BIRN: Mazhoranca po mban peng KLSH-në

Kontrolli i Lartë i Shtetit është i vetmi institucion i pavaruar që nuk ka përfunduar procedurën e raportimit në Kuvend për këtë sesion parlamentar, pasi raportimi i këtij institucioni vijon të jetë i hapur në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, si komision përgjegjës për të dërguar rezolutën mbi punën e këtij institucioni në seancë plenare.

Të enjten gjatë punimeve të Kuvendit, opozita kërkoi që të futej në rend dite dhe raportimi i KLSH-së, duke akuzuar mazhorancën se po shkel Kushtetutën duke mohuar këtë procedurë ligjore.

“Është e papranueshme që KLSH është i vetmi institucion që lihet pa raportuar,” tha në seancë kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi , duke cituar nenin përkatës që detyron KLSH-në t’i paraqesë raportin vjetor Kuvendit.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla e quajti të drejtë kërkesën dhe i bëri thirrje komisionit të Ekonomisë të vijojë punën për përmbylljen e procesit të raportimit dhe hartimit të rezolutës.

Por kryetari i këtij komisioni, Eduart Shalsi, pretendoi se KLSH nuk i kishte dhënë përgjigjet e kërkuara nga deputetët në këtë komision, edhe pse janë zhvilluar disa seanca dëgjimore me kreun e tij, Arben Shehu gjatë ditëve të fundit.

Ai tha se komisioni nuk ishte sqaruar se pse është kërkuar shkarkim nga detyra për drejtoreshën e buxhetit në Ministri të Financave, Mimoza Dhëmbi, pse ska kallëzim për skandalin e Onkologjikut, për këshilltarët e jashtëm të punësuar në institucion, etj..

I pyetur nga BIRN, Shalsi tha se “Komisioni po vijon punën dhe nuk është ende gati” dhe se ishte në tagrin e këtij komisioni afati i përmbylljes së procesit.

Raportimi i kreut të KLSH-së në këtë komision është shoqëruar me tensione dhe me akuza të opozitës për Shalsin dhe deputetët e tjerë të PS-së se po ushtronin presion politik mbi një institucion të pavarur. Vetë Shehu disa herë i gjeti si të papërshtatshme, intimiduese dhe fyese për punën e institucionit pyetjet e deputetëve socialistë.

Në seancën e së enjtes, Kuvendi miratoi me 90 vota pro, 1 abstenim dhe 4 kundër projektvendimin “Për ngritjen e Nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik”, një strukturë që pritet të ketë në objekt të punës së saj punën e KLSH-së. Pavarësisht konsensusit politik nisma është kritikuar nga opozita si një tentativë për cenimin e pavarësisë së Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Në këtë seancë, Kuvendi miratoi rezolutat për punën e institucioneve të pavarura që raportojnë në Kuvend dhe konfirmoi me shumicë të thjeshtë votash listën e dalë nga shorti i tretë për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga radhët e avokatëve.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla tha se, nëse Kuvendi nuk arrin 2/3-at në votimin e tretë atëherë kandidatët e kësaj liste konsiderohen të zgjedhur. Si rrjedhojë kandidatët Bledar Bajri dhe Albens Tabaku zgjidhen anëtarë të KLGJ-së dhe Erind Mërkuri dhe Erind Gërmenji zgjidhen anëtarë në KLP.

About Krye Redaktor

Check Also

Shqipëria do kishte arritur standardet e BE, nëse investimet do të kanalizoheshin tek njerëzit dhe tek rritja e vlerës së burimeve

Pjesa dërrmuese e investimeve në ekonomi vijon të kanalizohet në sektorin e ndërtimit, sidomos në …