social tek ai socio-politik, do të ndalesha tek nje tjetër ves i yni që i shpall luftë dijes dhe të ardhmes së lavdishme që sjell ajo për një komb: hipokrizia. Meritokracia, – dera që zbulon frutin e dijes, ajo pa të cilën dija mbetet vetëm përkatësi individuale dhe nuk vendoset dot në funksion të një shoqërie më të mirë e të një kombi më të ndritur, – është koncept kaq intrigues dhe tërheqës për t’u përqafuar teorikisht, por po kaq i vështirë për t‘u përvetësuar realisht nga ne shqiptarët. Kjo na bën hipokritë, një hipokrizi që ndriçohet sa herë që propaganda jonë se kemi mësuar mjaftueshëm nga bota e zhvilluar për t’u mbështetur vetëm në meritokraci, përleshet me patologjinë tonë për t‘i gjetur anën, mikun apo rastësisht fatin për të arritur një ambicie tonën.
Kjo hipokrizi është kaq fatale kur manifestohet në rrafshin politik, sepse aty vendimmarrja është përcaktuese e fatit të kombit. Politika, ashtu si vetë shoqëria ka mbetur hipokrite në raportin me meritokracinë, e keqardhje është nëse edhe brezat e rinj, të mbrujtur në terrenin shqiptar, a të brumosur në shoqëri ku meritokracia vështirë se negociohet, mbeten hipokritë. Më venitet shpresa, sa herë kam ndjerë, kam parë e shoh se edhe brezi im, bashkë me ata mbase më të rritur a më të rinj se unë, trashëgon një ndjenjë hipokrizie ndaj meritokracisë, herë të theksuar e herë të moderuar, herë të dëmshme e herë të papërfillshme, por gjithsesi të manifestuar në preferencën për të mirin, por jo për më të mirin, në lartësimin e të mençurit, por jo më të mençurit, në hijëzimin e intelektit absolut dhe në dritëzimin e intelektit të moderuar të miksuar me disa lidhje si ato që ne shqiptarët dimë të gjejmë.
Të përvetësosh meritokracinë, ta konsiderosh atë busull të rrugëtimit tënd dhe të mos shkelësh mbi parimin e betimit për të as kur planet, pozita, statusi dhe ëndrrat e tua cënohen, kërkon vigjilencë, besim në vetvete, aftësi për të njohur limitet e tua, mungesë të theksuar hipokrizie, një ndjenjë të veçantë drejtësie, respekt për veten, dhembshuri për vendin dhe madhështi njerëzore. Bëjmë mirë të kuptojmë se e drejta për të gjykuar padrejtësitë e të shkuarës na lind kur të jemi ngritur mbi vogëlsinë e ambicies, e kur ta dimë se reflektojmë pastërti absolute dhe dinjitet në raport me dijen dhe meritokracinë, atëherë kur të jemi të bindur se nuk kemi asnjë grimcë të asaj që zotërojmë, pa meritokraci. E duam sinqerisht vendin vetëm kur të ndjejmë se nuk kemi frikë ndaj më të mirit, por ndihemi të bekuar se mes nesh mbase është më i miri se unë, më i mençuri se unë, më i dituri se unë, më i afti se unë. Jemi shqiptarë të mirë vetëm kur gjumin të na e shqetësojë ndjenja e fajit se kemi diçka që i përket tjetërkujt, sado e pavlerë qoftë, materiale a statutore.
Nuk e dimë si do të ishte kjo Shqipëri sikur dija, meritokracia dhe gara të kishin qenë i vetmi çelës drejt së nesërmes. Nëse edhe për ne vështirë se janë, ç’na bën të mendojmë se Shqipëria jonë nesër do të jetë ndryshe nga kjo që trashëguam?!
Gazeta RD