Tetë të vdekurit e Këlcyrës, alarm për kampet e refugjatëve të Ramës

Partia Demokratike u shprehu sot ngushëllimet më të ndjera familjeve dhe të afërmve të tetë të vdekurve në aksidentin e ndodhur në Këlcyrë, ku shtatë prej viktimave ishin emigrantë nga vende të treta që po transportoheshin në mënyrë të paligjshme nëpër Shqipëri me synim vendet e BE-së.

Z. Alfred Lela, Drejtor i Zyrës së Shtypit dhe Komunikimit në PD, në një deklaratë nga selia e PD, tërhoqi vëmendjen ndaj kësaj tragjedie me emigrantë, pasi mijëra të tjerë si ata po sillen nga vetë qeveria Rama në Shqipëri në kampet që po ngrihen në Shëngjin e Gjadër në kushtet kur vendi është i paaftë të garantojë dhe sigurinë e qytetarëve të vet.

“Tragjedia e një familjeje shqiptare dhe shtatë të huajave, eshte drama e një shteti si ky i Rilindjes, që nuk kontrollon dot kufijtë dhe territorin e vendit, – theksoi Lela. – Edhe pasi ia lëshon Agjencise Europiane te Kufijve, Frontex, me PPP, nuk bën gjë tjetër veçse dyfishon dështimin.

Humbja e tetë jetëve bëhet edhe më alarmante po të kujtojmë se, me një vendim jo-transparent dhe kundër të drejtave të njeriut dhe Kushtetutës, pas një muaji, Shqipëria do bëhet strehë, jo e tetë, por e disa mijra emigrantëve, që do të ambalazhohen në Shëngjin e Gjadër.

Humbja e tetë jetëve bëhet edhe më ulëritëse po të kujtojmë se, vetë shqiptarët, mbi 1 milion, kanë marrë rrugët e botës në dekadën e Rilindjes, duke zbarazur vendin, duke plakur popullatën, duke vrarë shpresën.

Edi Rama e shndërroi Shqipërinë në një vend që prodhon emigrantë me shumicë, dhe tashmë bën këmbime popullatash, duke marrë nga vende të tjera kontigjente të cilat vendet e BE-së duan t’i shmangin.

Partia Demokratike e ka në krye të agjendës shpopullimin e Shqipërisë: ky eksod nuk është emigrim për jetë më të mirë, por ikje nga sytë këmbët.

Plotësimi i dramës kombëtare të shpopullimit me kampe refugjatësh, që popullojnë një territor të policuar keq dhe të qeverisur keq e më keq, me hajgare, propagandë dhe babëzi, është një minë me sahat.

Që shtëpitë e shqiptarëve, që fshatrat e boshatisura dhe qytetet e mpakura, të mos zëvendësohen me kampe refugjatësh, reagimi më i mirë nuk është ikja, por qëndresa.
O sot, o kurrë! Për një Shqipëri të bijave dhe bijve të vet, jo një jetimore ndërkombetare.”

About Krye Redaktor

Check Also

Gjykata Kushtetuese gjen shkelje në dosjen “Partizani”

Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht padinë e “Studio Pustina” që kishte si objekt shfuqizimin e …