PD dënon dhunën e gardistëve në Kuvend me urdhër të Lindita Nikollës! AMA po përdoret politikisht nga pushteti

DEKLARATË E ZËDHËNËSES SË PD, FLORIANA GARO:

Partia Demokratike dënon dhunën verbale të gardistëve ndaj gazetarëve dje në Kuvendin e Shqipërisë, dhe e konsideron pjesë të përshkallëzimit malinj kundër lirisë së shtypit në Shqipëri dhe përpjekjeve të qeverisë për të frikësuar gazetarët.

Urdhri i Lindita Nikollës, i zbatuar me verbëri dhe në kapërcim të tagrit të tyre nga gardistët, është pjesë e skenarit të përhershëm anti-media dhe e fshehjes së aktivitetit qeveritar, duke zgjedhur kronikat e gatshme dhe kasetat për redaksitë në vend të transparencës.

U bëjmë thirrje organizatave vendase dhe ndërkombëtare të lirisë së shtypit të reagojnë, dhe këtë e bën më urgjent fakti se pasiguria për jetën e personave me aktivitet publik është rritur së tepërmi, siç u pa në rastin e goditjes së avokatit të liderit të opozitës, Sokol Mëngjesi.

Qeveria Rama konsideron si opozitar dhe armik këdo që mendon ndryshe dhe synon goditjen e tyre.

Ne jemi në krah të gazetarëve në krye të detyrës dhe të kërcënuar për shkak të saj, dhe dënojmë çdo përpjekje për të kufizuar lirinë e zërave që nuk pajtohen me qeverinë.

Fakti që renditja e lirisë së shtypit bie vit pas viti në raportet ndërkombëtare të organizatave të pavarura, dhe se pavarësisht kësaj qeveria vijon me shkeljet, dëshmon se rastet nuk janë rastësi por strategji qeveritare me qëllim heshtjen e së vërtetës.

Nga ana tjetër, përdorimi i gazetarëve për qëllime të bosëve të tyre të lidhur me qeverinë, në role që nuk kanë të bëjnë me gazetarinë është i dënueshëm.

Partia Demokratike denoncon si jashtë tagrit, dhe si një akt të pastër politik, thirrjen e Autoritetit të Medias Audiovizive pas një incidenti në protestën e opozitës të martën. Është hera e parë që AMA reagon dhe kjo dëshmon për përdorimin e pastër politik nga pushteti të një institucioni publik.

Reagimi jashtë tagrit të AMA, që është monitorimi etik i hapësirës audiovizive dhe dhënia apo revokimi i licencave, është një mjerim më vete dhe dëshmon gatishmërinë për t’i shërbyer pushtetit dhe pjesëmarrje në orkestrën anti-opozitare.

About Redaksia

Check Also

Nikolla u dorëhoq, apo e larguan?

Lindita Nikolla ka njoftuar se do të largohet pas pas tre vitesh nga posti i …