8 milionë dollarë kanë hyrë në të ardhurat e shtetit, në tatime nga 8 milionë turistët, pra vetëm 1 dollarë për secilin…
Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në tubimin qytetar në ditën e 79-të, u ndal edhe në atë që e cilësoi si “tele turizmat”. Berisha tha se, 8 milionë turistë kanë vendosur vetëm 1 dollarë për secilin. Berisha tha se 8 milionë dollarë kanë hyrë në të ardhurat e shtetit, në tatime. Sipas tij, kjo jo se ata nuk kanë shpenzuar secili qindra e qindra dollarë, në mos mijëra, gjatë qëndrimit apo kalimit në Shqipëri.
Berisha theksoi se ja se si varfërohen shqiptarët çdo vit e më shumë, se si vidhen gjithnjë e më shumë, se si tirania e varfërisë bëhet gjithnjë e më e rëndë për qytetarë që jetonjnë në një vend me pasuri përrallore.
FJALA E PLOTË
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufijshme për ju, misionare dhe misionarë të pamposhtur të vlerave, të idealeve demokratike, të shpresës, guximit dhe besimit të shqiptarëve.
Një nderim të veçantë kam për oratorët, që nga kjo tribunë e parlamentit të lirë, me guxim, shpërndajnë mesazhe shprese, mesazhe optimizmi, por dhe denoncojnë në të gjitha aspektet anët e saj, të keqen e madhe që ka kapluar sot Shqiërinë.
Diktaturën e Edi Ramës, të bazuar në aleancën e pushtetit me krimin, me vjedhjen e qeveritarëve, me drogën.
Të bazuar në tiraninë e varfërisë, që bëhet çdo ditë e më e rëndë, më e madhe, për qytetarët shqiptarë.
Kjo rrugë dhe ju misionarët e saj, me armën e të vërtetës, po zgjoni te mbarë shqiptarët, guximin, vendosmërinë për të mbrojtur kauzën e drejtë, kauzën e lirisë, kauzën e dinjitetit, kauzën e vlerave të një shoqërie të lirë, pa të cilën nuk ka zhvillim, nuk ka begatim, nuk ka të ardhme. Pa të cilën nuk ka integrim në Europë, si e ardhmja më e mirë e kombit shqiptar.
Miqtë e mi!
Po të kthehemi pas, vetëm një muaj pas zgjedhjeve të vitit 2013, Komisioni Europian vendosi të propozojë statusin e vendit kandidat. Ju rikujtoj dhe njëherë se Edi Rama, atë vjeshtë bëri udhëtimin më të turpshëm të jetës së tij. Udhëtimin më të turpshëm që një kryeministër mund të bëjë.
Ai në atë kohë nuk kishte Ismailin, avionin e tij personal, por me British Airways, fluturoi në Londër. Fluturoi në Londër dhe i kërkon ambasadorit shqiptar që t’i organizojë një takim jo me ministrin e Jashtëm, jo me zëvendës-ministrin e jashtëm, jo me kryeministrin, por vetëm me drejtorin e Europës Juglindore.
Habi e madhe. Drejtori iu përgjigj ambasadorit: Unë në zyrë, protokolli nuk më lejon të pres një kryeministër. Por unë do vij në hotel ta takoj kryeministrin tuaj.
Erdhi në hotel, dhe cila ishte kërkesa miqtë e mi? Kërkesa e Edi Ramës ishte një lutje për qeverinë britanike, që të mos miratonte statusin e kandidatit gjer në pranverë, në mënyrë që të mos dukej se ky status iu dha qeverisë së Sali Berishës.
Nga ajo ditë, të dashur miq, nga dhënia e statusit të kandidatit, integrimi në BE u bë një horizont i pakapshëm, një horizont që largohet gjithnjë e më shumë nga shqiptarët.
Ju jeni dëshmitarë se si në tetor, përfaqësuesi i BE, u tha shqiptarëve se në dhjetor do keni një lajm të madh. Por lajmi i dhjetorit nuk ishte hapja e negociatave sipas kapitujve përkundrazi ishin pesë kushte, sepse Edi Rama brenda tre muajve, i dha breshëri goditjesh të reja demokracisë shqiptare.
Sepse Edi Rama nuk ka asnjë parim, nuk ka asnjë vlerë, nuk ka asnjë ideal, përveç pushtetit dhe vjedhjeve të tij, përveç pasurimit të tij të paligjshëm, përveç përqendrimit në duart e tij të të gjitha pushteteve. Kontrollit të plotë dhe total të drejtësisë. Favorizimit dhe mbrojtjes së bandave dhe krimit.
Të gjitha këto bashkë me zgjedhjet e majit, e nxorën Shqipërinë përsëri jashtë procesit të integrimit.
Miqtë e mi!
Në një vend ku të gjitha pushtetet janë në duart e një njeriu, në atë vend të gjitha fatkeqësitë e mëdha vijnë nga ai njeri. Nuk ka fatkeqësi më të madhe për një komb, nuk ka fatkeqësi më të madhe për një vend, sesa përqendrimi i të gjitha pushteteve në duart e një njeriu, i cili ka vetëm një emër: diktator, diktator, diktator!
