Klea DUÇKA
Daniel NIKOLLA
Laboratori i Ideve – Departamenti Brain Gain PD
Gjatë viteve ’80, Shqipëria ishte vendi më i izoluar i Evropës dhe pas rënies së Murit të Berlinit, strehë e rrënojës së fundit të komunizmit e diktaturës staliniste në kontinent. Deri në vitin 1990, aleanca e fundit ushtarake, pjesë e së cilës kishte qenë vendi ynë, ishte Traktati i Varshavës, anëtarët e të cilit përbëheshin nga të gjitha vendet e bllokut komunist të Evropës Lindore (me përjashtim të Jugosllavisë) dhe që udhëhiqej nga Bashkimi Sovjetik. Shqipëria ishte anëtarësuar në këtë aleance në vitin 1955, për t’u shkëputur me pas përfundimisht në vitin 1968, pas ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike me këtë të fundit.
E Djathta si katalist i afrimit me perëndimin
Pas përmbysjes së regjimit komunist, Partia Demokratike e Shqipërisë, forca e parë opozitare në vend, e krijuar nga studente dhe intelektuale në dhjetor 1990, e që doli fitimtare në zgjedhjet e para pluraliste në mars 1992, kishte të përcaktuar qartë dhe si prioritet kryesor në programin e saj, anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, NATO, në kuadër të përmbushjes së aspiratave historike të vendit drejt integrimit në familjen euroatlantike. Për këtë qëllim, në të njëjtin vit, Shqipëria iu bashkua Këshillit të Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut, organizëm i krijuar nga NATO me qëllim rindërtimin e marrëdhënieve me vendet e dala nga Traktati i Varshavës.
Dy vite më vonë, më 23 shkurt 1994, Presidenti i Shqipërisë asokohe, Prof.Dr.Sali Berisha, nënshkroi Marrëveshjen e Partneritetit për Paqe mes NATO-s dhe vendeve të ish-bllokut komunist dhe paraqiti po në të njëjtën ditë, kërkesën zyrtare të Shqipërisë për t’iu
bashkuar Aleancës. Kështu, në 1999, Shqipërisë iu dërgua Plani i Veprimit për Anëtarësimin, (MAP). Pas rikthimit të PD në pushtet falë fitores në zgjedhjet e vitit 2005, gjatë mandatit të parë të qeverisë Berisha, vendet anëtare të NATO-s nënshkruan Protokollin e Anëtarësimit për Shqipërinë dhe Kroacinë, në Samitin e Bukureshtit të mbajtur me 2 prill 2008 dhe Shqipëria filloi zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me 25 prill të po këtij viti.
Reformat e gjithanshme, të zbatuara me sukses nga qeveria e PD, në kuadër te ratifikimit të protokollit, bënë që me 1 prill 2009, Shqipëria të anëtarësohej në strukturat e Aleancës, duke shënuar kështu një prej arritjeve më të mëdha historike për vendin, si dhe përmbushjen e një prej objektivave madhore të politikës së jashtme dhe sigurimin e avancimit të interesave kombëtare. Statusi i Shqipërisë, si vendi i parë ish-komunist që kishte shprehur haptazi dhe qartë, nëpërmjet një kërkese zyrtare, vullnetin për anëtarësim në NATO, i dha asaj një rol të veçante strategjik në Evropën Lindore, si një shtet, që megjithëse i vogël, kishte arritur të vendoste një trend të ri gjeopolitik për këtë pjesë të kontinentit.
