Revolta e Spaçit! Vrasje, dhunim e poshtërim!

Agim Xh. Dëshnica

Poezi në kujtim e nderim të Revoltës në Kampin e Spaçit

Migjen, Migjen
tek prehesh lart
mes yjeve të artë
a t’shkon kund ndër mend
në meditimin tënd
dhunim e poshtërim,
që ç’mend, si ky mjerim?

Ku jeta hiqet zvarrë, pa gjurmë, pa mbresë,
edhe Sizifi do të shembej nën ngarkesë;
ku veç një qen i shoqëron si mik, si qengj e zogu në frengji, këndon si shenjtë
e uji i pakët, qan
e sy e buzë u lanë.

Mos grisej re e zymtë, sipër majë më majë e copë e pakët qielli, zbriste në ferrin Spaç,
me erën dhe mendimin, kalonte hendekë e boka,
përroin – rrjedhë gjaku, ku jeta tretej nëpër gropa;
mbi kulla karakollësh, pushonte e priste në pragje, trokiste në porta lehtë, nga gjumi zgjonte të lodhur, me pak fjalë, të vdekur e të gjallë,
e gjaku vlonte në tru , në zemër e në krah,
ringjallja merrte vendim ne muzg e zbardhëllim.,
Dëgjohen zëra:, Liri!
Mjaftë më! Në këmbë! Drejtësi!
Sfilitur, skllevër, por djem të mirë,
kur s’dimë u ngrys apo ka gdhirë.
S’durohet më, tmerr, skëterrë-minierë,
vagon mundimesh
qysqi e plagë, kazmë e lopatë,
vare e rëndë, vdekje e mandatë,
afsh vullkanesh në çdo skutë;
në ditë pa dritë, helm e gas i mrytë;
me gjakun tonë-normë mizore,
tunel e terr e shpellë mortore
e jashtë na pret, ndëshkim, kërbaç,
e brenda burgut qeli, litar,
O Spaç, O Spaç, o Spaç!

Më këmbë. Flamurin!
Mjaftë më, gazetë e supë e zezë,
përbindësh apelesh në mëngjes,
pa diell, pa qiell,
pa një livadh e hijeshi
e shtigje qark, për miqësi.
Më këmbë! Lirinë!
Na digjet shpirti për lule e degë,
na digjet buza për fjalë e këngë;
për dhomë të qetë e ëndërr e shpresë;
për dasmë me valle, me nuse , dhëndër.
Afër nënokes kur gatuan,
për lojë vocërakësh tok me gruan;
për një gotë me babanë,
bisedë me motrën e me vëllanë.
mësime dije, liri!
Na presin drita, era e pastër, qiell e tokë. mall, për miq e shokë.
Të dalim rrugësh, në bulevard,
kur moti ngroh a mali zbardh.
Të shkojmë të lahemi në lumë,
në hije manash të bëjmë zhurmë; .
O ti, o Orë e malit, pse rri e kqyr më kot,
rrudh ballin e menduar, në faqe rrjedhin lot?
Skënderin, Palin, Dervishin, Hajriun;
s’i preu plumbi,
as vdiqën, as humbën.
si diell zgjohen çdo mengjes
me kumtin: Për lirinë kujdes! Kujdes!

About Redaksia

Check Also

Një vit nga ikja e “Sokratit Shqiptar”!

Nga Bujar LESKAJ Sot, datë 5 dhjetor 2024 bëhet 1 vit nga ndarja nga jeta …