Emri, logoja dhe vula e Partisë Demokratike iu rikthyen të martën grupimit më të madh të opozitës që drejtohet nga ish-kryeministri Sali Berisha, pasi Gjykata e Apelit rrëzoi një ankimim të grupimit tjetër me në krye Lulzim Bashën.
Trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Alma Ahmeti, Elona Toro dhe Iliba Bezati, pasi dëgjoi pretendimet e palëve, vendosi të mos pranojë ankimimin e firmosur nga deputeti Enkelejd Alibeaj, duke lënë në fuqi një vendim të gjyqtarit Agron Zhukri të shkallës së parë.
Gjyqtari Zhukri kishte njohur vendimet e Kuvendit Kombëtar të PD-së të mbledhur nga Berisha me firmat e ¼ së anëtarëve, ku u shkarkua nga detyra e kryetarit të partisë Lulzim Basha dhe organet drejtuese dhe partia do të drejtohej nga një organ i quajtur “Komision i Rithemelimit”.
Por, një ankimim i bërë në Apel nga deputeti Alibeaj, i cili në atë kohë u autorizua si kryetar partie pas dorëheqjes së përkohshme të Lulzim Bashës, bëri që çështja të zvarritej ligjërisht deri në Gjykatë të Lartë, e cila në dhjetor 2023 zhbëri vendimin e parë të Apelit, që e njihte Alibeajn si palë në proces, duke kthyer çështjen për rishqyrtim.
Me vendimin e fundit të Apelit duket se përfundon dhe saga ligjore më shumë se 3-vjeçare e partisë më të madhe opozitare, e cila që prej vjeshtës 2021 është e përçarë në dy grupime kundërshtare.
Beteja ligjore për vulën dhe emrin e partisë bëri që Partia Demokratike të futej e përçarë dhe të përjetonte një humbje të thellë në dy palë zgjedhje vendore, ato të pjesshmet në mars 2022 si dhe zgjedhjet e majit 2023.
Organet vendimmarrëse të procesit zgjedhor i njohën Bashës të drejtën për të përdorur vulën dhe logon, si dhe të përfitonte fondet e buxhetit të shtetit për zgjedhjet, ndërsa grupimi i Berishës garoi nën siglën e një koalicioni me partinë e aleate të ish-presidentit Ilir Meta.
Konflikti mes dy grupimeve lindi në shtator të vitit 2021, kur ish-kryetari i PD-së Lulzim Basha vendosi përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar, pasi ky i fundit u emërtua si person i përfshirë në korrupsion madhor nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Por, Berisha nisi një fushatë brenda partisë që kulmoi në janar të 2022-it me një sulm fizik kundër selisë së partisë, e cila u pasua nga ndërhyrja e policisë. Pas sulmit, kryesia e PD-së vendosi përjashtimin e Berishës dhe mbështetësve të tij nga partia.
Aktualisht “Rithemelimi” kontrollon pjesë më të madhe të partisë në terren dhe të grupit parlamentar, pasi shumë prej kundërshtarëve të dikurshëm u bashkuan rreth Berishës në këto vite.
Pas vendimit të gjykatës së Apelit, deputeti Flamur Noka u bëri thirrje demokratëve që të rikthehen tek partia e tyre. Sipas tij, “..megjithëse në oazin e padrejtësisë, u gjetën gjyqtarë me integritet që i dhanë zë të vërtetës, e cila po zvarritej prej tre vitesh”. /BIRN