Bardh Spahia merr zyrtarisht detyrën e kryetarit të bashkisë Shkodër

Bardh Spahia nga sot ka nisur zyrtarisht rrugëtimin si kryetar i bashkisë Shkodër. Spahia u betua përpara anëtarëve të Këshillit Bashkiak si dhe firmosi formulën e betimit.

Në fjalën e tij, kryetari i ri i bashkisë së Shkodrës, fitues i zgjedhjeve të 6 marsit si kandidat i koalicionit opozitar “Shtëpia e Lirisë”, u shpreh se do të jetë kryetar i të gjithë shkodranëve, pavarësisht nga zgjedhja e qytetarëve në datën 6 mars.

Spahia bëri thirrje për bashkëpunimin e të gjithëve, për Shkodrën dhe shkodranët, për të çuar përpara projektet për kryeqendrën e veriut dhe thithjen e investimeve të reja në qytet.

Sot është një ditë shumë e veçantë për mua. Nisim sot së bashku një mision për t’i shërbyer Shkodrës dhe shkodranëve, pasi ata më mbështetën e votëbesuan me 6 mars 2022. Vij sot para jush me përgjegjësinë e besimit që më dhanë banorët e Shkodrës nga Shala në Velipojë, nga Ana e Malit në Gurin e zi, në qytet dhe njësitë administrative.
Falënderimi im është për të gjithë pa përjashtim, ata që më votuan dhe ata që për një arsye apo tjetër nuk votuan për mua. Unë kam bërë një premtim para banorëve të Shkodrës gjatë fushatës elektorale dhe e përsëris sërish para jush edhe sot: Do të jem kryetar i gjithë shkodranëve, pavarësisht zgjedhjes së tyre me 6 mars 2022.
T’i shërbej Shkodrës është nder por mbi të gjitha përgjegjësi e madhe për mua.

Është e vertetë që ky mandat që nis sot, është i shkurtër në kohë, por Ne do të japim maksimumin tonë, të gjithë bashkë, që jo vetëm të realizojmë projektet e prioritetet tona por të kërkojmë e të gjejmë edhe mundësi të tjera për të shtuar investimet dhe vëmendjen ndaj Shkodrës. Kohën që kemi në dispozicion, duhet ta shfrytëzojmë në maksimum, siç edhe duhet të bashkëpunojmë të gjithë bashkë, pa asnjë dallim, për Shkodrën e shkodranët. Tani është momenti të nisim punën për shtëpinë tonë të përbashkët, për të ndërtuar të sotmen me veshtrimin nga e ardhmja.

Nga dita e sotme, unë si kryetar i bashkisë dhe ju si këshilltarë bashkiakë, nisim së bashku një rrugëtim me synimin t’i shërbejmë sa më mirë Shkodrës e shkodranëve. Përpara se të jemi në këto detyra, para se të jemi përfaqësues të një subjekti të caktuar politik që na ka propozuar a mbështetur, jemi shkodranë. Nëse bashkojmë përpjekjet tona, zërat tonë për Shkodrën, jam i sigurtë se jo vetëm do të dëgjohemi më shumë e më larg, por edhe bashkia jonë do të ketë më shumë vëmendje, investime e zhvillim.

About Redaksia

Check Also

Si deputetët e “Vetëvendosjes” injoruan fjalimin e Ramës në Parlamentin e Kosovës

Kryeministri Edi Rama shfrytëzoi fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës ku po mbahet një …

Leave a Reply