Modernizimi i forcave te armatosura Shqiptare
Avantazhet më të mëdha dhe më të frytshme të bashkëpunimit të Shqipërisë me Aleancën e
Atlantikut të Veriut, janë pa dyshim ato të fuqizimit ushtarak, modernizimit të teknologjisë ushtarake, si dhe forcimit e reformimit të institucioneve të mbrojtjes. Duke iu përgjigjur detyrimeve të vendit si aleat ndaj NATO-s, Forcat e Armatosura Shqiptare janë dërguar përgjatë 15 viteve të fundit për të kontribuar në një sërë misionesh të rëndësishme paqeruajtëse në Afganistan, Detin Egje, Irak, etj. Me 4 mars të këtij viti, u përurua baza e parë taktike ajrore e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, ajo e Kuçovës. Ky projekt nisi në Janar të dy viteve më parë dhe kushtoi rreth 45,8 milionë euro. Vendimi i Aleancës për të ndërtuar këtë bazë, pikërisht në Shqipëri, forcon jo vetëm bashkëpunimin mes saj e vendit tonë, por thekson gjithashtu edhe rolin strategjik ushtarak të Shqipërisë si aleati më i rëndësishëm i Perëndimit në rajon.
Statusi i vendit anëtar të NATO-s, dhe së fundmi edhe ai i vendit kandidat në Bashkimin Europian, i japin Shqipërisë një pozicion të veçantë në kuadër të forcimit të sigurisë në Evropën Juglindore, në mbështetje të linjës politike të koordinimit të ngushtë mes Aleancës dhe Unionit, përballë kërcënimeve në rritje nga shtete me synime ekspansioniste, siç është Rusia. Sulmi në Ukrainë, i dënuar me ashpërsi nga NATO, ngriti së fundmi alarmin për sigurinë në Evropë, duke theksuar nevojën e rritjes së shpenzimeve qeveritare për mbrojtjen, për të arritur objektivin prej 2% të PBB (Prodhimit të Brendshëm Bruto), të miratuar unanimisht nga të gjitha vendet aleate në vitin 2014.
Qeveria Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha është e vetmja e cila ka arritur dhe tejkaluar objektivin e 2% të PBB midis viteve 2008 dhe 2012. Kjo përqindje është ulur përgjatë viteve të qeverisjes socialiste. Sipas zyrtarëve të lartë të PD midis viteve 2005 – 2013, e djathta Shqiptare ndërtoi një ekip të tërë specialistesh, Shqiptarë dhe Amerikan, për t’u fokusuar tek shpenzimi i rritur, gjetja e mekanizmave që e bënin të mundur, por dhe me shumë rëndësi shpenzimi i fondeve me efikasitet.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u ka bërë së fundmi thirrje 18 vendeve aleate që nuk e kanë arritur akoma këtë objektiv, për t’u kujdesur për përmbushjen e tij deri në fund të këtij viti. Ish-Presidenti i SHBA dhe kandidati Republikan në zgjedhjet e këtij viti, Donald Trump, ka ritheksuar të njëjtën gjë, anipse me një retorikë më të ashpër. Pavarësisht kritikave dhe sulmeve për deklaratat e zotit Trump, për arsye që lidhen me një propagandë me ngjyrime politike midis vendeve perëndimore dhe brenda SHBA- së, Trump ka përsëritur në thelb thuajse të njëjtin paralajmërim të bërë në një gjuhë më “diplomatike” nga Presidenti Emmanuel Macron i Francës, apo ish-Presidenti Obama, disa vite më parë apo dhe Presidenti Truman para shumë dekadash.
Asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, nuk e ka arritur ende objektivin e miratuar 10 vite më parë për të arritur kuotën prej 2% të PBB, të shpenzimeve për mbrojtjen.
Shqipëria e ka arritur këtë objektiv vetëm në vitet e qeverisjes së Partisë Demokratike.