Ndaj dhe thirrja ime për çdo shqiptar, të marrë kthesën, kthesën e historisë.
Kthesën për t’u vërsulur kundër diktaturës së re, e cila provohet në shumë aspekte si diktatura më shfarosëse ndaj shqiptarëve.
Të dashur miq!
Ju dëgjoni natë për natë, dhjetëra herë televizionet e kontrolluara nga qeveria, të cilat le t’i quajmë së bashku për mirësi, tele-turizmat.
Por ato kanë me borxh, gjysmën e lajmeve t’ua japin për turizmin, për bukuritë e ndaluara për shqiptarët, për miliona e miliona turistë që hyjnë në këtë vend.
Por asnjë prej tyre nuk ua thotë ndonjëherë se në të ardhurat tuaja qytetarë, 8 milionë turistë kanë vendosur vetëm 1 dollarë për secilin. 8 milionë dollarë kanë hyrë në të ardhurat e shtetit, në tatime. Kjo, jo se ata nuk kanë shpenzuar secili qindra e qindra dollarë, në mos mijëra, gjatë qëndrimit apo kalimit në Shqipëri.
Por këto qytetarë, nuk i përfitoni ju, këto i përfitojnë klanet e qeverisë.
Këto i përfitojnë investitorët strategjikë të qeverisë, që ngrenë resorte pa taksa e tatime. Ngrenë resorte, ndërtojnë resorte me narkoeuro, me trafiqet e drogës. Dhe ata për vite e vite, 15 apo 20 vite, janë pa taksa e tatime. Prandaj ju nuk merrni më shumë se 1 dollar për turist, si në asnjë vend tjetër të planetit.
A nuk është kjo një vjedhje e tmerrshme? A nuk është ky një abuzim?
Po 8 milionë turistë, sikur vetëm 100 dollarë të kontribuonin me shpenzimet e tyre në të ardhurat e këtij vendi, a e dini se ç’do të thotë kjo miq? Kjo do të thotë 1.1 herë fondi i përgjithshëm i pagave të Shqipërisë.
Pra, rrogat tuaja vetëm me këtë kontribut, do rriteshin 100 përqind, 110 përqind.
Pensionet tuaja do të rriteshin 80, 90 përqind.
Atëherë, në emër tuaj, do t’u them teleturistëve, flisni për turizmin, por flisni edhe për vjedhjen e tmerrshme që Edi Rama me strategjikët e tij, u bën të ardhurave të turizmit. Thojuni shqiptarëve, se edhe skllevër po të ishin, do u takonte më shumë se 1 dollarë për turist.
Më thoni ju mua, atëherë, këto bukuri përrallore që ka, dhe unë ju them që Shqipëria ka bukuritë më përrallore, nuk di ndonjë vend tjetër të ketë bukuritë e saj në brigjet, në male, në lumenj, në kudo.
Çfarë përfitoni ju o qytetarë nga këto bukuri? Ju përfitoni 1 dollarë për turistë o qytetarë, sepse qindra dollarë për turistë i vjedhin klanet e qeverisë me strategjikët e tyre.
A nuk është kjo shndërrim i pasurive publike në një mallkim, përqeshje për qytetarët?
Të gjitha këto vijnë se këtu ligj nuk ka. Të gjitha këto vijnë se këtu pushtetet janë në dorën e një njeriu. Të gjitha këto vijnë se ai njeri nuk mendon gjë tjetër, veçse të bëhet supermiliarder, Al-Alabar, etj, etj, duke varfëruar, duke shkretuar gjithnjë e më shumë shqiptarët.
A është krim i shëmtuar kjo? Po unë nuk u ndala në një aspekt tjetër.
Ta dini ju të dashur qytetarë shqiptarë se merrni 1 dollarë për turist, po ju garantoj se atë dollar, me mundin tuaj, me djersën tuaj, me taksat tuaja, e paguani jo 100, po ju garantoj të paktën 400 përqind.
Sepse çdo vit, për infrastrukturën turistike, nga buxheti i shtetit, vidhen dhe shpërdorohen mbi 400 milionë euro. Të gjitha të ardhura tuaja.
Ja pra miqtë e mi, se si ju varfëroheni çdo vit e më shumë, se si ju vidheni gjithnjë e më shumë. Se si tirania e varfërisë bëhet gjithnjë e më e rëndë për ju qytetarë që jetoni në një vend me pasuri përrallore.
Ndaj dhe e mbyll fjalën time: koha është o sot o kurrë, të ngrihemi në mosbindje civile.
Të ngrihemi në mosbindje civile për të votuar të lirë!
Por asnjë shqiptar, asnjë qytetar, asnjë atdhetar nuk duhet të mashtrojë veten, votë të lirë me armikun e egër të votës së lirë dhe shqiptarëve, Edi Ramën, nuk ka dhe nuk mund të ketë.
Qeveri teknike, qeveri teknike, qeveri teknike duhet të jetë zotimi ynë, duhet të jetë beteja jonë, duhet të jetë sakrifica jonë.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.
Fitore, fitore, fitore!