Lideri i opozitës Sali Berisha, në tubimin e përnatshëm në ‘Rrugën e Shpresës’, u shpreh se duhet t’u njohim meritën e madhe gazetarëve, ndër të cilët Klodian Tomorri, i cili ditën e tenderit në vitin 2021, ka denoncuar se në tender u paraqit Gjoka me 140 milionë euro dhe kompania turke me 190 milionë euro.
Berisha u bëri gjithashtu thirrje të gjithë shqiptarëve të bashkohen në protestën e radhës të enjten të te bashkia.
“Miqtë e mi, askush nuk është përpjekur të bëjë më shumë për infrastrukturën e këtij vendi.
Dhe, jam i bindur se ajo përbën një nga arritjet më të mëdha. Por tunelin e Llogarasë, siç e shpjegoi Arben Ahmetaj mbrëmë dhe për hir të së vërtetës, duhet t’u njohim meritën e madhe gazetarëve, ndër të cilët Klodian Tomorri, i cili ditën e tenderit në vitin 2021, ka denoncuar se në tender u paraqit Gjoka me 140 milionë euro dhe kompania turke me 190 milionë euro.
Tenderin e fitoi kompania turke dhe Rama me lubinë e tij, Ballukun, përfunduan në Ankara. Por diferenca o të dashur qytetarë, 50 milionë euro.
50 milionë euro për një tunel, i cili është tuneli më i kushtueshëm në planet. I cili është 5.9 kilometra dhe shkurton gjithsej 13 kilometra rrugë.
A ka mendje njerëzore që mund të ndërtojë një gjë të tillë?
Miqtë e mi, këto dëshmi tronditin tokën.
Demokrate e demokratë, gjithçka është në duart tona, gjithçka varet nga guximi ynë, revolta jonë.
Të enjten të gjithë te bashkia, të ecim të sigurt drejt fitores.
Fitore, fitore, fitore!”, e përmbylli Berisha fjalën e tij.
Gazeta RD