Serbia, edhe pse jashtë strukturave të NATO-s, është i vetmi vend, shpenzimet e te cilit e kanë arritur këtë objektiv vitin e kaluar. Një raport i publikuar së fundmi nga Instituti “Global
Firepower”, i cili bën vlerësimin e kapaciteteve dhe teknologjisë ushtarake, logjistikës, financave dhe numrit të trupave, e rendit Shqipërinë në vendin e 90-të në botë. Me gjithë rritjen e fondit në 500 milionë dollarë të dedikuar për mbrojtjen dhe rritjen e shpenzimeve të parashikuara në masën 1,8% të PBB në buxhetin e këtij viti, krahasuar me një vit më parë, kur ishte 1,6%, raporti vlerëson se vendi ynë disponon 19 avionë në total, por asnjë prej nuk përdoret për trajnim, misione ushtarake, apo sulme. Ndërkohë, pavarësisht përmirësimit në renditje sa i takon buxhetit të mbrojtjes apo fuqisë ushtarake, pjesërisht për shkak të përurimit të bazës ajrore të Kuçovës dhe droneve të avancuar “Bayraktar”, të ardhur nga Turqia, Shqipëria vazhdon të mbetet në vend të dytë, ndërkohë që listën vazhdon ta kryesojë Serbia, si vendi i më i fuqishëm ushtarakisht i Ballkanit.
Të gjithë investimet përsa i përket sigurisë, NATO-s, e të tjera duhen trajtuar si pjesë e një strategjie afatgjatë të vendit tonë, dhe jo thjesht si investime ‘patericë’ me efekt afatshkurtër.
Duke pasur parasysh rritjen e influencës së Rusisë në Ballkan, të dhënat e raportit duhet të jenë kambanë alarmi për Shqipërinë si aleat kryesor i NATO-s dhe Perëndimit në këtë rajon delikat.
Mesazhi për qeverinë aktuale, që me shumë mundësi do të bjerë në veshët e shurdhët të stabilokratëve që tregtojnë me anë të lobimeve asetet kombëtare dhe ‘blejnë’ aktivisht zyrtarë të lartë perëndimorë për pushtet, është i qartë: Taksat e shqiptarëve për të përmbushur detyrimin financiar ndaj Aleancës, shpenzohen në mënyrë efikase vetëm atëherë kur arritja e këtij qëllimi shoqërohet me një plan konkret strategjik veprimi dhe rritje të koordinimit me vendet e tjera aleate për të zhvilluar me tej aftësitë luftarake të ushtrisë dhe zbatuar praktikat më të mira për të përdorur me efikasitet teknologjinë dhe asetet ushtarake në dispozicion.
Rritja e efikasitetit ushtarak kërkon gjithashtu njëkohësisht edhe zhvillim të një industrie vendase ushtarake për prodhimin e pajisjeve dhe modernizimin e teknologjisë ushtarake, apo të sigurisë, në rrafsh kibernetik ose jo. Ky mbetet fatkeqësisht një standard ndaj të cilit, Shqipëria si vend aleat vazhdon të mbetet larg, për shkak se edhe investimet në edukim dhe R&D edhe në këtë sektor, ashtu sikurse në të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë, janë inekzistente.
Statusi i vendit kandidat, por edhe anëtarësimi në NATO, nuk janë të mjaftueshme për t’i garantuar Shqipërisë sigurinë kombëtare. Andaj qeverisjes së ardhme demokratike i ‘ri-lind’ detyra kombëtare për të qenë në lartësinë e standardeve që kërkon pozita e një vendi aleat.
Vetëm një Shqipëri e fortë ekonomikisht, institucionalisht dhe kulturalisht mund të shndërrojë Shqipërinë në një faktor thelbësor e me ndikim demokracie dhe stabiliteti në rajon. Është e nevojshme që të punohet në drejtim të forcimit të demokracisë dhe sundimit të ligjit, të hartohen politika ekonomike që nxisin mirëqenien e individëve, sipërmarrjen e lirë dhe kthejnë rolin e qeverisë si një stimulues të tregut të lirë dhe sipërmarrjes, duke luftuar kriminalitetin e korrupsionin dhe duke ndaluar tregtimin e aseteve dhe interesave kombëtare për përfitime politike.
Të gjithë investimet përsa i përket sigurisë apo gjerësisht NATO-s, duhen parashikuar si pjesë e një strategjie afatgjatë në shërbim të interesave kombëtare, dhe jo thjesht si investime ‘patericë’ me efekt afatshkurtër.