Të gjithë pendoheshkan një ditë, përveç monstrave tona staliniste!

Nga Gent STRAZIMIRI

Dje parlamenti italian dhe ai i Shqipërisë janë përballur me të shkuarën.

Në dy seanca të njëkohëshme, ndërsa në parlamentin shqipëtar diskutohej për krimet e komunizmit, në atë italian përkujtohej vrasja nga skuadronet fashiste e deputetit Giaccomo Matteotti.

Paskësh qenë dje 100 vjetori i fjalimit të fundit denoncues për vjedhjen e zgjedhjeve të vitit 1924, që ai mbajti në parlament para se ta vrisnin me leva hekuri në kokë…

I gjithë spektri i politikës italiane ishte prezent në këtë përkujtim, organizuar nga kryeministrja Meloni, e konsideruar gjerësisht si udhëheqëse e një force politike përfaqësuese të trashëgimisë fashiste.

Meloni, La Russa madje dhe Gianfranco Fini, lideri historik i “Alleanza Nazionale” nderuan kujtimin e Mateottit 100 vjet pas vrasjes, duke dënuar pa ekuivok atë që e quajtën “krim politik i skuadroneve fashiste”!

Më tepër se kaq, dje në parlamentin italian u mor vendimi që karrigia në të cilën ulej Giacomo Matteotti këtu e 100 vjet më parë, do të mbetej gjithmonë bosh në kujtim të veprës së tij, e për të mos lejuar të përsëritej vrasja e organizuar e kundërshtarëve politikë.

Nga dje, ajo karrige që do qëndrojë gjithmonë bosh në aulën e parlamentit italian, do të jetë simboli i kujtesës e i pendesës së një shoqërie që ka vendosur të ecë përpara në demokraci e të mos bjerë më në totalitarizëm.

Po dje, në të njëjtën orë, në parlamentin e Shqipërisë vrasësit e “Matteottit” shqipëtar, të papenduar, krenarë, serbes jo vetëm që nuk shfaqën pendesë e reflektim por u hodhën në sulm. Sulmuan dhe fajësuan ekzaktësisht “Matteottin” shqiptar për krime që i kanë bërë vetë…

I ati i Giorgia Melonit, kryeministres së Italisë nuk ka vënë firmën për të varur në shesh asnjë poet italian për një poezi në emër të lirisë.

As Ignazio La Russa e as Gianfranco Fini nuk kanë qenë asnjë ditë hetues a prokurorë të diktaturës totalitare që vrau, preu e masakroi italianët nëpër procese speciale inkuzitore…

Megjithatë “fashistët” italianë shfaqën pendesë dhe nderuan kujtimin e një italiani të mirë, duke e shndërruar në simbol të qëndresës e të kujtesës.

Ndryshe nga ata, monstrat ish-staliniste që sot drejtojnë Shqipërinë, bijtë e atyre që kanë firmosur për të varur poetët, si i ati i Edi Ramës, apo që kanë torturuar nëpër qeli “matteottët” shqiptarë, si Fatmir Xhafa, vazhduan të qetë sikur krimet e komunizmit të mos kishin ndodhur kurrë…

E bënë pa u mbushur ende 24 orë nga atentati me leva hekuri në kokë (?!) ndaj Sokol Mëngjesit, realizuar nga “skuadrone” të veshur me të zeza (?!), në mes të Tiranës.

E bënë me ndërgjegje të plotë kriminale e intencionale, ndërsa një “matteott” shqiptar lufton për jetën në spitalin e traumës.

Këto dy ngjarje paralele të ndodhura dje, tregojnë se edhe e keqja ka hierarkinë e saj të brendëshme nga shumë e keqe në e keqe absolute.

Fashizmi ishte dhe mbetet një e keqe e madhe, një rrezik për njerëzimin, por gjithësesi qenka në gjendje edhe të pendohet.

Komunistët, veçanërisht në variantin e tyre më të ndyrë, atë të stalinistëve, nuk pendohen kurrë, të paktën jo deri tani.

Ata janë e do të mbeten armiku kryesor i lirisë dhe njeriut.

Janë e keqja absolute, dhe ne i kemi ende në krye!

About Redaksia

Check Also

Patriot shqiptar?!

Nga Redin HAFIZI Në Shqipëri edhe patriotizmi ka ndryshuar thelbin dhe është kthyer nga ndjenjë …