Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka folur për përshkallëzimin e luftës në Ukrainë, duke theksuar se përmasat që po merr janë serioze. Ai tha se, Vladimir Putini po shkel rregullat ndërkombëtare dhe të drejtat themelore të njeriut.
“Ajo që ne shohim tani është një brutalitet në përmasat dhe shtrirjen e luftës që nuk e kemi parë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Dhe kjo është jashtëzakonisht serioze. Është e tmerrshme dhe sigurisht që shkakton vuajtje për popullin ukrainas.
“Por është gjithashtu e rrezikshme për të gjithë ne. Dhe ne shohim natyrën e luftës së Presidentit Putin, mungesën e respektit të tij për dhe për sundimin e ligjit, për rregullat ndërkombëtare dhe gjithashtu mungesën e respektit të tij për të drejtat themelore të njeriut”, tha ai.
Gjithashtu shtoi se Moska nuk po heq dorë nga ofensiva e saj në Ukrainë, por do të përpiqet të ripërqendrohet në marrjen e plotë të rajonit të Donbasit në javët e ardhshme.
“Ne shohim tani një lëvizje të konsiderueshme të trupave (ruse) larg Kievit për t’u rigrupuar, riarmatosur dhe rifurnizuar dhe për të zhvendosur fokusin e tyre në lindje.
Në javët e ardhshme, ne presim një shtytje të mëtejshme ruse në Ukrainën lindore dhe jugore për të provuar të pushtojë të gjithë Donbasin dhe të krijojë një urë tokësore për në Krimenë e pushtuar”, u shpreh Stoltenberg.