Nga Alba KEPI
Të pranosh se është fuqizuar struktura kriminale e shqiptarëve në trafikun e kokainës e të justifikosh krimin se portet e trafikimit të arit të bardhë nuk janë në Shqipëri por në Blegjikë, në Itali e Hollandë, është si të identifikosh autorin e vrasjes mbi trupin e viktimës e ta nxjerrësh pa faj se ka fshehur armën e krimit.
E vërtetë se portet shqiptare nuk janë sa Roterdami, as Anversa o Guayaquil, as Gioia Tauro, Livorno apo Genova, ku pothuajse cdo ditë me qindra kilogramë kokainë prej Amerikës Latine në thasë kafeje, bananesh, avokado e mallra të tjera udhëtojnë për të furnizuar tregjet e Europës.
E vërtetë se në portet shqiptare kolitë me kokainë rrallë ndodhin të kapen, e jo nga bravura e analizës së riskut por nga strategjia e strukturës kriminale që ka pozicionuar e kontrolluar fuqinë e territoret.
Por portet shqiptare janë më shumë se portat, janë zona e sektorë të ekonomisë shqiptare, ku janë instaluar lavarice gjigande që me energji politike spostojnë miliona euro nga maunet e kontejnerat e porteve të botës, në tokën shqiptare.
Ka porte, porta, xhepa, portofole, investime, pasuri, sipërmarrje e politikë e pastaj përsëri portofole, xhepa, porta e porte.
Njëra dorë lanë tjetrën, të dyja fytyrën e shumë duar bashkë lëvizin ekonominë. Atë të pistën që pasi centrifugon kilogramët me kokainë i nxjerr cilësisht të pastra e i quan sipërmarrës strategjikë.
“Portet shqiptare nuk janë të preferuarat për trafikun e kokainës” pohoi kreu i Spak-ut shqiptar, kjo strukturë që teorikisht është pothuajse e barazlevshme me antimafian italiane, pra profesionalisht me një njohje manjakale të mekanizmave të trafiqeve ilegale, aferave korruptive, proceseve ricikluese e autoricikluese të cdo aktiviteti të paligjshëm që ndyn ekonominë e sigurinë kombëtare.
Kreu i Spak tha se “grupet kriminale shqiptare në botë janë sofistikuar”, e plotësoi shpejt fjalinë se “kanë lidhje të drejtpërdrejta me kartelat e kultivimit të kokainës”.
Por ky relativizim i ” së keqes së të tjerëve”, nuk redukton e as shfyqizon alarmin mbi narkotrafikun shqiptar, kartelave shqiptare, brokerat shqiptare e mafian shqiptare.
Mafia shqiptare kontrollon tregjet e kokainës në shumë vende të Europës. por mafia shqiptare paratë e milionat e fitura nga konttrolli i porteve të botës i investon në Shqipëri.
Aty ndodh krimi më makabër që i bëhet një shoqërie; ndotet tregu, ekonomia, shoqëria e shteti.
Në dekalogun e narkotrafikut botërorë, riciklimi është ura e porti i vetëm lidhës mes kriminalitetit e shoqërisë civile, riciklimi është ura e porti mbutës i konkurencës legale të tregut, riciklimi është ura e porti kërcënues, kompromentues, shantazhues e korruptiv i votës e i politikës.
Spak e ka aq të lehtë laboratorin shqiptar të krimit;
Follow the money e gjen portin shqiptar ku zbarkon kokaina formatuar kartmonedha.
Follow the money e gjen portin ku kokaina është bërë ujë lavatrice.
Follow the money e gjen portin ku kokaina ka veshur kollare shtetari.
Sipas OKB, zyrës së saj në luftën kunder droges, riciklimi i parave të drogës vlen cdo vit gati 2 trilon dollarë e baraz me 2-5% të PPB globale.
Në një vend si Shqipëria me as 2 milionë banorë, ku 800 mijë janë pensionistë që pensioni nuk iu del as të paguajnë recetat mujore të ilaceve, e mbi 45% të fëmijëve jetojnë në varfëri ekstreme, të shesësh apartamente me 3000-5000 euro metra katrorë është paradoksi më i madh i cdo vendi me o pa porte, por dhe porta më e lehtë për të hapur kapakun e kesaj lavatrice.
Gazeta RD